11/06/2026
SHQIPËRIA NGRIHET NË PROTESTË
Lidhja e Diasporës së Bashkuar Kërçovare mbështet fuqishëm revoltën e rinisë dhe të qytetarëve në Shtetin Amë, në Shqipëri.
Rinia shqiptare është ngritur kundër keqpërdorimit dhe shpërfilljes së saj nga elitat e korruptuara politike dhe ekonomike.
Ajo e bën përgjegjëse qeverinë aktuale të Edi Ramës, si dhe dyshen Rama–Berisha, për plaçkitjen e pasurisë kombëtare, për shkatërrimin e natyrës dhe për dëmtimin e trojeve të mrekullueshme shqiptare.
Ajo i bën përgjegjëse dyshen Rama–Berisha, si edhe elitat politike të sotme dhe të së kaluarës, për shkatërrimin nga themelet të shtetit shqiptar, duke e bërë jetën të papërballueshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Këto politika kanë zbrazur Shqipërinë nga rinia e saj e mrekullueshme, duke e detyruar atë të kërkojë mundësi dhe shpresë larg Atdheut.
Sot, Rinia Shqiptare ka vendosur të mos largohet. Ajo po përballet me guxim me padrejtësitë, me shtypjen dhe me shfrytëzimin e pamëshirshëm që, sipas saj, përfaqësohet nga dyshja Rama–Berisha. Ajo synon ta largojë këtë dyshe dhe klikat e saj nga drejtimi i vendit, duke ua pamundësuar vazhdimin e dëmtimit të interesave kombëtare.
Lidhja i bën thirrje Diasporës Shqiptare të shndërrohet në një trup të organizuar dhe të bashkuar kombëtar, të gatshëm të veprojë sa herë që e kërkon interesi i Atdheut dhe të përgjigjet pa hezitim ndaj çdo thirrjeje që vjen nga Shqipëria dhe çështja kombëtare.
Lidhja i bën thirrje Diasporës Shqiptare të organizohet dhe bashkohet që të jetë gati për ditët si kjo e sotmja dhe t’i përgjigjet thirrjes së Atdheut.
13 qershori është dita e protestës së madhe të Diasporës në Tiranë.
Ashtu siç mblidhemi çdo 28 Nëntor në Vlorë për të nderuar historinë dhe flamurin tonë kombëtar, t’i përgjigjemi edhe kësaj thirrjeje të Atdheut dhe të jemi së bashku në Tiranë.
Rroftë Atdheu!
Rroftë Rinia Shqiptare!
Rroftë Shqipëria!