29/10/2026
Parlamenti përfaqëson qytetarët dhe ka monopolin e procesit ligjvënës. Në simbolikën e tij në sistemet demokratike parlamenti quhet “Tempull i demokracisë”. Shqipëria mbetet një demokraci hibride, ku progresi demokratik bashkëjeton me pengesa dhe mangësi në jetësimin e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) e monitoron parlamentin dhe vazhdimisht ka kërkuar prej tij reflektim nga gabimet e kaluarës dhe aplikimin e standardeve sa më të përafërta me vendet anëtare në BE. Mbi të gjitha, transparencë, konsultim, debat demokratik, llogaridhënie, kontroll të ekzekutivit, garanci për më shumë demokraci dhe shtet të së drejtës.
Shqipëria është prej disa muajsh në situatë proteste dhe mosbesimit të thellë midis qytetarëve dhe politikës. Në vend që parlamenti të trajtojë me seriozitet institucional problematikat dhe rrugëzgjidhjet, ai ke hequr dorë nga roli primar kushtetues në demokraci: nuk ka debat mbi krizën as rrugëzgjidhjet, nuk ka komisione hetimore dhe as llogaridhënie të qeverisë, nuk ka nisma ligjore reflektuese dhe as qasje konstruktive në diskutimet parlamentare.
Sot ishte show i radhës, incidente, akuza, votime pa debat dhe vendimmarrje në funksion të nevojave emergjente të ekzekutivit pa transparencë dhe llogaridhënie. Një tregues tjetër që i jep të drejtë mosbesimit qytetar ndaj elitës politike dhe parlamentit, sidomos brezit më të ri, i cili mbetet edhe brezi më i hapur, më europian dhe më aktiv në artikulimin e frymës antikorrupsion dhe ideve zhvillimore në Shqipëri.
Koha për politikë të pastër, llogaridhënie, transparencë, integritet dhe rol kushtetues të Kuvendit të RSH, sfidë që përbën edhe fokusin e angazhimit të ISP.
National Endowment for Democracy
Kuvendi i Shqipërisë