17/10/2026
LETËR E HAPUR DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË DHE DREJTORIT TË POLICISË SË TIRANËS
Pesë ditë. Dhjetëra video. E njëjta skenë, përsëri e përsëri: të rinj të rrëzuar në tokë, që vazhdojnë të goditen. Ditën e pestë goditen edhe me plumba gome.
M. S, 21 vjeç, qëndronte i qetë pranë Ministrisë së Arsimit. Sot është në spital me kafkë dhe shtyllë kurrizore të thyer, dhe nuk kujton çfarë i ka ndodhur. Pas goditjes, u mbajt tri orë në komisariat, derisa familja thirri vetë ambulancën.
Një 19 vjeçar bartet me këmbën e thyer që i lëkundet. Një student i përgjakur lidhet me pranga pas kangjellave, para syve të të gjithëve. Një polic i vë dorën në fyt një adoleshenti. Një nënë bërtet: "Është fëmijë, mos e godit!" Policë me rroba civile fusin të rinj me forcë në furgonë.
Kjo nuk është forcë e ligjshme. Forca e ligjshme ndal një rrezik. Goditja e dikujt që është tashmë në tokë nuk ndal asgjë: ajo ndëshkon. Dhe ndalimi i torturës e i trajtimit çnjerëzor nuk ka përjashtime, as në ditët më të vështira.
Nuk e mohojmë dhunën ndaj policëve. Ajo duhet ndjekur sipas ligjit. Por pikërisht kur turma është e dhunshme, shteti duhet të dallohet prej saj.
Sot iu drejtuam publikisht drejtuesve të Policisë me të paktën 35 raste të rënda të dokumentuara. Kërkojmë:
🔹 informacion të plotë për masat e marra ndaj efektivëve
🔹 identifikim të dukshëm të çdo polici në tubime
🔹 ruajtjen e menjëhershme të të gjitha regjistrimeve
🔹 masa sistemike, jo vetëm pezullime pasi një video bëhet virale
Dhe u kujtojmë se përgjegjësia penale nuk ndalet te polici që godet. Ajo shtrihet te kolegët që nuk ndërhyjnë, te drejtuesit që urdhërojnë ose tolerojnë, dhe deri te ata që, duke ditur, nuk e ndalojnë.
📄 Letra e plotë:https://www.respublica.org.al/wp-content/uploads/2026/10/Leter-e-hapur-Policia-e-Shtetit-dhuna-13-17-tetor-2026-final.pdf
📩 Nëse keni qenë viktimë ose dëshmitarë të dhunës policore këto ditë, na shkruani në privat. Na dërgoni datën, orën, vendin, çfarë ndodhi, dhe video ose foto nëse keni. Asgjë nuk publikohet pa lejen tuaj. Avokatët tanë do t'ju ndihmojnë hap pas hapi.
Shpërndajeni. Çdo dëshmi ka rëndësi.