22/08/2026
Nuk dua të merrem fare me një kriminel të rëndomtë si ky tipi.
Nuk dua as ta gjykoj, sepse atë gje e bë gjykata dhe Perëndia.
Ajo që vërtet më shqetëson është se ky vendi ynë i vogël është plot me “Sokratë” (Zot na ruaj! Po ta dinte Sokrati i vërtetë ç’emër mban ky, nuk do të pushonte së rrotulluari në varr).
Këta Sokratë, të mësuar me paranë e thjeshtë, i gjen kudo nëpër rrugët e vendit tonë të vogël. E kanë gjakun në sy; të vrasin për një parkim, sepse i pe, sepse i fole apo sepse i parakalove me makinë.
Pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz që kanë studiuar, sakrifikuar dhe krijuar familje, zgjedhin të ulin kokën dhe t’u hapin rrugë. Kështu, Sokratëve jeta u shkon si vaj mbi petulla, ndërsa qytetarët e zakonshëm mësohen të jetojnë me frikë dhe të shmangin përplasjet.
Por ndodh që një ditë, ndoshta nën efektin e drogës, ndoshta të alkoolit, thika që mbahej për të imponuar respekt apo për t’i hapur rrugë vetes, përdoret vërtet. Dhe në atë moment as shokët policë nuk mund t’i mbyllin më sytë. Sokrati përfundon në burg.
Pikërisht aty shfaqet fytyra e tij e vërtetë. Si legen që janë, gjejnë një mijë alibi për të provuar se nuk janë fajtorë, se janë penduar, se kanë ndryshuar. Por, në të vërtetë, Sokratët nuk pendohen.
Ata thjesht veshin maskën e pendesës sepse u leverdis. Dhe më pas, pas pesëmbëdhjetë apo njëzet vitesh, kur dalin nga burgu me edhe më pak për të humbur, dalin që të marrin në qafë viktimën e radhës.