10/07/2026
URDHRI I PUNONJËSVE SOCIALË SHPREH SHQETËSIMIN PËR TRAJTIMIN E PABARABARTË TË PUNONJËSVE SOCIALË NË SHËRBIMIN PSIKO-SOCIAL SHKOLLOR
Urdhri i Punonjësve Socialë, në përmbushje të përgjegjësive të tij ligjore për mbrojtjen e profesionit të punonjësit social, garantimin e standardeve profesionale dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit që rregullon ushtrimin e profesionit, i ka adresuar sot një shkresë zyrtare Ministrisë së Arsimit, përmes së cilës shpreh shqetësimin e tij institucional për trajtimin e pabarabartë të profesionit të punonjësit social në organizimin dhe funksionimin e shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar.
Ky shqetësim nuk lidhet me një rast të izoluar apo me një deklaratë të vetme publike, por me një praktikë të vazhdueshme institucionale, e cila prej vitesh ka krijuar një perceptim të gabuar se shërbimi psiko-social në shkolla identifikohet pothuajse ekskluzivisht me figurën e psikologut, duke lënë në hije profesionin e punonjësit social, kompetencat e tij ligjore dhe rolin e pazëvendësueshëm që ai ushtron në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.
Ky shqetësim u rikthye edhe njëherë në vëmendje pas deklarimeve publike të Zëvendësministres së Arsimit dhe Sportit lidhur me prioritetet për vitin e ri shkollor, ku ndër masat e parashikuara u njoftua rritja e numrit të psikologëve në shkolla, ndërkohë që nuk u bë asnjë referim ndaj punonjësve socialë, megjithëse të dy profesionet përbëjnë në mënyrë të barabartë shërbimin psiko-social sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Për Urdhrin e Punonjësve Socialë kjo nuk përbën vetëm një çështje komunikimi publik. Përkundrazi, ajo është tregues i një filozofie institucionale që po reflektohet në mënyrën e organizimit të shërbimit psiko-social, në planifikimin e burimeve njerëzore dhe në procedurat e rekrutimit, duke krijuar një trajtim objektivisht të pabarabartë ndërmjet dy profesioneve që ligji i konsideron pjesë të të njëjtit shërbim.
Në këtë kuadër, është e rëndësishme të theksohet se Urdhri nr. 313, datë 20.10.2020, "Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit psiko-social në institucionet e arsimit parauniversitar", i ndryshuar me Urdhrat nr. 358/2020, nr.110/2025 dhe nr.483/2025, është shumë i qartë në filozofinë mbi të cilën është ndërtuar shërbimi psiko-social. Në asnjë dispozitë të këtij urdhri nuk ekziston ndonjë ndarje ligjore ndërmjet psikologëve dhe punonjësve socialë, nuk përcaktohen kuota sipas profesionit dhe nuk krijohet ndonjë preferencë institucionale për njërin profil profesional.
Përkundrazi, në të gjithë aktin normativ përdoret në mënyrë të vazhdueshme formulimi "psikologë/punonjës socialë", duke i konsideruar të dy profesionet si komponentë të pandashëm të të njëjtit shërbim. Po kështu, edhe Udhëzuesi për Praktikën e Punës së Shërbimit Psiko-Social Shkollor, i hartuar nga Ministria e Arsimit dhe ASCAP, përcakton qartë se dokumenti paraqet "pikëtakimet dhe ndryshimet" ndërmjet dy profileve profesionale dhe se funksionimi i shërbimit mbështetet mbi bashkëpunimin e tyre dhe jo mbi dominimin e njërit ndaj tjetrit.
Kjo do të thotë se vetë Ministria e Arsimit ka pranuar institucionalisht se psikologu dhe punonjësi social nuk janë profesione konkurruese, por profesione komplementare. Për rrjedhojë, çdo praktikë administrative që prodhon dominimin pothuajse absolut të njërit profil profesional mbi tjetrin bie në kundërshtim me frymën e aktit normativ që vetë Ministria ka miratuar.
Shqetësimi ynë mbështetet gjithashtu edhe në evidenca konkrete të mbledhura nga Urdhri i Punonjësve Socialë. Sipas të dhënave të disponuara prej nesh, aktualisht vetëm rreth 28% e stafit psiko-social në institucionet arsimore përbëhet nga punonjës socialë, ndërsa rreth 72% përbëhet nga psikologë. Ky disproporcion nuk është produkt i nevojave objektive të sistemit arsimor, por rezultat i një praktike të konsoliduar ndër vite, e reflektuar edhe në procedurat e shpalljes së vendeve vakante.
Monitorimet e kryera nga Urdhri kanë evidentuar vazhdimisht procedura rekrutimi ku numri i vendeve të rezervuara për psikologët ka qenë dukshëm më i lartë sesa ai për punonjësit socialë, pavarësisht se akti normativ nuk autorizon një ndarje të tillë. Në praktikë, kjo ka sjellë kufizim të aksesit të punonjësve socialë në punësim, deformim të përbërjes së shërbimit psiko-social, cenim të parimit të trajtimit të barabartë ndërmjet dy profesioneve dhe dobësim të dimensionit social të ndërhyrjes në shkolla.
Në thelb, problemi nuk është vetëm mbrojtja e një profesioni. Problemi lidhet me cilësinë e shërbimit që u ofrohet fëmijëve. Shkolla shqiptare e vitit 2026 nuk përballet vetëm me problematika psikologjike, por çdo ditë përballet me varfërinë, braktisjen shkollore, emigracionin, konfliktet familjare, divorcin, dhunën në familje, neglizhencën, bullizmin, përdorimin problematik të internetit, përdorimin e substancave, fëmijët në nevojë për mbrojtje, trafikimin, shfrytëzimin, fëmijët me aftësi të kufizuara, përjashtimin social dhe mungesën e bashkëpunimit me familjen.
Asnjë nga këto problematika nuk mund të trajtohet vetëm përmes këshillimit psikologjik. Ato kërkojnë vlerësim social, menaxhim rasti, vizita në familje, ndërhyrje komunitare, koordinim ndërinstitucional, aktivizimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, punë me prindërit dhe ndërtimin e rrjeteve mbështetëse. Këto janë kompetenca thelbësore të profesionit të punonjësit social.
Edhe vetë Udhëzuesi për Praktikën e Punës së Shërbimit Psiko-Social e pranon këtë ndarje funksionale të kompetencave, duke përcaktuar se punonjësi social realizon vlerësimin e gjendjes sociale, kryen vizita në familje, bashkëpunon me Punonjësin për Mbrojtjen e Fëmijës, koordinon referimet në sistemin e mbrojtjes, harton plane të mbështetjes sociale dhe punon me familjen e komunitetin, ndërsa psikologu është përgjegjës për vlerësimin psikologjik, administrimin e testeve psikologjike dhe ndërhyrjen psikologjike.
Në këto kushte lind natyrshëm pyetja: nëse sfidat kryesore të shkollës shqiptare janë njëkohësisht sociale dhe psikologjike, përse politikat publike orientohen pothuajse ekskluzivisht drejt rritjes së numrit të psikologëve, ndërkohë që dimensioni social i shërbimit mbetet sistematikisht i nën-përfaqësuar?
Për Urdhrin e Punonjësve Socialë kjo përbën edhe një çështje të interesit më të lartë të fëmijës. Çdo fëmijë ka të drejtë të marrë një shërbim të plotë dhe multidisiplinar. Një shërbim i tillë nuk mund të reduktohet vetëm në këshillim psikologjik, por duhet të adresojë edhe shkaqet sociale të problematikave. Një fëmijë që mungon në shkollë për shkak të varfërisë, që është viktimë e dhunës në familje apo që rrezikon braktisjen e shkollës nuk ka nevojë vetëm për mbështetje emocionale, por për një ndërhyrje sociale, familjare, komunitare dhe ndërinstitucionale, e cila është kompetencë thelbësore e punonjësit social. Për këtë arsye, nën-përfaqësimi sistematik i punonjësve socialë nuk cenon vetëm një profesion, por cenon cilësinë e shërbimit që u ofrohet fëmijëve.
Për sa më sipër, Urdhri i Punonjësve Socialë kërkon ndalimin e çdo praktike administrative që favorizon një profesion ndaj tjetrit në proceset e planifikimit dhe rekrutimit të stafit psiko-social; hartimin e një analize kombëtare mbi përbërjen aktuale të shërbimit psiko-social dhe shkaqet që kanë sjellë këtë disproporcion ndërmjet psikologëve dhe punonjësve socialë; rishikimin e politikës së punësimit me synim rritjen progresive të numrit të punonjësve socialë në shkolla, në mënyrë që përbërja e ekipeve psiko-sociale të reflektojë nevojat reale të sistemit arsimor dhe kompetencat e përcaktuara në kuadrin ligjor; dhënien e udhëzimeve të qarta për të gjitha strukturat vartëse që në shpalljet për vende vakante të respektohet parimi i barazisë ndërmjet dy profesioneve dhe të mos krijohen kuota të njëanshme pa bazë ligjore; si dhe përdorimin në çdo dokument strategjik, akt administrativ, udhëzim, komunikim publik dhe deklaratë institucionale të Ministrisë së Arsimit të terminologjisë së saktë "psikologë dhe punonjës socialë", në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me natyrën multidisiplinare të shërbimit psiko-social.
Urdhri i Punonjësve Socialë mbetet i gatshëm të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për hartimin e politikave që forcojnë shërbimin psiko-social, mbi bazën e ligjit, provave dhe interesit më të lartë të fëmijës. Besojmë se një sistem arsimor cilësor nuk ndërtohet duke favorizuar një profesion ndaj tjetrit, por duke garantuar funksionimin harmonik dhe të balancuar të ekipeve multidisiplinare, ku psikologët dhe punonjësit socialë kontribuojnë secili sipas kompetencave të veta profesionale.