Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë

Call Directions Website Contact the organization

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë

SH.V.SH eshte organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe humanitare.

📢 Në pritje të një përgjigjeje nga KryeministriRreth dy muaj më parë, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë i është drejtu...
31/08/2026

📢 Në pritje të një përgjigjeje nga Kryeministri

Rreth dy muaj më parë, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, për një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra persona të verbër në vendin tonë.

Nëpërmjet kësaj shkrese kemi ngritur shqetësimin për ndërprerjen prej vitit 2014 të financimit të shërbimeve të posaçme, si dhe nevojën për rikthimin në funksion të plotë të Qendrës Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve.

Pavarësisht se kanë kaluar rreth dy muaj nga dërgimi i shkresës, ende jemi në pritje të një përgjigjeje nga z. Edi Rama.

Ne besojmë se një çështje që lidhet me rehabilitimin, aftësimin dhe integrimin e personave të verbër meriton vëmendjen dhe angazhimin institucional të nevojshëm.

Shpresojmë që zëri dhe kërkesa jonë të dëgjohen dhe, mbi të gjitha, të marrin një përgjigje konkrete.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë atë që personave të verbër u takon: shërbime të posaçme, dinjitet dhe mundësi të barabarta.

Më poshtë do të gjeni tekstin e plotë të shkresës së drejtuar Z. Edi Rama

I nderuar Zoti Rama,
Na lejoni t'ju paraqesim një shqetësim të madh të të gjithë të verbërve të Shqipërisë.
Ju bëjmë me dije se, që nga viti 2014, është ndërprerë financimi i shërbimeve të posaçme për Qendrën Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve të Shqipërisë. Kjo ndërprerje lidhet me filozofinë e re të qeverisjes, nën drejtimin e ministrit dhe zëvendësministres së Punës dhe Çështjeve Sociale të asaj kohe. Ndërprerja u bë me arsyetimin se shërbimet do të ofroheshin sipas ligjit të ri dhe do të transferoheshin pranë organeve të pushtetit vendor.
Me gjithë insistimin tonë, shërbimet e posaçme për të verbërit nuk u përfshinë në këtë ligj. Këto lloj shërbimesh janë tejet individuale, të veçanta dhe duhet të jenë aq të specializuara, saqë asnjë pushtet vendor në Evropë nuk i ka marrë përsipër. Për këtë arsye, ofrimi i tyre në qendra të specializuara është e vetmja praktikë që njihet.
Megjithatë, si në atë periudhë, ashtu edhe sot, ne vazhdojmë të mos e kemi mbështetjen e asaj ministrie, duke qenë të përjashtuar në vazhdimësi nga proceset e konsultimit.
Më interesantja në këtë proces është se Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, më 31 tetor 2014, inauguroi Qendrën Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve, me një truall prej 13 mijë m², me sipërfaqe ndërtimi prej 6 500 m², me sistem ngrohjeje, ashensor dhe të përshtatur për të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar, me 23 klasa mësimi e trajnimi, 4 salla konferencash me kapacitet 80 vende secila, një sallë të madhe me kapacitet 300 vende, kuzhinë, mensë dhe bar me kapacitet për 250 vetë, si dhe me kapacitet hotelier prej 120 shtretërish. Po në këtë kohë, me mbështetjen e organizatave homologe perëndimore, si dhe të Komisionit Evropian, u siguruan pajisje të posaçme me një vlerë prej 2 milionë eurosh. Kapaciteti dhe lloji i shërbimeve të ofruara në këtë qendër ishte i mjaftueshëm jo vetëm për të verbërit, por edhe për kategoritë e tjera të aftësisë së kufizuar.
Në atë moment, Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve kishte kapacitetin e plotë njerëzor, me profesionistë të aftë për të ofruar të gjitha llojet e shërbimeve të posaçme për të verbërit, si:
• Trajnimi në fushën e mobilitetit;
• Autonomia në lëvizje;
• Menaxhimi i mikroambientit, përfshirë vetëshërbimet në banesë;
• Menaxhimi i makroambientit, përfshirë autonominë në lëvizje në ambiente më të gjera;
• Mësimi i shkrimit Braille;
• Mësimi i përdorimit të kompjuterit dhe i pajisjeve të tjera të posaçme për nevojat bazike të përditshmërisë;
• Kurse të formimit profesional;
• Të gjitha llojet e aktiviteteve kulturore dhe sportive, të nevojshme për jetën e përditshme.
Qëllimi final i të gjitha trajnimeve të shkurtra mbetet aftësimi për t'u integruar në jetën normale. Pra, kjo nuk është konceptuar si një qendër rezidenciale e përhershme, por si një qendër e përkohshme, me qëllime plotësisht të përcaktuara për trajnimin dhe aftësimin për integrim normal. Kjo nuk është një praktikë shqiptare, por është e bazuar në praktikat më të mira evropiane.
I nderuar Zoti Rama,
Jeta e përditshme e të verbërve, për shkak të mungesës së këtyre shërbimeve, ka vazhduar të përkeqësohet edhe më shumë që nga viti 2014. Ne jemi përpjekur të vazhdojmë ofrimin e këtyre shërbimeve, por me kapacitete tejet të reduktuara. Vazhdojmë të regjistrojmë libra në audio për nxënësit dhe studentët, si dhe të zhvillojmë aktivitete sportive, të cilat financohen nga kontributet e rreth 10 000 anëtarëve.
Për fat të keq, nga mospërdorimi i qendrës sonë në Vaqar, Tiranë, si dhe nga tërmeti dhe daljet e lumit Erzen, kjo qendër ka degraduar. Ne, me fondet tona, kemi mundur të paguajmë vetëm rojet e godinës, por nuk kemi arritur ta vëmë në eficiencë, përveç zhvillimit të disa aktiviteteve sporadike.
Këtë shqetësim ia kemi paraqitur vazhdimisht administratës së ministrisë përgjegjëse, por ajo vazhdon të jetë paragjykuese, njësoj si para më shumë se dhjetë vjetësh. Ia kemi paraqitur si shqetësim të gjithë ministrave, por asnjëri nuk u ndal ta shqyrtonte seriozisht.
Sot ne jemi përballë dilemës nëse duhet ta shesim këtë godinë kaq të shtrenjtë për ne, apo të presim që, ndoshta, një ditë qeverisë do t'i mbushet mendja t'i kthejë sytë edhe nga ne.
Situata ligjore është krejt e thjeshtë. Ligji "Për statusin e të verbërve" ia ka ngarkuar këtë përgjegjësi shoqatës sonë. Qeveria Nano, me VKM nr. 643, datë 30.09.2004, ka përcaktuar modalitetet përkatëse, ndërsa Ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm për menaxhimin e fondeve publike, sipas ligjit dhe vendimit të lartpërmendur, për ofrimin e shërbimeve të posaçme për të verbërit.
Ajo që qeveria aktuale mund të bëjë për ne është: rijetësimi i VKM-së nr. 643, përmes zgjatjes së afatit të saj, përcaktimi i një fondi vjetor prej të paktën 70 milionë lekësh, si dhe akordimi i një fondi paraprak për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, përmbytjet e lumit Erzen dhe mospërdorimi i objektit, shumë të cilën ende nuk e kemi përcaktuar.
I nderuar Zoti Kryeministër,
Ne shpresojmë që ju do t'i ktheni sytë nga ne dhe do të na shpëtoni nga paragjykimet e drejtuesve të asaj kohe, pa dashur të zgjatemi në konsiderata të tepërta për ta.
Duke shpresuar se do të ndaleni, qoftë edhe për disa sekonda, mbi këtë shqetësim,

Shoqata e te Verberve te Shqiperise

Deklaratë për shtyp e SHVSH mbi gjuhën diskriminuese në Big Brother VIP Albania 5Tiranë, 3 shkurt 2026Shoqata e të Verbë...
03/02/2026

Deklaratë për shtyp e SHVSH mbi gjuhën diskriminuese në Big Brother VIP Albania 5

Tiranë, 3 shkurt 2026

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH) dënon me forcë gjuhën e përdorur ndaj konkurrentit të verbër, Stenaldo Mëhilli, ku verbëria u etiketua si “dënim” apo “mallkim” (“Ty të ka dënuar Zoti / të ka mallkuar Zoti”). Kjo është një formë e qartë diskriminimi (ableizëm) dhe një mesazh i rrezikshëm që cenon dinjitetin njerëzor dhe ushqen paragjykimet ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Verbëria nuk është “dënim”, nuk është “mallkim”, dhe nuk është arsye për poshtërim publik. Një gjuhë e tillë nuk sulmon vetëm një individ; ajo prek një komunitet të tërë dhe normalizon përjashtimin social, bullizmin dhe stigmatizimin—sidomos kur transmetohet në një format me audiencë masive.

1) Dënimi i veprimit

SHVSH kërkon:
• Distancim të qartë dhe publik nga kjo gjuhë diskriminuese;
• Ndjesë publike ndaj konkurrentit dhe komunitetit të personave me aftësi të kufizuara;
• Zbatim të menjëhershëm të rregullores dhe masave disiplinore për çdo gjuhë urrejtjeje/diskriminimi brenda formatit;
• Standard “zero tolerancë” ndaj çdo forme denigrimi që lidhet me aftësinë e kufizuar.

Kjo nuk është “lojë”, as “debat i nxehtë”: është shkelje e etikës njerëzore dhe e përgjegjësisë publike që duhet të mbajë çdo personazh televiziv dhe çdo produksion.

2) Mbështetja për lojën dhe dinjitetin e Stenaldos

SHVSH shpreh solidaritet dhe mbështetje të plotë për Stenaldon, i cili ka hyrë në këtë format me synimin për të konkurruar si i barabartë, pa kërkuar trajtim të veçantë dhe duke treguar se aftësia e kufizuar nuk e zbeh vlerën, karakterin dhe kapacitetin e një njeriu.

Pjesëmarrja e tij është një hap i rëndësishëm për përfaqësimin, dhe çdo tentativë për ta ulur me fjalë që e lidhin verbërinë me “dënim” është sulm ndaj dinjitetit dhe barazisë.

Thirrje për përgjegjësi publike

I bëjmë thirrje Top Channel dhe produksionit që ta trajtojnë këtë ngjarje me seriozitet maksimal: jo thjesht si incident, por si moment që kërkon qëndrim edukues, sqarim publik dhe garanci që gjuha diskriminuese nuk kthehet në “normë” të spektaklit.

SHVSH mbetet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë për komunikim jo-diskriminues dhe ndërgjegjësim publik.

Jonit Ferhati
Kryetar, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH)
Top ChannelBig Brother VIP Albania Stenaldo Mëhilli

🏢 NJOFTIM – GODINË PËR SH*TJE / QIRAShoqata e të Verbërve të Shqipërisë njofton se është në dispozicion një godinë 4-kat...
04/12/2025

🏢 NJOFTIM – GODINË PËR SH*TJE / QIRA

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë njofton se është në dispozicion një godinë 4-katëshe me sipërfaqe rreth 6,500 m², së bashku me truall rrethues prej 13,000 m², e përshtatshme për aktivitete të ndryshme sociale, arsimore, komunitare apo biznesi.

📍 Vendndodhja: Vaqarr, Rruga e Arbanës (Fortuzaj-Damjan), Tiranë
🏗️ Gjendja e objektit: E mirë, me ashensor funksional dhe hapësira të mëdha të brendshme dhe të jashtme.

🔹 Për çfarë mund të shfrytëzohet objekti:
– Qendër komunitare
– Institucion arsimor/trajnim
– Ambjent për aktivitete sociale ose kulturore
– Qendër rehabilitimi
– Zyra, depo, qendër biznesi
– Projekte të organizatave jofitimprurëse
– Çdo aktivitet tjetër që kërkon sipërfaqe të gjerë dhe strukturë të përshtatshme

Objekti ofron fleksibilitet të lartë, parkim të bollshëm dhe mundësi zhvillimi të mëtejshëm në truallin përreth.

NJOFTIM PËR SH*TJE OSE DHËNIE ME QIRA

Sh*tet ose jepet me qira një godinë 4-katëshe, me sipërfaqe ndërtimi rreth 6,500 m² dhe truall përreth prej afërsisht 13,000 m².Objekti ndodhet në Vaqarr, Rruga e Arbanës, fshati Fortuzaj–Damjan, një zonë e qetë, me akses të lehtë rrugor dhe e përshtatshme për zhvillimin e ve...

DEKLARATË PËR MEDIATMe rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë – 15 TetorNë kuadër të Ditës Ndërkombëtare të S...
15/10/2025

DEKLARATË PËR MEDIAT

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë – 15 Tetor

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë zhvillon sot një marshim sensibilizues, duke sjellë në vëmendje simbolin e pavarësisë dhe dinjitetit të personave të verbër në shoqëri.
Kjo ditë ndërkombëtare është një thirrje për reflektim mbi të drejtën e çdo personi të verbër për lëvizje të lirë, akses të barabartë dhe pjesëmarrje aktive në jetën publike.

Prej më shumë se një dekade, komuniteti i të verbërve në Shqipëri është përballur me mungesë të theksuar mbështetjeje institucionale.
Që nga viti 2014, asnjë shërbim i specializuar për rehabilitim, arsimim të përshtatur, orientim e lëvizshmëri, punësim të asistuar apo mbështetje teknike nuk është ofruar nga shteti, pavarësisht detyrimeve të përcaktuara në ligjet kombëtare dhe në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kjo mungesë ka ndikuar drejtpërdrejt në përjashtimin e shumë personave të verbër nga mundësitë e barabarta për arsim, punë dhe jetesë të pavarur.

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë i drejtohet qeverisë shqiptare me këto kërkesa thelbësore:
1. Rikthimin e shërbimeve të specializuara publike për personat e verbër në të gjitha fushat — rehabilitim, arsim të përshtatur, trajnime profesionale, punësim të asistuar dhe pajisje ndihmëse që sigurojnë pavarësi funksionale;
2. Rritjen e pagesave për shkak të verbërisë, me qëllim sigurimin e shanseve të barabarta për pjesëmarrje dhe jetesë të dinjitetshme. Hera e fundit që është bërë rritje reale e këtyre pagesave ka qenë në vitin 2009, ndërsa më pas janë kryer vetëm indeksime të pjesshme që nuk kanë reflektuar rritjen e kostove të jetesës;
3. Vendosjen e një skeme të detyrueshme të ndihmës ekonomike për të gjithë personat e verbër të papunësuar, në mënyrë që askush të mos mbetet pa të ardhura minimale për shkak të mungesës së aksesit në tregun e punës.

Në një realitet ku inflacioni, çmimet e ushqimeve, transportit dhe shërbimeve bazë janë rritur ndjeshëm, është e domosdoshme që shteti të garantojë një mbështetje të drejtë, të përditësuar dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët e verbër, si pjesë e barazisë reale në shoqëri.

Shkopi i bardhë nuk është simbol varësie, por simbol i pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Në këtë ditë, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë riafirmon se personat e verbër nuk kërkojnë mëshirë, por respekt, akses dhe të drejta të barabarta në arsim, punë dhe jetë publike.

Presidenti SHVSH
JONIT Ferhati

📢 Marshojmë për Barazi dhe Dinjitet!🦯 15 Tetor – Dita Ndërkombëtare e Shkopit të BardhëTë verbërit do të mblidhen nesër,...
14/10/2025

📢 Marshojmë për Barazi dhe Dinjitet!
🦯 15 Tetor – Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë

Të verbërit do të mblidhen nesër, më 15 tetor 2025, ora 10:00,
📍 Nisja nga Pallati i Kongreseve, në marshimin tonë simbolik dhe të përvitshëm,
për të kërkuar:

✅ Shërbime të specializuara dhe rehabilitim publik
✅ Rritje të pagesës për shkak të verbërisë
✅ Akses real në arsim dhe punësim
✅ Barazi në mundësi dhe respekt për dinjitetin njerëzor

Shkopi i bardhë është simbol i pavarësisë, jo i mëshirës.
Sot, më shumë se kurrë, kërkojmë veprim, jo premtime.
🕊️ Bashkohuni me ne dhe ndihmoni të dëgjohet zëri ynë për më shumë dinjitet dhe shpresë.

🎙️ Çdo pasqyrim në media është një hap më afër barazisë.

05/05/2025

DEKLARATË PËR SHTYP
Tiranë, më 05/05/2025

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë reagon me indinjatë ndaj fyerjeve publike të Kryeministrit ndaj personave me aftësi të kufizuara

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH), si përfaqësuesja legjitime e mbi 13,500 qytetarëve të verbër dhe me dëmtime të rënda të shikimit në vend, shpreh keqardhje dhe indinjatë të thellë për përdorimin e gjuhës diskriminuese dhe poshtëruese nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në një aktivitet elektoral të zhvilluar në Lezhë.
Në këtë deklaratë ai u shpreh si më poshtë:
“Kur njeriu i ka sytë top, është më i verbër se dikush që nuk i ka sytë. Kush i ka sytë, s’do me pa, është qorr absolut. Kush është nga veshët top, dhe do të dëgjojë këngën e bufit për natë, është më shurdh nga shurdhi.”
është jo vetëm thellësisht ofenduese për komunitetin e personave të verbër dhe të personave që nuk dëgjojnë, por përbën një shkelje të rëndë të standardeve të respektit njerëzor dhe të barazisë së promovuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Kjo nuk është hera e parë që z. Rama përdor fjalor fyese ndaj grupeve të ndjeshme. Vetëm pak ditë më parë, ai etiketoi në mënyrë të papranueshme personat me çrregullime të spektrit autik, duke vazhduar kështu një model komunikimi përçmues, që thellon paragjykimet shoqërore dhe cenon dinjitetin e mijëra qytetarëve shqiptarë.

SHVSH i bën thirrje publike Kryeministrit:
• Të kërkojë ndjesë publike, pa vonesë, ndaj komuniteteve që ka ofenduar.
• Të angazhohet realisht për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjuha e përdorur në hapësirën publike.
• Të rikthejë dinjitetin institucional në komunikimin me qytetarët e tij, veçanërisht ata që jetojnë çdo ditë me sfida të mëdha shëndetësore dhe sociale.

Ne nuk jemi metafora, nuk jemi figura stilistike për përdorim në fjalime politike. Ne jemi qytetarë të barabartë të këtij vendi. Dhe do të ngremë zërin për çdo akt, fjalë apo qëndrim që synon të na fyejë, të na përjashtojë ose të na instrumentalizojë.

Me respekt,
SHOQATA E TË VERBËRVE TË SHQIPËRISË

“Rrëfimi i Tingujve” – Muzika që sheh nëpërmjet shpirtitShoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka kënaqësinë të ftojë të gj...
23/04/2025

“Rrëfimi i Tingujve” – Muzika që sheh nëpërmjet shpirtit

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka kënaqësinë të ftojë të gjithë anëtarët, miqtë dhe mbështetësit e komunitetit tonë të na bashkohen në një ngjarje të veçantë artistike dhe njerëzore.

Të dielën, më 27 prill, ora 11:00, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, do të zhvillohet koncerti “Rrëfimi i Tingujve”, me pjesëmarrjen e pianistit të jashtëzakonshëm italian Nicola Pio Nasca.

Në moshën vetëm 22-vjeçare dhe i verbër që nga lindja, Nicola është pianist italian që ka përfunduar studimet e plota në piano – një shembull i rrallë i forcës, pasionit dhe përkushtimit ndaj artit.

Përmes veprave të Bach, Liszt, Chopin dhe Albeniz, ai do të na udhëheqë në një udhëtim emocional që tejkalon shikimin, duke na kujtuar fuqinë e vërtetë të ndjeshmërisë njerëzore.

Ju ftojmë ta ndiqni këtë ngjarje jo vetëm për kënaqësi shpirtërore, por edhe për të mbështetur artistët e verbër dhe vlerat e përbashkëta që na bashkojnë.
Bashkë, e bëjmë të padukshmen të ndjehet.
Të gjithë ata të verbër që duan të marrin pjesë të na kontaktojnë deri të shtunën ora 11 e paradites. Në të gjithë format e kontaktit.

🎹 Dy fjalë për Nicola Pio Nasca:

Nicola Pio Nasca është një pianist italian nga Trani, i cili ka kapërcyer kufijtë e perceptimit tradicional përmes një talenti të jashtëzakonshëm dhe një përkushtimi të palëkundur ndaj artit muzikor. I verbër që nga lindja, ai është bërë i pari në Itali që ka përfunduar studimet e nivelit të parë në piano në Konservatorin “Niccolò Piccinni” të Barit, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera. 

Në moshën 22-vjeçare, Nicola ka arritur suksese ndërkombëtare, duke fituar çmime prestigjioze si “Crescendo International Music Competition” në New York dhe duke performuar në skena të njohura si Carnegie Hall dhe Katedralja e Shën Patrikut. Aktualisht, ai vazhdon studimet e nivelit të dytë në piano dhe ndjek paralelisht vitin e katërt në Fakultetin e Jurisprudencës në Universitetin e Barit. 

Nicola është një shembull frymëzues i fuqisë së vullnetit dhe pasionit për muzikën, duke dëshmuar se talenti dhe përkushtimi mund të tejkalojnë çdo pengesë.

19/03/2025

LETËR E HAPUR

DREJTUAR:Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu
: Zëvendësministres znj. Denada Seferi

Hartuar nga Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë dhe miratuar unanimisht.

E nderuar znj. Ministre,

Me këtë letër, Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për braktisjen totale të shtetit ndaj personave të verbër në Shqipëri. Politikat tuaja kanë çuar në një diskriminim sistematik, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe detyrimet ligjore të qeverisë për të garantuar shërbimet e posaçme që janë jetike për të verbërit.
Për vite me radhë, qeveria ka eliminuar çdo shërbim të posaçëm për të verbërit, ka mohuar të drejtat e garantuara me ligj dhe ka lënë pa financim shërbimet që më parë ishin funksionale. Të verbërit në Shqipëri nuk përfitojnë asnjë shërbim specifik që u garanton një jetë të pavarur dhe të dinjitetshme.
Kushtetuta ka përcaktuar qartë se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe se shteti ka detyrimin të sigurojë mbështetje të drejtpërdrejtë për kategoritë më të cenueshme. Ligji nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” e përforcon këtë detyrim, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë e shtetit për të garantuar shërbime të specializuara për personat me aftësi të kufizuara, përfshirë të verbërit.
Në nenin 5, pika 2, thuhet: “Politikat shtetërore mbështetin personat me aftësi të kufizuara që të kenë akses në të gjitha sferat e jetës.”
Në nenin 11 të të njëjtit ligj thuhet: “Nevojat për asistencë dhe mbështetje mbulohen nga Buxheti i Shtetit, dhe fondet planifikohen nga ministria përgjegjëse në koordinim me ministritë e linjës.”
Në vend që të zbatoni këtë detyrim ligjor, ju keni zgjedhur të zhdukni çdo formë mbështetjeje shtetërore dhe t’i hidhni përgjegjësitë tek pushteti vendor dhe organizata të ndryshme jofitimprurëse. Kjo është një manipulim dhe një shmangie e qëllimshme nga përgjegjësia qeveritare.
E nderuar znj. Ministre,
Ajo që po ndodh nuk është thjesht një mungesë vëmendjeje është një diskriminim institucional dhe një akt i pastër neglizhence ndaj një kategorie qytetarësh që kanë nevojë për mbështetje reale.
Shteti shqiptar ka transferuar përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve tek bashkitë, duke justifikuar mungesën e veprimit me faktin se fondet për shërbimet e posaçme do të menaxhohen nga Fondi Social. Ky është një mashtrim politik dhe një skemë burokratike që nuk bën gjë tjetër veçse largon shtetin nga përgjegjësitë e tij kushtetuese.
Nëpërmjet Ligjit nr. 93/2014, Ligjit nr. 121/2016 dhe akteve të tjera nënligjore, qeveria juaj ka kapur plotësisht sistemin e shërbimeve sociale, duke krijuar një monopol të organizatave të caktuara për personat me aftësi të kufizuara. Në pikat 7 dhe 8 të nenit 3 të ligjit 93/2014 është përcaktuar se shërbimet për personat me aftësi të kufizuara do të ofrohen nga Organizatat për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Nëse analizojmë plotësisht Ligjin nr. 93/2014, Ligjin nr. 121/2016 dhe aktet e tjera nënligjore, është krijuar një bazë ligjore e konsoliduar, sipas së cilës OJQ-të për personat me aftësi të kufizuara kanë hapësirën e plotë për të qenë aktorë përcaktues në ofrimin dhe financimin e shërbimeve. të cilat kanë përfituar financime të vazhdueshme, ndërsa ne, si përfaqësues të ligjshëm të të verbërve, jemi përjashtuar plotësisht nga vendimmarrja dhe financimi.
Ky nuk është vetëm një diskriminim i hapur, por edhe një skemë klienteliste, që i ka kthyer shërbimet për personat me aftësi të kufizuara në një mjet biznesi për disa grupe të interesit.
Kjo qasje ka shkaktuar kolaps total të shërbimeve për të verbërit. Në asnjë qark të vendit nuk ofrohet asnjë shërbim i specializuar për të verbërit, ndonëse ligjet i parashikojnë ato qartë.
Pse Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve (QKRV) nuk mund të ofrojë shërbimet përmes Fondit Social?
1. QKRV është institucion kombëtar dhe nuk mund të financohet përmes mekanizmave vendorë, të cilët varen nga vullneti i pushtetit lokal dhe jo nga një strategji e unifikuar shtetërore.
2. Fondi Social nuk garanton financim të qëndrueshëm, por është një mekanizëm konkurues që krijon pasiguri dhe dështime sistematike. Shërbimet e posaçme nuk mund të mbahen në këmbë nga financime sporadike dhe me procedura të tejzgjatura burokratike.
3. Njësitë vendore nuk kanë kapacitetet, burimet njerëzore dhe ekspertizën për të ofruar shërbimet e specializuara për të verbërit. Delegimi i këtyre shërbimeve tek bashkitë është një veprim i qëllimshëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë shtetërore.
4. Çdo qark nuk mund të marrë shërbimet te QKRV, sepse nuk ka asnjë strukturë financimi të dedikuar për këtë institucion, duke e lënë atë jashtë funksionit dhe të paaftë për të kryer detyrën e tij.
E nderuar znj. Ministre,
Në këtë situatë këshilli kombëtar i SHVSH kërkon që ju të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të kthyer shërbimet e posaçme në financim të drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit.
Duhet të respektohet kuadri ligjor që përfshin:
• Ligjin nr. 8098, datë 28.3.1996 o“Për Statusin e të Verbërit”
• Vendimin nr. 277 të Këshillit të Ministrave, datë 18.06.1997
• Vendimin nr. 643 për financimin e shërbimeve të posaçme për të verbërit, datë 30.09.2004
• Udhëzimin nr. 10, datë 16.05.2005, të Ministrit të Financave për procedurat e pagesave për shërbimet e posaçme
Nëse ministria juaj nuk reflekton dhe nuk rikthen financimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve për të verbërit, ne do të jemi të detyruar të ndjekim të gjitha format e rezistencës civile, përfshirë protestat, denoncimet publike dhe paditë ligjore kundër institucioneve përgjegjëse.
Nuk mund të pranojmë më zvarritje, manipulime dhe justifikime boshe. Të verbërit e Shqipërisë nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk do të lejojmë që shteti të na injorojë më tej.
Ky është apeli ynë i fundit për reflektim dhe veprim të menjëhershëm.

Me respekt,

Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë

Presidenti i Shoqatës së të Verbërve: Shërbimet për Jetesë me Dinjitet Janë Zero!Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të...
07/02/2025

Presidenti i Shoqatës së të Verbërve: Shërbimet për Jetesë me Dinjitet Janë Zero!

Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Jonit Ferhati, deklaron se personat e verbër në vendin tonë nuk marrin asnjë shërbim për të jetuar me dinjitet. Këtë realitet e konfirmojnë edhe organizatat ndërkombëtare. Reforma e aftësisë së kufizuar është një pseudo-reformë, e cila nuk sjell asnjë përmirësim të prekshëm për këtë kategori. Ndërkohë, pagesat për shkak të verbërisë nuk janë rritur që nga viti 2009, duke lënë mijëra persona në një situatë të vështirë ekonomike.

📽️ Shikoni videon për më shumë detaje! ⬇️

Subscribe:https://www.youtube.com/c/TelevizioniSCAN?sub_confirmation=1WEB: https://scantv.al/Facebook:https://www.facebook.com/televizioniscan/Instagram:http...

03/02/2025

📢 Takimi që konfirmoi një të vërtetë të hidhur: Nuk ka vullnet për të mbështetur të verbrit!

Javën e kaluar u zhvillua një takim formal me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, një takim ku, pa asnjë argument të ri dhe pa asnjë vullnet për ndryshim, na u tha sërish e njëjta gjë: Shërbimet për të verbrit nuk do të financohen!

Përtej gjithë bazës ligjore që detyron shtetin të garantojë këto shërbime, përtej faktit se shërbimet sot janë ZERO, përtej realitetit të dhimbshëm ku mijëra persona të verbër në Shqipëri jetojnë pa asnjë mbështetje të specializuar, ministria dhe punonjësit e saj nuk duan të marrin përgjegjësi për të zbatuar atë që ligji e detyron qartë!

🚨 Ky është një refuzim i hapur i të drejtave tona. Ky nuk është një problem buxheti, ky është një problem vullneti politik!
Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve, me kapacitetet e saj të jashtëzakonshme, mbetet jashtë funksionit, ndërkohë që në vendet e rajonit qendra të tilla janë shtylla e mbështetjes për komunitetin e verbër.

💡 Tani nuk është më koha për heshtje! Ne, të verbrit, nuk jemi më spektatorë të vendimeve që shkatërrojnë të ardhmen tonë. Do të jemi të gjithë bashkë pjesë e vendimeve historike që do të marrim për dinjitetin tonë dhe për lehtësirat që na takojnë!

⚠️ Askush nuk mund të na mohojë të drejtat tona!

Address

Rr. Nikolla Lena Nr. 62
Tirana
1001

Opening Hours

Monday 08:00 - 16:00
Tuesday 08:00 - 16:00
Wednesday 08:00 - 16:00
Thursday 08:00 - 16:00
Friday 08:00 - 16:00
Saturday 08:00 - 13:00

Telephone

+35542271727

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë:

Shortcuts

Share