Ai është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. I njohur zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq më 1923, ai është që nga ai vit anëtar i Federatës (në atë kohë Ligës) së shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë kështu shoqata e 38-të e themeluar deri atëherë. Sipas nenit 1 të Ligjit Nr.7864 për Kryqin e Kuq Shqiptar, të mir
atuar nga Parlamenti Shqiptar më datë 29.9.1994, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare që e ushtron veprimtarinë në mënyrë të pavarur në bazë të Parimeve Themelore të Lëvizjes ndërkombëtare humanitare të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe dhe të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 - ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 - dhe Protokolleve shtesë të 10 qershorit 1977 - ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 1993. Ai është ndihmës i organeve të pushtetit për çështjet humanitare në mbarë vendin. Kryqi i Kuq Shqiptar ka një bazë ligjore të plotë si dhe një strukturë organizativë në forcim të vazhdueshëm me degë të shpërndara në të gjithë vendin. Aktualisht Kryqi i Kuq Shqiptar po vepron në përmbushje të Planit Strategjik 2015 në fushat e :
• Përhapjes së vlerave humanitare;
• Përgatitjes për ndërhyrje në raste fatkeqësish;
• Edukimit shëndetësor;
• Përkujdesjes sociale;
• Zhvillimit organizativ;
• Rritjes së qëndrueshmërisë financiare. VIZIONI
Kryqi i Kuq Shqiptar synon të jetë një shoqatë humanitare e zhvilluar, që punon për përmirësimin e jetës dhe dinjitetit të njerëzve në nevojë, në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. MISIONI
Kryqi i Kuq Shqiptar ndihmon, nëpërmjet veprimtarisë së vet humanitare, njerëzit më në nevojë duke mobilizuar forcën e humanizmit të shoqërisë. KKSH është një shoqatë e zhvilluar institucionalisht që po mundëson çdo vit e më mirë përmbushjen e misionit humanitar që i ka vënë vetes. Rritja e profesionalizmit dhe kërkesës për më shumë cilësi në veprimtarinë e tij, ka bërë që shoqata të meritojë konsideratat dhe respektin e përfituesve dhe të partnerëve brenda dhe jashtë Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Shoqata ka një sistem unik administrimi, funksionimi dhe raportimi si dhe auditohet nga kompani të njohura ndërkombëtare. Ajo numëron rreth 90 mijë anëtarë dhe një numër të qëndrueshëm prej rreth 2.000 vullnetarësh. KKSH ka punuar dhe punon në mënyrë të planifikuar bazuar në objektiva të qartë strategjikë. Një rëndësi e veçantë i është kushtuar përmirësimit të dokumenteve bazë si Statuti, Rregullore e brendshme, Rregullore e funksionimit administrativ dhe Rregullore e administrimit financiar. Kjo bazë e shëndoshë ligjore i mundëson shoqatës ndërmarrjen dhe realizimin e veprimtarive të saj në mënyrë të planifikuar. Fusha prioritare e veprimtarisë së shoqatës është ajo e përgatitjes dhe e përgjigjes në raste katastrofash. Shtrirja gjeografike, terreni dhe kushtet klimaterike e bëjnë vendin tonë të prekshëm nga një numër rreziqesh e katastrofash të ndryshme, të cilat të ndikuara dhe nga faktorë të ekonomike, niveli i infrastrukturës, etj mund të ndikojnë në cilësinë e jetës së komunitetit. Në vite shoqata ka krijuar kapacitete të nevojshme njerëzore, materiale dhe financiare për të përmbushur misionin e saj. Organizata ka ngritur e trajnuar skuadra vullnetare të gatshme për të ndërhyre në raste katastrofash, ka siguruar një sistem radio-komunikimi që mbulon 10 degë qendër qarku, një sistem magazinimi dhe një stok me ushqime dhe materiale jo ushqimore të gatshme për të ndihmuar 8.000 persona për një muaj, etj. Në këtë mënyrë Kryqi i Kuq Shqiptar është sot një partner i rëndësishëm i pushtetit në nivel qendror dhe në atë lokal për përballimin e pasojave që vijnë nga katastrofat. Shoqata ka mundësuar një sistem të vetin për kërkimin e personave të humbur dhe rivendosjen e lidhjeve familjare në raste konfliktesh apo fatkeqësish. Kryqi i Kuq Shqiptar ka ndërhyrë në të gjitha rastet e katastrofave, qofshin ato kombëtare apo lokale. Në fushën e shëndetit punohet në tri drejtime kryesore: në promocionin e njohurive shëndetësore, në promocionin e dhurimit vullnetar e pa pagesë të gjakut dhe në fushën e ndihmës së parë. Në promocionin e njohurive shëndetësore, vëmendja është përqendruar në rritjen e njohurive shëndetësore për kujdesin e nënës dhe të fëmijës, për mbrojtjen nga sëmundjet infektive (veçanërisht SIDA) dhe higjienën në komunitet; në promocionin e dhurimit vullnetar pa pagesë të gjakut, punohet për promovimin e konceptit të dhurimit vullnetar, pa pagesë të gjakut; në fushën e Ndihmës së Parë, është arritur të ofrohet shërbimi i kurseve të ndihmës së parë për kategori veçanërisht të ekspozuara ndaj rreziqeve dhe të promovohen gjithnjë e më mirë njohuritë e Ndihmës së Parë për publikun e gjerë. Në fushën sociale Kryqi i Kuq Shqiptar ka arritur të sigurojë kapacitetet e nevojshme dhe përvojën e duhur për realizimin e veprimtarive dhe shërbimeve sociale që kontribuojnë në zbutjen e situatës social-ekonomike të disa prej grupeve më nevojtare, të identifikuara si familjet me pak të ardhura, fëmijët jetimë, pleqtë e vetmuar dhe gratë në nevojë. Në fushën e zhvillimit organizativ, Kryqi i Kuq Shqiptar punon për të rritur kapacitetet e veta vendimmarrëse e manaxhuese. Vëmendja është përqendruar në rritjen e rolit të të zgjedhurve në procesin e vendimmarrjes, trajnimin e anëtarëve të zgjedhur dhe të atyre të punësuarve, rritjen e numrit të anëtarëve dhe vullnetarëve, fuqizimin e degëve lokale, përcaktimin e standardeve të funksionimit dhe tërheqjen e të rinjve në veprimtaritë humanitare, etj. Në fushën e komunikimit me publikun synohet që të realizohet një njohje sa më e mirë e veprimtarisë së shoqatës, e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, e Parimeve Themelore dhe e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare. Është arritur që e Drejta Ndërkombëtare Humanitare, të futet për t’u studiuar si kapitull i veçantë, në ciklin e arsimit 9-vjeçar. Shoqata ka ruajtur dhe forcuar bashkëpunimin e mirë me mediat. Në fushën e rritjes së fondeve, shoqata sot ka arritur të ketë një kontribut më të madh financiar për mbulimin e veprimtarive të veta dhe të tërheqë kontributet e partnerëve brenda dhe jashtë Lëvizjes, për një numër veprimtarish në dobi të shtresave më në nevojë. Organizimi i fushatave publike për kërkim fondesh, po kthehet në një traditë ku degët po përfshihen gjithnjë e më mirë. Por sigurimi i qëndrueshmërisë financiare të shoqatës duke u mbështetur në burimet e brendshme, vazhdon të mbetet një nga prioritetet e shoqatës. Programi i përgatitjes dhe i përgjigjes në raste katastrofash dhe i ndihmës së pare në komunitet
Programi i përgatitjes dhe ndërhyrjes për raste katastrofash i KKSH është fusha kryesore e veprimtarisë së shoqatës. Veprimtaria e KKSH për menaxhimin e katastrofave bazohet në ligjin “Për Kryqin e Kuq Shqiptar”, Politikën e shoqatës dhe Planin e Shoqatës për raste katastrofash. Në këto dokumete përcaktohet se KKSH është ndihmës i pushtetit publik për çështjet humanitare në vend. Veprimtaria e KKSH është e koordinuar me strukturat shtetërore dhe jo shtetërore, që veprojnë në fushën e ndërhyrjes në raste katastrofash. Qëllimi kryesor i Programit: Të rriten dhe të përsosen kapacitetet e shoqatës për një ndërhyrje sa më efektive në raste katastrofash. Objektivat:
ngritja, përgatitja dhe konsolidimi i strukturave vullnetare në Degët, në të gjithë vendin;
sensibilizimi i komunitetit ndaj rreziqeve dhe transmetimi i njohurive për ndihmën e parë (NP);
organizimi i konkursit të NP në nivel dege, në nivel rajonal dhe në nivel kombëtar. krijimi i kapaciteteve materiale për të ndërhyrë me efektivitet dhe në kohën e duhur për zvogëlimin e pasojave për personat e prekur nga katastrofat. Veprimtaritë kryesore të punës së programit janë:
Përgatitja e shoqatës për të përballuar fatkeqësitë. Më konkretisht:
trajnimi profesional i stafit dhe i vullnetarëve të KKSH në fusha të tilla si: informacioni dhe vlerësimi i rreziqeve, NP, shëndeti dhe higjena në komunitet, shpërndarja e ndihmave, sensibilizimi i komunitetit, etj.;
rritja e kapaciteteve logjistike e materiale të KKSH për të ndihmuar njerëzit në raste emergjencash;
krijimi i pikave të kontaktit me degët e KKSH në vend. Sensibilizim i komuniteteve për rreziqet e katastrofat. Për këtë KKSH synon që:
degët e KKSH bëjnë avokatinë te strukturat vendore për të hartuar projekte që çojnë në zvogëlimin e rreziqeve për komunitetet e caktuara;
degët e KKSH organizojnë takime sensibilizimi me komunitetet nën risk në zonat e tyre. Organizimi i konkursit të NP në nivel dege, në nivel rajonal dhe në nivel kombëtar:
Degët organizojnë konkursin e NP në nivel dege, me pjesëmarrjen e 2,4..6 ekipe vullnetare në varësi të nivelit të degës;
Degët përgatiten dhe marrin pjesë me një ekip në konkursin Rajonal në NP;
Degët fituese në konkursin rajonal marrin pjesë në konkursin kombëtar që zhvillohet në 8 Maj, në Ditën botërore të KK dhe të Gjk.. Ndërhyrje për të ndihmuar të prekurit nga katastrofat. Në raste emergjencash apo në trajnime apo stërvitje, veprohet si më poshtë:
Degët
Bëjnë monitorimin e situatës;
Marrin pjesë në Komisionet e Menaxhimit të Emergjencave në nivel vendor;
Bëjnë vlerësim dëmesh dhe nevojash nëpërmjet rrjetit të vullnetarëve të trajnuar;
Kërkojnë ndihma tek donatorët lokalë dhe ndihmojnë familjet e prekura;
Organizojnë dhënien e NP për personat e plagosur apo të lënduar. Shpërndajnë ndihma për familjet e dëmtuara në rast operacioni emergjence. Selia:
Nëse emergjenca i tejkalon kapacitetet e shoqatës, lëshon Apel ndihme, nëpërmjet Federatës ndërkombëtare të shoqatave të KK dhe të GjK;