31/08/2026
20 shkolla me kamera "inteligjente".
Por a bëhet shkolla më e sigurt kështu?
Kryeministri njoftoi sot se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente dhe se ky proces do të shtrihet në çdo shkollë në vend. Sipas tij, kjo është përmbushja e një zotimi pas tragjedisë së rëndë ku humbi jetën i mituri Martin Cani, pasi kamerat e vjetra nuk ndihmuan për të kuptuar dinamikën e ngjarjes.
Kamerat e reja, sipas njoftimit, janë vendosur po aty ku ishin të vjetrat, por ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin, por edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë dhe vetë Policinë e Shtetit.
Dhe këtu lindin pikërisht shqetësimet tona më të mëdha.
Së pari, çfarë do të thotë "inteligjente" dhe "sinjalizim në kohë reale"?
Nëse bëhet fjalë për njohje fytyre, analizë të sjelljes, emocioneve, apo grumbullimit të fëmijëve, atëherë ne nuk flasim më për siguri, por për survejim biometrik të fëmijëve.
Një praktikë që në Bashkimin Evropian është e ndaluar me ligj në shkolla, pikërisht për shkak të Aktit për Inteligjencën Artificiale.
Edhe në SHBA, shteti i New York-ut e ka ndaluar përdorimin e teknologjisë biometrike në shkolla.
Së dyti, teknologjia nuk e zëvendëson njeriun që dështoi. Nëse oficeri i sigurisë, drejtoria dhe Policia nuk reaguan në kohë kur kishin prova, pse duhet të besojmë se do të reagojnë tani sepse i sinjalizon një algoritëm?
Kush e garanton që sinjali nuk do të fshihet apo injorohet prapë?
Pa transparencë, kamera është vetëm një sy që regjistron, jo një dorë që mbron.
Ne nuk jemi kundër sigurisë se femijeve.
Jemi kundër idesë që siguria barazohet me kamera.
Një shkollë e sigurt ka nevojë për:
- Psikologë dhe punonjës socialë të pranishëm, jo vetëm kamera që i shohin;
- Oficerë sigurie të trajnuar dhe të përgjegjshëm;
- Rregullore të qartë: kush i sheh pamjet, ku ruhen, për sa kohë ruhen dhe kush ka akses?
A kanë dhënë pëlqim prindërit?
Ju si prindër, a jeni pyetur?
A e dini se çfarë filmojnë dhe analizojnë këto kamera për fëmijën tuaj?
Siç tha Kryeministri, "teknologjia në shërbim të njeriut".
Ne shtojmë: vetëm nëse njeriu pas teknologjisë është i përgjegjshëm dhe i kontrollueshëm nga prindërit dhe ligji.
Në të kundërt, rrezikojmë të rrisim fëmijë që ndihen të vëzhguar, jo të mbrojtur.