11/10/2023
PLATFORMA KOMBËTARE PËR INTEGRIMIN EUROPIAN: FËMIJËT DHE TË RINJTË
Çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në BE. Në këtë kuadër, vlerësojmë dhe përgëzojmë hapat pozitivë që Shqipëria ka ndërmarrë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Nisur nga fakti që ky proces është mbi të gjitha një proces i një reformimi dhe transformimi thelbësor ligjor, shoqëror dhe administrativ, ne e konsiderojmë rolin që shoqëria civile luan në këtë proces një vlerë të veçantë.
Të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve zënë një vend tepër të rëndësishëm në shumë prej kapitujve të Acquis, ndaj angazhimi dhe kontributi i OSHC-ve të sektorit, si dhe vetë fëmijëve dhe të rinjve, në këtë proces transformues është kyç për të siguruar pjesëmarrjen qytetare në proceset vendimarrëse, fuqizimit të demokracisë dhe transparencës së institucioneve përkundrejt tyre.
Në këtë kuadër shtatë organizata kombëtare dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile, CRCA/ECPAT Shqipëri, Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për fëmijët (ALO116), MEDPAK, Save the Children në Shqipëri, SHKEJ, Terre des Hommes Shqipëri dhe World Vision Shqipëri, kanë nisur një proces të gjerë konsultimi, informimi dhe angazhimi me organizatat e shoqërisë civile që punojnë për / me fëmijët dhe të rinjtë në vend, për zgjerimin e Platformës Kombëtare për Integrimin Europian: Fëmijët dhe të Rinjtë.
Platforma synon të nxisë bashkëpunimin dhe punën e përbashkët, që do të lehtësonte angazhimin dhe kontributin e sektorit në negociatat për integrimin europian të Shqipërisë, pjesëmarrjen e shoqërisë civile, fëmijëve dhe të rinjve, në këtë proces transformues, si dhe transparencën e institucioneve përkundrejt qytetarëve dhe shoqërisë. Kjo kërkon përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e monitorimit dhe raportimit, në lidhje me përgatitjen e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, me qëllim forcimin e punës së përbashkët për të nxitur zbatimin e të gjithë ligjeve dhe standardeve të BE-së, si dhe rritjen e investimeve për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.