20/09/2026
TIRONSІ IM…
Dje nxorra nga shtëpia disa orendi të vjetra.
Makina e madhe kishte zënë rrugën. Pas nesh erdhi një makinë tjetër dhe priste që t’i hapnim rrugën.
Iu afrova shoferit, me atë ndjesinë që të gjithë e kemi kur e di se tjetri po pret dhe ti duhet t’i kërkosh pak durim.
Bëra të flisja…
Por ai foli para meje:
— Ku je, o tironsi im?!
U bllokova.
Nuk nxora dot asnjë fjalë.
Ma mbylli gojën.
Jo se më tha diçka të madhe.
Por sepse ato katër fjalë më goditën diku larg.
“Ku je, o tironsi im?”
Ai u kthye mbrapsht.
Nuk ngriti zërin.
Nuk shau.
Nuk bërtiti.
Nuk bëri atë që sot e bëjmë kaq shpesh: ta kthejmë një bezdi të vogël në një luftë të madhe.
Ai thjesht u bë pjesë e zgjidhjes.
Jo pjesë e problemit.
Dhe iku.
Por unë mbeta aty.
Me rrugën e bllokuar… dhe me mendjen time që ishte kthyer shumë vite pas.
Më kishte çuar te Tirona ime.
Te ata burra e gra që mund të mos kishin shumë, por kishin edukatë, fjalë, urtësi dhe fisnikëri.
Te njerëzit që edhe kur mërziteshin, dinin të silleshin.
Te komshiu që të thoshte një fjalë dhe e mbyllte muhabetin.
Te ai që të hapte rrugën pa të parë si armik.
Te ai që nuk ta shtonte hallin, por ta lehtësonte.
Te njerëzit që dinin të jetonin bashkë.
Dhe gjithë ditën, pa pushim, më buçisnin në veshë ato fjalë:
“Ku je, o tironsi im?!”
Sa herë i kujtoja, më dukej sikur nuk po më fliste vetëm ai njeri.
Sikur po më fliste Tirona.
Tirona e vjetër.
Tirona e rrugicave.
E avllive.
E komshinjve.
E njerëzve që njiheshin me emër.
E atyre që edhe kur s’kishin bukë për vete, dinin të ndanin një kafshatë.
Dhe papritur, pyetja e tij u bë edhe pyetja ime.
Ku jeni, o tironsit e mi?!
Ku jeni ju që nuk bërtisnit për çdo gjë?
Ku jeni ju që nuk e shihnit tjetrin si kundërshtar?
Ku jeni ju që një fjalë e butë e zgjidhte atë që sot e kthejmë në sherr?
Ku jeni ju që kish*t durim?
Ku jeni ju që kish*t turp të lëndonit tjetrin?
Ku jeni ju që nuk mbytesh*t në një pikë ujë?
Mbase koha ka ndryshuar.
Mbase edhe ne kemi ndryshuar.
Por unë dua të besoj se Tirona ime nuk ka vdekur.
Se ajo është ende diku.
Ndoshta jeton te një burrë që të hap rrugën.
Te një grua që të buzëqesh.
Te një komshi që të pyet si je.
Te një i panjohur që, në vend që të të bërtasë, të thotë:
“Ku je, o tironsi im?!”
Dhe ndoshta kjo është ajo që më dhemb më shumë:
Nuk më mungojnë vetëm rrugët e Tironës së dikurshme.
Më mungojnë njerëzit që i bënin ato rrugë shtëpi.
Më mungon mënyra si flisnim.
Si silleshim.
Si e respektonim njëri-tjetrin.
Më mungon ajo fisnikëria e thjeshtë, që nuk bërtiste për t’u dukur.
Dhe sot, nëse do të mundja, do të dilja në mes të rrugës e do t’u thërrisja:
Ku jeni, o tironsit e mi?!
Se unë jam këtu.
Ende po ju kërkoj.
Ende po ju kujtoj.
Dhe ende besoj se, sado të ketë ndryshuar Tirona, një pjesë e asaj Tironës është ende brenda nesh.
Mjafton ta zgjojmë.
O TIRONSI IM!.. 🥲