31/07/2026
DEKLARATË PËR SHTYP
Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS shpreh indinjatën dhe shqetësimin e saj të thellë lidhur me rastin e ndodhur në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku personel shëndetësor ka bërë publik statusin HIV të një pacienti, si dhe informacione të tjera tepër të ndjeshme mbi gjendjen e tij shëndetësore, të marra gjatë ushtrimit të detyrës dhe nëpërmjet dokumentacionit mjekësor.
Publikimi i statusit HIV dhe i të dhënave të tjera personale, përfshirë informacionin mbi historinë e përdorimit të drogës me injektim, pa pëlqimin e pacientit, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të së drejtës për privatësi dhe konfidencialitet, të legjislacionit shqiptar, si dhe të etikës profesionale që rregullon ushtrimin e profesionit të mjekut dhe të profesionistëve të tjerë të kujdesit shëndetësor.
Ky veprim cenon jo vetëm dinjitetin dhe integritetin e personit të prekur, por dëmton besimin që çdo qytetar duhet të ketë se informacioni që ndan me profesionistët e shëndetësisë do të mbetet konfidencial.
Ligji nr. 9952, datë 14.07.2008 "Për Parandalimin dhe Kontrollin e HIV/AIDS" garanton mbrojtjen e të drejtave të personave që jetojnë me HIV. Në nenin 8, pika 1, shkronja "ç", përcaktohet se: "Personat që jetojnë me HIV/AIDS gëzojnë të drejtën e konfidencialitetit për infektimin e tyre me HIV/AIDS."
Po ashtu, neni 9, pika 5, ndalon shprehimisht: "Bërja publike e emrit, adresës dhe pamjes (imazhit) së personit të infektuar me HIV ose zbulimi i informacionit të një personi të infektuar nga një tjetër, pa miratimin e tij, me përjashtim të rastit të përcaktuar në nenin 29 të këtij ligji."
Ndërsa neni 45 i të njëjtit ligj parashikon se shkelja e nenit 9 përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, ndërsa autoriteti përgjegjës për vendosjen dhe ekzekutimin e sanksioneve është Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Rasti përbën gjithashtu shkelje të Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale", i ndryshuar. Statusi HIV dhe çdo informacion tjetër mbi gjendjen shëndetësore të një individi përbëjnë të dhëna personale të një kategorie të veçantë, të cilat mbrohen me ligj dhe nuk mund të zbulohen apo të përpunohen në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë, konfidencialitetit dhe mbrojtjes së privatësisë.
Po kështu, ky veprim bie ndesh me Kartën Shqiptare të të Drejtave të Pacientit, e cila garanton të drejtën për privatësi dhe konfidencialitet, si dhe me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore (11.11.2011, U.M.Sh.), që detyron çdo profesionist shëndetësor të ruajë sekretin profesional dhe konfidencialitetin e informacionit të pacientit.
Personat që jetojnë me HIV në Shqipëri kanë luftuar për dekada kundër stigmës, diskriminimit dhe paragjykimeve. Çdo rast i zbulimit të paautorizuar të statusit HIV nuk përfaqëson vetëm një shkelje individuale të ligjit, por rrezikon të zhbëjë progresin e arritur në ndërtimin e besimit ndaj sistemit shëndetësor dhe në promovimin e testimit të hershëm, trajtimit dhe kujdesit.
Publikimi i statusit HIV dhe i historisë së përdorimit të drogës me injektim jo vetëm që ekspozon padrejtësisht një individ ndaj stigmës dhe diskriminimit, por krijon një klimë frike për të gjithë personat që jetojnë me HIV dhe komunitetet kyçe. Veprime të tilla mund të dekurajojnë qytetarët të kryejnë testimin për HIV, të kërkojnë trajtim apo të drejtohen pranë shërbimeve shëndetësore, duke dëmtuar drejtpërdrejt përpjekjet kombëtare për kontrollin e epidemisë dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Lufta kundër HIV nuk fitohet vetëm me barna dhe shërbime shëndetësore; ajo fitohet edhe duke mbrojtur dinjitetin, privatësinë dhe të drejtat e çdo personi.
Për këto arsye, Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS i kërkon:
• Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në cilësinë e autoritetit përgjegjës sipas nenit 45 të Ligjit nr. 9952/2008, të nisë menjëherë një hetim administrativ të plotë, të identifikojë përgjegjësit dhe të zbatojë sanksionet e parashikuara nga ligji.
• Drejtorisë së Spitalit Rajonal të Durrësit të zhvillojë një hetim administrativ dhe disiplinor, të marrë masat përkatëse ndaj personave përgjegjës dhe të ndërmarrë masa parandaluese.
• Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të verifikojë shkeljen e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të ushtrojë kompetencat e tij ligjore.
• Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë të shqyrtojë përgjegjësinë etike dhe profesionale të personelit të përfshirë.
Të gjitha institucioneve shëndetësore të forcojnë masat për mbrojtjen e konfidencialitetit dhe të zhvillojnë trajnime të detyrueshme për etikën profesionale, mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtat e pacientëve.
Shoqata shpreh solidaritetin e saj të plotë me personin e prekur dhe rithekson se askush nuk duhet të ekspozohet, stigmatizohet apo diskriminohet për shkak të statusit të tij shëndetësor.
Njëkohësisht, Shoqata shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për punonjësit e Portit të Peshkimit në Durrës, të cilët, me humanizëm, dinjitet dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie qytetare, i ofruan ndihmën e parë në një moment vendimtar kur ai ishte lënë pa kujdes.
Veprimi i tyre është një shembull i solidaritetit njerëzor dhe dëshmon se kujdesi, respekti dhe mbështetja për jetën dhe dinjitetin e çdo individi duhet të jenë vlerat që udhëheqin shoqërinë tonë.
Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS do ta ndjekë nga afër trajtimin institucional të këtij rasti dhe do të kërkojë transparencë të plotë nga autoritetet kompetente.
Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi, Shoqata do të mbështesë përdorimin e të gjitha mjeteve administrative dhe gjyqësore të parashikuara nga ligji për të garantuar vendosjen e përgjegjësisë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të personave që jetojnë me HIV në Shqipëri.
Shoqata Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS
Tiranë, 31 korrik 2026