13/12/2025
🎉Në mbrëmjen e dates 12 dhjetor u zhvillua festa mbyllëse e aktiviteteve të vitit 2025. Në këtë aktivitet, që përkon me 20 vjetorin e themelimit të Organizatës Shqiptare të Sommelerisë, pjesmarrësit ishin të numërt e na nderuan me praninë e mbështetjen e tyre.
🍷Në fjalën e rastit për këtë aktivitet, presidenti i shoqatës, z. Dashamir Elezi, shprehu rrugëtimin 20 vjeçar që nga themelimi, vështirësitë e fillimit e të shpjegimit të konceptit Sommelier. Gjithashtu, ai foli për trajnimet dhe aktivitetet didaktike në dobi të restoranteve, në krijimin e figurave të para të sommelierisë vendase, koordinimet e bashkëpunimet me institucione e profesionistë vendas e të huaj, pjesmarrje të vazhdueshme në të gjitha konkurset ndërkombëtare.
🇦🇱Sommelieria Shqiptare ka qënë pjesë shumë aktive e shoqërisë që në fillesat e saj, duke përkrahur profesionalisht verëprodhuesit vendas, duke këshilluar e mbështetur institucionet ligjvënëse e zbatuese në dobi të sektorit e të markës shqiptare.
Pavarësisht vështirësive e pengesave të hasura gjatë këtyre 20 viteve, Sommelieria Shqiptare ka forcuar pozitat e saj në nivel kombëtar e ndërkombëtar si i vetmi institucion i besueshëm në fushën e saj.
Këtë e demostron edhe fakti i qindra anëtarëve të çertifikuar prej saj, masterclass-e të panumërt të zhvilluar në nivelet më të larta të fushës brenda e jashtë vendit si dhe bashkëpunimet me kritikët, profesionistët e shoqatat më të spikatura ndërkombëtare.
🏆Suksesi i O SH S është sukses i të gjithë anëtarëve dhe mbështetesve të saj, qofshin prodhuesit më të njohur e cilësorë vendas, ashtu dhe importues e distributorët më të konsoliduar në treg.
Falë bashkëpunimeve, mbështetjes së tyre e këmbënguljes tonë, Shqipëria tashmë është pjesë e OIV, pjesë e ASI, pjesë e publikimeve e shkrimeve të kritikëve me prestigjozë botërorë.
Falenderojmë përzemërsisht të gjithë anëtarët kontribues ndër vite tek Sommelieria Shqiptare, institucionet të cilat kanë bashkëpunuar me ne, Trupën Diplomatike e cila ka mbështetur nismën tonë si dhe çdo shoqatë apo Ent që vijon të jetë pjesë aktive me ne, në fushën e verëtarise dhe shërbimit.
Gëzuar 20 vjetorin O SH S🇦🇱🥂