04/10/2026
🎥 “Vrapo për Jetimin”, Andi Kazani dhe Enes Alushi iu bashkuan kauzës në Maratonën e Shkodrës...
“Vrapo për Jetimin” ishte slogani që shoqëroi pjesëmarrjen e Andi Kazanit nga Tirana dhe Enes Alush*t nga Shkodra në edicionin e dytë të “Maratonës së Shkodrës”.
Të dy, si përfaqësues të organizatës “Islamic Relief”, vrapuan në këtë aktivitet sportiv me një qëllim të veçantë: sensibilizimin dhe mbështetjen e fëmijëve jetimë.
Për Andi Kazanin, kjo ishte gara e shtatë ku ai merr pjesë në kuadër të kësaj kauze. Përmes sloganit “Vrapo për Jetimin”, pjesëmarrësit synojnë që sporti të shërbejë edhe si një mënyrë për të përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj nevojave të fëmijëve jetimë.
Mbi 550 garues morën pjesë në “Maratonën e Shkodrës”, e cila përfshiu garat 2.5 kilometra për moshat 10–15 dhe 16–18 vjeç, si dhe garat 5 dhe 10 kilometra.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia Shkodër, Shoqata e Atletikës Vllaznia dhe Federata Shqiptare e Atletikës.