Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Call Directions Website Contact the organization

Komiteti Shqiptar i Helsinkit AHC is the first organization for the protection of human rights in Albania, founded in 1990 by a group of Albanian intellectuals.

AHC believes in and works to achieve a phase of development of the Albanian society whereby citizens, in spite of their peculiarities or differences, freely and equally exercise their fundamental rights and freedoms, in keeping with constitutional and international standards, in all aspects of life. AHC believes that progress in the protection, promotion and implementation of human rights is realized through constructive engagement and collaboration among citizens, as well as between them and other public, private, and non-profit institutions that believe in this vision.

📢 Deklaratë për Shtyp - KShH shpreh shqetësime serioze për pretendimet për dhunë policore ndaj protestuesve, veçanërisht...
18/10/2026

📢 Deklaratë për Shtyp - KShH shpreh shqetësime serioze për pretendimet për dhunë policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, dhe shkeljen e të drejtave të personave të privuar nga liria.

📌 Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të protestave të ditëve të fundit në Tiranë, shpreh shqetësimin e thellë për pretendimet për përdorim të dhunës nga punonjësit e Policisë së Shtetit, veçanërisht ndaj të miturve, si dhe për respektimin e të drejtave dhe garancive procedurale të personave të privuar nga liria. KShH shpreh gjithashtu shqetësim për aktet e dhunës, zjarrvënies dhe dëmtimit të institucioneve publike gjatë protestave.
KShH rikujton se e drejta për tubim paqësor është një e drejtë themelore, jo një privilegj që u jepet qytetarëve nga autoritetet. Dhuna nuk duhet të jetë përgjigje ndaj protestës, as mjet i ushtrimit të saj.

Asnjë akt dhune nuk është i pranueshëm, pavarësisht se nga kush ushtrohet. Megjithatë, autoritetet shtetërore kanë përgjegjësi të posaçme për garantimin e ligjshmërisë, mbrojtjen e jetës, integritetit fizik dhe dinjitetit të çdo qytetari.
Nga monitorimi i realizuar më 16 tetor 2026, në Bllokun e Dhomave të Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, KShH konstatoi kushte të papërshtatshme dhe mbipopullim të ambienteve, ku në dhoma të projektuara për një person mbaheshin tre deri në katër persona, kryesisht të mitur. Mungesa e shtretërve, dyshekëve dhe pajisjeve të përshtatshme për fjetje ngre shqetësime serioze për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe standardeve të trajtimit të personave të privuar nga liria.

Veçanërisht shqetësuese janë pretendimet e të arrestuarve për ushtrim dhune fizike gjatë arrestimit dhe pas shoqërimit në ambiente të përdorura nga policia. Disa të mitur kanë deklaruar se janë goditur nga punonjës të policisë, ndërkohë që monitoruesi i KShH-së ka konstatuar dëmtime fizike të dukshme në disa raste. Një prej të miturve u dërgua për herë të dytë në Spitalin e Traumës gjatë monitorimit.
Këto konstatime, të kombinuara me dëshmitë e personave të privuar nga liria, kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv, pa paragjykuar përgjegjësinë e personave të përfshirë. Hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te punonjësit që dyshohet se kanë ushtruar drejtpërdrejt dhunë, por duhet të shqyrtojnë edhe përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve dhe të zinxhirit komandues, në përputhje me kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore.

Gjithashtu, personat e intervistuar ngritën pretendime për pamundësi komunikimi me familjarët dhe avokatët, mungesë të kujdesit të duhur shëndetësor, si dhe raste të pyetjes së të miturve pa praninë e psikologut. Këto rrethana kërkojnë verifikim të posaçëm në përputhje me garancitë e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
KShH rikujton se liria e shprehjes dhe e tubimit paqësor janë të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Çdo ndërhyrje e autoriteteve duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.

Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut, ndërsa privimi nga liria i fëmijëve duhet të zbatohet vetëm si masë e fundit dhe për kohën më të shkurtër të përshtatshme. Fëmijët janë bartës të të drejtave dhe jo thjesht përfitues të mbrojtjes nga të rriturit. Në përputhje me nenet 3, 13, 15 dhe 37 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, atyre duhet t’u garantohet respektimi i interesit më të lartë, liria e shprehjes, e drejta për tubim paqësor dhe mbrojtja nga trajtimi çnjerëzor ose poshtërues, duke marrë parasysh moshën dhe pjekurinë e tyre.

KShH thekson se, ndonëse çdo akt dhune gjatë protestave duhet të hetohet dhe autorët e tij të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit, përgjegjësia e autoriteteve shtetërore është e një natyre të veçantë. Asnjë akt dhune nga individë të përfshirë në protesta nuk mund të shërbejë si justifikim për ndëshkimin kolektiv, përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve apo cenimin e të drejtave të personave të ndaluar. Veprimet e dhunshme të individëve nuk e zhveshin automatikisht një tubim nga karakteri i tij paqësor dhe nuk justifikojnë kufizimin e përgjithshëm të të drejtave të pjesëmarrësve të tjerë.
Në këtë kontekst, KShH u bën thirrje:

A) Prokurorisë kompetente dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë me përparësi pretendimet për dhunë dhe keqtrajtim, veçanërisht ndaj të miturve, duke garantuar administrimin dhe ruajtjen e provave, përfshirë regjistrimet filmike, dokumentacionin e ndalimeve dhe raportet mjekoligjore, si dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe të mundshme në zinxhirin komandues.

B) Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve në dhomat e sigurisë, garantimin e kujdesit shëndetësor dhe respektimin e të drejtave procedurale të personave të arrestuar.

C) Organeve proceduese të garantojnë mbrojtjen e posaçme të të miturve, respektimin e interesit të tyre më të lartë dhe zbatimin e garancive ligjore gjatë çdo veprimi procedural, duke siguruar aksesin te përfaqësuesi ligjor, komunikimin me familjarët dhe praninë e profesionistëve të kërkuar nga ligji.

D) Autoriteteve përgjegjëse të sigurojnë transparencë mbi numrin e personave të ndaluar dhe të arrestuar gjatë protestave, përfshirë të miturit, kushtet e mbajtjes së tyre dhe masat e marra për garantimin e të drejtave, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë

E) Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo akt dhune, zjarrvënieje apo dëmtimi të pronës publike dhe private, të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve dhe të tregojnë kujdes të veçantë për sigurinë e fëmijëve.

F) Autoriteteve ligjzbatuese u kërkohet të hetojnë aktet e dhunës dhe dëmtimit të institucioneve publike, përfshirë institucionet e drejtësisë, duke individualizuar përgjegjësinë dhe pa cenuar të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.

KShH rithekson se ruajtja e rendit publik nuk mund të justifikojë përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës dhe cenimin e dinjitetit njerëzor. Mbrojtja e jetës, integritetit fizik dhe të drejtave të fëmijëve përbën detyrim parësor të autoriteteve shtetërore.
Respektimi i të drejtave themelore në situata tensioni shoqëror është një provë e rëndësishme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Detyrimi i institucioneve nuk kufizohet te ruajtja e rendit publik, por përfshin edhe parandalimin e abuzimeve, hetimin efektiv të shkeljeve dhe garantimin e llogaridhënies në çdo nivel.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit do të vijojë monitorimin e situatës dhe ndjekjen e reagimit institucional, duke kërkuar respektimin e të drejtave themelore, transparencë dhe llogaridhënie për çdo shkelje të mundshme.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktet e dhunës dhe përplasjet e ndodhura gja...
13/10/2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktet e dhunës dhe përplasjet e ndodhura gjatë protestës së sotme në Tiranë, të cilat, sipas informacioneve të raportuara, dhe vëzhguesve tanë në terren, kanë sjellë lëndimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, protestueve dhe gazetarëve që po pasqyronin zhvillimet.

KShH dënon çdo akt dhune, pavarësisht autorit apo personit ndaj të cilit ushtrohet, dhe u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

E drejta e tubimit paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Autoritetet shtetërore kanë detyrimin jo vetëm të mos pengojnë ushtrimin e këtyre të drejtave, por edhe të marrin masa konkrete për garantimin e tyre, duke mbrojtur njëkohësisht sigurinë dhe integritetin fizik të të gjithë personave të pranishëm.

KShH thekson se aktet e dhunës të kryera nga individë të caktuar nuk mund të shërbejnë si justifikim për trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm.

Nga ana tjetër, ushtrimi i së drejtës së protestës nuk legjitimon përdorimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë, gazetarëve apo personave të tjerë, si dhe veprime që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e tyre.

Në këtë kontekst, KShH rikujton se çdo përdorim i forcës nga Policia e Shtetit duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Përdorimi i mjeteve të shpërndarjes së turmës duhet të jetë i justifikuar nga rrethanat konkrete, duke u dhënë përparësi masave që shmangin lëndimet dhe përshkallëzimin e tensioneve.

Shqetësim të veçantë përbëjnë raportimet për lëndimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës. Gazetarët duhet të kenë mundësi të raportojnë lirshëm dhe në kushte sigurie, pa u bërë objekt dhune, kërcënimi apo pengimi, nga cilado palë.

KShH u kërkon institucioneve përgjegjëse të dokumentojnë dhe verifikojnë në mënyrë të plotë e të paanshme të gjitha incidentet, përfshirë rrethanat e lëndimit të protestuesve, punonjësve të policisë dhe gazetarëve. Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës, si edhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të policisë apo personave të tjerë, duhet të hetohet në mënyrë efektive dhe të pavarur, duke garantuar përgjegjësi individuale dhe shmangur çdo formë pandëshkueshmërie.

KShH u bën thirrje gjithashtu autoriteteve të garantojnë transparencë për masat e ndërmarra, personat e shoqëruar apo të ndaluar, nëse ka të tillë, dhe respektimin e plotë të të drejtave të tyre procedurale, përfshirë të drejtën e informimit, ndihmës juridike dhe trajtimit dinjitoz.

Ruajtja e rendit publik dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk janë objektiva që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, respektimi i këtyre të drejtave është kusht themelor për menaxhimin demokratik të protestave dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve te institucionet.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit apelon për shmangien e çdo forme dhune, garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve dhe të punonjësve të medias, si dhe për një reagim institucional që synon uljen e tensioneve dhe jo përshkallëzimin e tyre.

https://ahc.org.al/deklarate-per-shtyp-komiteti-shqiptar-i-helsinkit-shpreh-shqetesim-per-dhunen-gjate-protestes-studentore-dhe-ben-thirrje-per-permbajtje-proporcionalitet-dhe-respektimin-e-te-drejtave-themelore/

PREZANTIMI I RAPORTIT ‘’MONITORIMI I AKSESIT NË TË DREJTAT SOCIALE DHE EKONOMIKE TË TË HUAJVE – PËRFSHIRJA E TË HUAJVE N...
09/10/2026

PREZANTIMI I RAPORTIT ‘’MONITORIMI I AKSESIT NË TË DREJTAT SOCIALE DHE EKONOMIKE TË TË HUAJVE – PËRFSHIRJA E TË HUAJVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR”

Me datë 8 Tetor 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi një tryezë diskutimi mbi aksesin e shtetasve të huaj në të drejtat sociale dhe ekonomike në Shqipëri. Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Znj. Elsa Toska, ndërsa raporti i monitorimit u prezantua nga ekspertja e KShH-së Znj. Enida Sena.

Gjetjet e monitorimit janë hartuar nga ekspertët mbi bazën e informacionit të mbledhur nga institucionet publike përgjegjëse, disa prej të cilave ishin të pranishme dhe kontribuuan aktivisht në diskutimet gjatë tryezës. Diskutimet u pasuruan nga ndërhyrjet e ekspertëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët shprehën mendimet dhe sugjerimet e tyre, mes të cilëve Znj. Irena Mitro Përgjegjëse e Sektorit të Politikave të Përfshirjes Sociale në Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Znj. Mimoza Morina Ndihmës/Komisionere te Avokati i Popullit, Z. Rezar Velmishi Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Znj. Rovena Sulstarova Drejtore e Përgjithshme e së Drejtës për Informim, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe Znj. Esmeralda Sulaj Specialiste Projektesh pranë Komsionerit per Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Raporti evidenton se megjithë progresin në harmonizimin e kuadrit ligjor me acquis të BE-së, zbatimi i tij në praktikë përballet me sfida që lidhen me punësimin informal, rrezikun e shfrytëzimit ekonomik, barrierat gjuhësore dhe fragmentimin e të dhënave statistikore mbi migracionin.

Në këtë tryezë u prezantua edhe dokumenti i politikave “Nga kuadri ligjor te realiteti i zbatimit - Një analizë krahasuese e të drejtave dhe integrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri’’, i cili vë në dukje nevojën për koordinim më të mirë ndërinstitucional dhe mekanizma më efektivë për informimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të huaj.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Përfshirja e të huajve në Ballkanin Perëndimor – aksesi në të drejtat sociale dhe ekonomike (FOSTER)”, i cili zbatohet nga 7 organizatat përbërëse të Këshillit Ballkanik për Refugjatët dhe Migracionin (BMRC) dhe Këshillit Danez për Refugjatët (DRC), me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) nëpërmjet korrespondentit  Z. Ymer Leksi, zhvilloi një takim me përfaqësuesen e Bas...
05/10/2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) nëpërmjet korrespondentit Z. Ymer Leksi, zhvilloi një takim me përfaqësuesen e Bashkisë Elbasan, Znj. Dorina Kaja Rroseni, Drejtoreshë e Shërbimeve Sociale dhe Arsimit, ku prezantoi gjetjet e raportit "Harta e Rrezikut të Korrupsionit: Përvojat e Qytetarëve me Korrupsionin në Shqipëri”, në kuadër të projektit “Cultivating Civic Action Against Corruption in Albania”, mbështetur financiarisht nga International Foundation for Electoral Systems (IFES), .

Gjatë takimit u diskutua mbi përvojat e qytetarëve në ndërveprimin me shërbimet publike, me fokus të veçantë te shërbimet sociale dhe administrata vendore në Elbasan, si dhe mbi rreziqet e korrupsionit të identifikuara nga qytetarët.
Gjetjet evidentojnë nevojën për më shumë transparencë, informacion të aksesueshëm, mekanizma efektivë ankimimi, forcim të kontrollit të brendshëm dhe ulje të diskrecionit administrativ*, veçanërisht për grupet në nevojë.

📄 Në përfundim, KShH i dorëzoi Bashkisë Elbasan një kopje të raportit, me qëllim nxitjen e diskutimit dhe forcimin e masave parandaluese ndaj korrupsionit në nivel vendor.

Takim me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave PersonaleMë 29 shtator 2026, Komite...
05/10/2026

Takim me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Më 29 shtator 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) zhvilloi një takim me znj. Rovena Sulstarova, Drejtore e Përgjithshme e të Drejtës për Informim pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP).

Në kuadër të projektit “Cultivating Civic Action Against Corruption in Albania”, mbështetur financiarisht nga International Foundation for Electoral Systems (IFES), ekspertja kushtetuese znj. Elsa Toska prezantoi “Raportin e Hartës së Rrezikut të Korrupsionit”.

Raporti është hartuar mbi bazën e 80 intervistave të zhvilluara me qytetarë në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Elbasan dhe synon të evidentojë sektorët dhe proceset më të ekspozuara ndaj rreziqeve të korrupsionit, si dhe faktorët që mund të krijojnë hapësira për shfaqjen e praktikave korruptive. Gjetjet e raportit ofrojnë një bazë të rëndësishme për hartimin e masave parandaluese më të targetuara dhe të politikave publike të mbështetura në evidencë.
Një pjesë e rëndësishme e rekomandimeve të raportit lidhet me zgjerimin e ofrimit të shërbimeve digjitale në sektorët me rëndësi të veçantë për qytetarët, rritjen e transparencës së institucioneve publike, si dhe forcimin e aksesit në informacion dhe në dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e shërbimeve nga administrata publike. Këto masa synojnë, ndër të tjera, reduktimin e hapësirave për praktika korruptive dhe forcimin e marrëdhënies së qytetarëve me administratën publike.

Në këtë kontekst, gjatë takimit u shkëmbyen informacione edhe mbi punën e Zyrës së Komisionerit në sektorë të vlerësuar me risk të shtuar sa i përket nivelit të transparencës. Në diskutim u përmendën, ndër të tjera, institucionet e shëndetit publik në nivel rajonal, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Një tjetër çështje e trajtuar gjatë takimit ishte lobimi, në kuadër të kompetencave të shtuara të institucionit sipas legjislacionit për lobimin. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e njohjes dhe formalizimit të procesit të lobimit, si dhe e evidentimit dhe publikimit të informacionit mbi aktivitetet lobuese. Transparenca mbi interesat dhe aktorët që synojnë të ndikojnë në proceset vendimmarrëse publike përbën një element të rëndësishëm për rritjen e llogaridhënies, transparencës së vendimmarrjes dhe parandalimin e korrupsionit.

Në përfundim të takimit, u theksua rëndësia e vijimit të shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile. Një bashkëpunim i tillë kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, forcimin e aksesit të qytetarëve në informacion dhe parandalimin e korrupsionit, në funksion të interesit publik.

KËRKESË PËR OFERTËSUBJEKT TREGTAR QË OFRON SALLË PËR MBLEDHJE, PUSHIM KAFEJE DHE DREKË PËR ZHVILLIMIN E TRYEZËS SË DIALO...
30/09/2026

KËRKESË PËR OFERTË

SUBJEKT TREGTAR QË OFRON SALLË PËR MBLEDHJE, PUSHIM KAFEJE DHE DREKË PËR ZHVILLIMIN E TRYEZËS SË DIALOGIMIT KOMBËTAR DHE MONITORIMIT ADVOKUES DATË 8 DHE 14 TETOR 2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në kuadër të zbatimit të nismës “Përfshirja e të huajve në Ballkanin Perëndimor - Qasja në të Drejtat Sociale dhe Ekonomike (FOSTER)”, të zbatuar në bashkëpunim më organizatat e tjera anëtare të Këshillit Ballkanik për Refugjatët dhe Migracionin (BRMC) dhe Këshillin Danez për Refugjatët (DRC), mbështetur nga Bashkimi Europian, hap thirrjen për përzgjedhjen e një subjekti tregtar i cili ofron për dy ditë përkatësisht datë 8 dhe 14 Tetor shërbimet e mëposhtme:

1. Qira salle për mbledhje për gjysëm dite (mikrofonë, sistem audio, projektor ose monitor për prezantime, internet Wi-Fi, flip chart,)
2. Pushim kafeje për (+/-) 25 persona për secilën ditë të aktiviteteve, pra total rreth (+/-)50 persona për dy ditët e aktiviteteve.
3. Drekë të shtruar për (+/-) 25 persona për secilën ditë të aktiviteteve, pra total rreth (+/-)50 persona për dy ditët e aktiviteteve.
4. Shishe uji ne tryezë (+/-) 25 persona për secilën ditë të aktiviteteve, pra total rreth (+/-)50 persona për dy ditët e aktiviteteve.

KShH fton të gjitha subjektet e interesuara që të dërgojnë në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së [email protected], deri në datën 05.10.2026 dokumentacionin e mëposhtëm:

1. Ofertën financiare në Euro në formatin kosto për qiranë e sallës dhe pajisjeve mbështetëse për gjysmë dite për secilin prej aktiviteteve
2. Ofertën financiare në Euro në formatin kosto për person për coffee break (bashkëngjitur ofertës menunë e propozuar) për (+/-) 50 persona total
3. Ofertën financiare në Euro në formatin kosto për person për drekë (bashkëngjitur ofertës dhe menunë e popozuar) për (+/-) 50 persona total
4. Ofertën financiare në Euro në formatin kosto për person për sherbimin e ujit ne tryezë gjatë dy aktiviteteve
4. Vlera e ofertës duhet të llogaritet nga subjektet e interesuara me TVSh të përfshirë në çmim (VAT included). Në rast se subjekti përjashtohet nga aplikimi i TVSh duhet të paraqesi dokumentacionin provues bashkëngjitur ofertës së propozuar.

https://ahc.org.al/kerkese-per-oferte-subjekt-tregtar-qe-ofron-salle-per-mbledhje-pushim-kafeje-dhe-dreke-per-zhvillimin-e-tryezes-se-dialogimit-kombetar-dhe-monitorimit-advokues-date-8-dhe-14-tetor-2026/

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të zbatimit të projektit “Përfshirja e të Huajve në Ballkanin Perëndimor...
24/09/2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të zbatimit të projektit “Përfshirja e të Huajve në Ballkanin Perëndimor – Qasja në të Drejtat Sociale dhe Ekonomike (FOSTER)”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka hartuar Raportin e monitorimit te aksesit në të drejtat sociale dhe ekonomike të të huajve - Përfshirja e të huajve në Ballkanin Perëndimor.

📌 Raporti vlerëson kuadrin ligjor, praktikën institucionale dhe zbatimin në praktikë të të drejtave të shtetasve të huaj, me fokus te aksesi në:
1. Punësim dhe sigurime shoqërore;
2.Arsim;
3. Kujdes shëndetësor;
4. Mbrojtje sociale dhe shërbime publike;
5. Informacion dhe mbështetje institucionale.

Monitorimi evidenton se Shqipëria ka bërë përparim në krijimin e kuadrit ligjor dhe institucional për menaxhimin e migracionit dhe garantimin e të drejtave të shtetasve të huaj. Megjithatë, zbatimi praktik i këtyre të drejtave vijon të përballet me sfida, të lidhura ndër të tjera me statusin e qëndrimit, procedurat administrative, barrierat gjuhësore, mungesën e informacionit dhe koordinimin ndërinstitucional.

📊 Raporti evidenton gjithashtu nevojën për përmirësimin e statistikave dhe sistemeve të të dhënave, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e politikave më të qëndrueshme për integrimin social dhe ekonomik të shtetasve të huaj.

👉 Gjetjet e raportit synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e zbatimit të të drejtave dhe shërbimeve për shtetasit e huaj në Shqipëri, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ju ftojmë të njiheni me gjetjet e plota të raportit duke lexuar materialin në linkun më poshtë:

https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2026/09/RAPORT-MONITORIMI-I-AKSESIT-NE-TE-DREJTAT-SOCIALE-DHE-EKONOMIKE-TE-TE-HUAJVE-PERFSHIRJA-E-TE-HUAJVE-NE-BALLKANIN-PERENDIMOR.pdf

https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2026/09/REPORT-MONITORING-FOREIGNERS-ACCESS-TO-SOCIAL-AND-ECONOMIC-RIGHTS-INCLUSION-OF-FOREIGNERS-IN-THE-WESTERN-BALKANS-.pdf

📌 Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të zbatimit të projektit “Përfshirja e të Huajve në Ballkanin Perëndim...
24/09/2026

📌 Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të zbatimit të projektit “Përfshirja e të Huajve në Ballkanin Perëndimor – Qasja në të Drejtat Sociale dhe Ekonomike (FOSTER)”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian, ka hartuar dokumentin e politikave:
📄 “Nga kuadri ligjor te realiteti i zbatimit – Një analizë krahasuese e të drejtave dhe integrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri”.
Dokumenti shqyrton ndryshimin e profilit migrator të Shqipërisë, e cila nga një vend kryesisht origjine për emigracionin, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend destinacioni për shtetasit e huaj, për qëllime punësimi, studimi, investimi dhe bashkimi familjar.
Përmes një analize , të përgatitur nga ekspertët e shoqërisë civile pranë Platformës së Monitorimit të KShH-së, dokumenti fokusohet në:
🔹 Kuadrin ligjor - nivelin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe instrumentet ndërkombëtare.
🔹 Zbatimin në praktikë - pengesat dhe sfidat që hasin shtetasit e huaj në aksesin në shërbime publike dhe në të drejtat social-ekonomike, bazuar në pyetësorë të standardizuar dhe intervista me institucione dhe aktorë të ndryshëm.
📌 Dokumenti evidenton se, megjithëse Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në krijimin e kuadrit ligjor dhe institucional, sfida kryesore mbetet kalimi nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre efektiv dhe i parashikueshëm në praktikë.

📌 Dokumentin e plotë me gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni në këtë link:

https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2026/09/DOKUMENT-POLITIKASH-NGA-KUADRI-LIGJOR-TE-REALITETI-I-ZBATIMIT-NJE-ANALIZE-KRAHASUESE-E-TE-DREJTAVE-DHE-INTEGRIMIT-TE-SHTETASVE-TE-HUAJ-NE-SHQIPERI.pdf

https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2026/09/POLICY-PAPER-FROM-LEGAL-FRAMEWORK-TO-THE-REALITY-OF-IMPLEMENTATION-A-COMPERATIVE-ANALYSIS-OF-THE-RIGHTS-AND-INTEGRATION-OF-FOREIGN-CITIZENS-IN-ALBANIA.pdf

THIRRJE PËR INTERNSHIP (PRAKTIKË PROFESIONALE)Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpall njoftimin publik për internshi...
22/09/2026

THIRRJE PËR INTERNSHIP (PRAKTIKË PROFESIONALE)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpall njoftimin publik për internship (praktikë profesionale) per dy-tre praktikantë.
KShH motivon të bëhën pjesë e programit të internship-it (pa të drejtë pagese) studentët e Fakulteteve të Drejtësisë që duan të angazhohen në Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, monitorimin e sistemit të burgjeve në vendin tonë, monitorimin online të veprimatrisë së sistemit gjyqësor dhe të funksionimit të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë etj. Programi i praktikës profesionale (internship) do të zhvillohet pranë zyrave të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për një periudhë 3 mujore me angazhim fizikisht cdo ditë, jo më pak se 4 orë.

Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore që do të ushtrohen gjatë realizimit të internship-it janë:

1. Angazhimi në monitorime të ndryshme në terren me qëllim verifikimin e situatës së të drejtave dhe lirive të shtetasve.
2. Angazhimi si desk-researcher dhe monitorim online i veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, lirinë e medias dhe gjuhën e urrejtjes etj.
3. Asistimi në përgatitjen e materialeve, raporteve kërkimore, shkrimeve etj.
4. Assitimi i stafit në realizimin e aktiviteteve që zbaton organizata.
5. Shpërndarja e publikimeve të prodhuara nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit pranë grupeve të ndryshme të interesit.
6. Angazhimi me detyra të natyrës administrative sipas rastit.
Kandidati ose kandidatja i/e interesuar për këtë pozicion duhet të plotësojë këto kritere:
1. Të jetë duke ndjekur vitin e tretë të Programit të Integruar të Studimeve “Master i Shkencave në Drejtësi” pranë Fakultetit të Drejtësisë.
2. Të ketë mesatare të studimeve mbi 8.0
3. Të njohë mirë anglishten dhe të jetë përdorues shumë i mirë programeve bazë të kompjuterit
4. Të ketë aftësi të mira të komunikimit dhe të punës në grup.

Nëse jeni të interesuar, për më shumë informacion lidhur me mënyrën e aplikimit, lutemi të aksesoni në linkun e mëposhtëm: https://ahc.org.al/thirrje-per-internship-praktike-profesionale-5/

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij, mori pjesë në Tryezën e Konsultimit mbi draft-ra...
21/09/2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij, mori pjesë në Tryezën e Konsultimit mbi draft-raportin e Kontrollit Post-Legjislativ të ligjit nr. 57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë takimit, ekspertja ligjore e KShH-së, Elsa Toska, vlerësoi punën e realizuar në kuadër të procesit të Kontrollit Post-Legjislativ, duke sjellë në vëmendje gjithashtu afatet e gjata për zbatimin e sugjerimeve dhe rekomandimeve të evidentuara në raport.

Në kuadër të projektit Cultivating Civic Action Against Corruption in Albania” mbështetur financiarisht nga International Foundation for Electoral Systems (IFES), ekspertja prezantoi gjithashtu Hartën e Rrezikut të Korrupsionit, e cila bazohet në 80 intervista me qytetarë në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Elbasan. Harta evidenton sektorët dhe proceset më të ekspozuara ndaj rreziqeve të korrupsionit dhe identifikon faktorët që krijojnë mundësi për praktika korruptive, duke ofruar një bazë për masa më të targetuara parandaluese dhe politika të bazuara në evidenca.

KShH vijon të kontribuojë në nxitjen e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare në proceset e hartimit dhe zbatimit të politikave publike.

Address

Rr. Brigada VIII, Pll. Tekno Projekt, Shk. 2, Ap. 10, Kati 6
Tirana
1000

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Komiteti Shqiptar i Helsinkit posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Komiteti Shqiptar i Helsinkit:

Shortcuts

Share