Platforma Mulimediale e Aktivizmit
PMA (Platforma Multimediale e Aktivizmit) është nisma e Lëvizjes MJAFT!, e mbështetur nga Lëviz Albania dhe e financuar nga Ambasada Zviceriane në Shqipëri. Kjo nismë u mundëson të rinjve kurse të specializuara në multimedia si dhe infrastrukturën e nevojshme për të shprehur opinionet dhe shqetësimet shoqërore. PMA është realizuar për 4 vite në qytetin e Tiranës
dhe vjen në vitin e saj të 5-të në një koncept rajonal në qytetet: Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Korçë. Kjo platformë inovative synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe i nxit ata të eksplorojnë mënyra të reja për të ushtruar presion mbi institucionet. Ky program pilot ka për qëllim ta rehabilitojë rolin e të rinjve në jetën qytetare, në mënyrë që kjo pjesë e rëndësishme e shoqërisë t’i shpëtojë indiferentizmit dhe skepticizmit. Me anë të aktiviteteve të ndryshme dhe mjeteve të komunikimit masiv, PMA synon të krijojë një model të ri përfaqësimi që do të ndihmojë në forcimin e demokracisë në vend me anë të investimit tek të rinjtë. PMA nxit krijimtarinë dhe mendimin kritik të të rinjve në fusha të ndryshme të komunikimit masiv – video, audio (radio), fotografi, shkrim, etj. Me anë të një studimi të thelluar, të rinjtë do të njihen me çështjet kryesore që do të shërbejnë si pikënisje për punën e tyre. Akademikë dhe profesionistë të shquar në fushën e gazetarisë dhe komunikimit masiv do të ofrojnë trajnime të specializuara për të rinjtë. PMA është një mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë opinione të pavarura, por nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’i shprehur ato në mediat konvencionale, pa u paragjykuar. Trajnimet do të zhvillohen në fushën e aktivizmit dhe gazetarisë nga emra të mirënjohur të medias dhe shoqërisë civile në Shqipëri.