05/10/2026
Të dashur studentë,
Të nderuar anëtarë dhe kolegë të Federatës Shqiptare të Sportit Universitar,
Me nisjen e vitit të ri akademik 2026–2027, Federata Shqiptare e Sportit Universitar ju uron mirëseardhjen studentëve që nisin këtë vit rrugëtimin universitar dhe një vit të mbarë të gjithë atyre që rikthehen në auditorë.
Universiteti është dije, formim dhe përgatitje për profesionin, por jeta studentore ndërtohet edhe jashtë auditorit. Sporti është një pjesë e rëndësishme e saj, krijon miqësi, përvoja të reja dhe ndjesinë e të qenit pjesë e diçkaje më të madhe. Rezultatet, medaljet dhe rivalitetet kalojnë, por ajo që sporti na mëson mbetet me ne: mënyra si përballemi me sfidat, si punojmë me të tjerët, si respektojmë kundërshtarin dhe si ngrihemi pas një humbjeje. Janë vlera që nisin në sport, por na shoqërojnë shumë më gjatë në jetë.
Pikërisht këtë synojmë edhe ne në FSHSU.
Gjatë këtij viti akademik, studentët e universiteteve shqiptare do të kenë mundësi të përfshihen në kampionate dhe aktivitete kombëtare universitare në disiplina të ndryshme, si dhe të përfaqësojnë universitetet dhe Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.
Viti që lamë pas na dha një prej momenteve më të rëndësishme të sportit universitar shqiptar. Në shtator, Tirana mirëpriti European Universities Combat Sports Championships 2026, me mbi 1,600 studentë-sportistë, rreth 400 universitete nga 39 vende, në Karate, Taekwondo, Judo dhe Kickboxing. Për disa ditë, studentët shqiptarë nuk ishin vetëm pjesëmarrës, por edhe sportistë, vullnetarë dhe mikpritës të një prej aktiviteteve më të mëdha universitare sportive të zhvilluara në vendin tonë.
Por për Shqipërinë, ky kampionat solli edhe rezultate që na bëjnë krenarë. Studentët e universiteteve shqiptare fituan 5 medalje europiane: 2 ari, 1 argjendi dhe 2 bronzi.
🥇 Melos Gashi – Universiteti “Fan S. Noli”
Karate, Kumite -84 kg
🥇 Mal Sahiti – Universiteti Europian i Tiranës
Taekwondo, Kyorugi -80 kg
🥈 Klevis Zeneli – Universiteti “Fan S. Noli”
Kickboxing, K1 -67 kg
🥉 Luis Uruci – Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Kickboxing, K1 -75 kg
🥉 Gledis Buba – Universiteti i Sporteve të Tiranës
Taekwondo, Kyorugi -63 kg
Dhe rezultatet vazhdojnë. Vetëm 24 orë më parë, studentët shqiptarë u ngjitën sërish në podium ndërkombëtar, këtë herë në Itali, me vendin e tretë në Sile River Marathon Race 2026.
Tashmë shohim drejt sfidës së radhës. Shqipëria po përgatitet të mirëpresë edhe FISU World University Championships, me studentë-sportistë dhe delegacione universitare nga e gjithë bota. Për studentët shqiptarë, kjo do të thotë më shumë mundësi për të garuar, për të kontribuar si vullnetarë, për të fituar përvojë organizative dhe për të krijuar miqësi e kontakte ndërkombëtare.
Por sporti universitar nuk përfundon në fushën e lojës.
Gjatë vitit do të vijojmë punën në kuadër të Erasmus+ Sport, përmes projekteve europiane si ESSEPA dhe iniciativa të tjera si Youth Exchanges dhe aktivitetet ndërkombëtare për të rinjtë, të cilat u japin studentëve mundësinë të udhëtojnë, të punojnë dhe të mësojnë së bashku me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të Europës. Pasi sporti universitar është edhe një derë drejt Europës — përmes një gare, një projekti Erasmus+, një Youth Exchange, vullnetarizmit apo një aktiviteti ndërkombëtar.
Dhe ky vit ka një domethënie të veçantë për ne.
Në vitin 2027, sporti universitar i organizuar në Shqipëri mbush 10 vjet.
Një dekadë që nisi me ambicien për t'u dhënë studentëve shqiptarë më shumë mundësi për të garuar dhe përfaqësuar universitetet e tyre, dhe që sot na gjen duke organizuar kampionate europiane, duke u përgatitur për kampionate botërore dhe duke punuar krah universiteteve e organizatave sportive nga e gjithë Europa.
Kjo histori nuk është vetëm e Federatës. Është historia e studentëve që kanë veshur fanellën e universitetit të tyre, e atyre që kanë fituar medalje, e vullnetarëve, trajnerëve, pedagogëve dhe universiteteve që kanë qenë pjesë e këtyre dhjetë viteve.
Në prag të kësaj dekade, synimi ynë për vitin akademik 2026–2027 është i qartë: më shumë studentë në sport, më shumë universitete të përfshira dhe më shumë mundësi për studentët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Mirë se vini në një vit të ri akademik.
Shihemi në fushë, në projekte dhe kudo ku studentët shqiptarë përfaqësojnë universitetet e tyre! 🇦🇱🎓🏆
Besnik Veliu
President