paMUR është një nismë e re artistike në formë qendre, që synon të nxisë dhe të promovojë krijimtarinë artistike në fushën e arteve pamore, duke pasur si qëllim një bashkëpunim të gjerë dhe sa më cilësor me të gjithë ata njerëz të artit (artistë, studiues, kuratorë, menaxherë etj.) që janë të interesuar për një klimë sa më produktive artistike, pa ato klishe, konvencione apo stereotipa që më shumë
se çdo gjë tjetër shkaktojnë ndasi dhe ngërçe të cilat përkthehen si mure penguese dhe ndarëse; prandaj dhe, kjo qe një nga arsyet kryesore që edhe nisma jonë e mori emrin paMUR. Ka kohë që në skenën e artit pamor në kryeqytet e më gjerë, ka një ndarje si me thikë të zonave të influencës, ku secili grupim mjaftohet e gëzohet me atë që bën, pa pasur pothuajse asnjë interes të mirëqenë për ta njohur tjetrin nga afër e për t’u shkëmbyer me të. Është një klimë e atillë, saqë të bëhet të besosh se secili e ka ndarë mendjen një herë e mirë se ç’është arti e çfarë duhet bërë, dhe për pasojë nuk ka kohë për të humbur me tjetrin! Në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë jemi të bindur tanimë, sikurse dëshmon edhe historia e artit botëror, se vlerën apo mungesën e saj tek një vepër e përcakton koha më drejtë e më mirë se kushdo; kështu që, ajo që na mbetet ne është të bëjmë shkaqet për të arritur më të mirën e mundshme. Por, në këtë drejtim, mendojmë se pengesa më e madhe janë pikërisht muret për të cilët po bëjmë fjalë, ku më konkretisht akoma dhe në veçanti është fjala për muret në mënyrën e të menduarit, që më pas bëhen edhe mure konkrete, gjeofizike.