16/09/2025
Para pak ditësh, Qendra e Aarhus-it Tiranë, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Zyra e Koordinatorit të OSBE-së për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore, me mbështetjen dhe financimin e Ministrisë së Mjedisit dhe të Sigurisë Energjitike të Italisë. Ky takim kishte si synim zbatimin e dy Konventave, të Konventës së Espoo-s dhe të Konventës së Aarhus-it, për të mundësuar lehtësimin e dialogut dhe të bashkëpunimit ndërkufitar, në adresimin e sfidave mjedisore.
Në takim merrnin pjesë Pikat Fokale të Konventës së Espoo-s dhe të Pikave Fokale të Konventës së Aarhus-it nga Evropa Juglindore, si dhe përfaqësues nga Qendrat e Aarhus-it nga rajoni i Ballkanit.
Ky takim konsultativ u përqendrua në:
• Rritjen e ndërgjegjësimit dhe të njohurive mbi dispozitat e Konventave për pjesëmarrje publike dhe konsultime ndërkufitare në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis;
• Fuqizimin e kapaciteteve të Pikave Kombëtare të Kontaktit, për të zbatuar Konventat dhe për të bashkërenduar veprimet në nivel kombëtar të ndërmarra për konsultimin publik në procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis;
• Identifikimin e sfidave dhe të mangësive kombëtare dhe rajonale në zbatimin e Konventave;
• Mbështetjen për krijimin e një rrjeti rajonal të Pikave Kombëtare të Kontaktit.
Nga prezantimet e bëra nga Pikat Fokale të Konventave nga të gjitha vendet pjesëmarrëse: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia, Serbia, Rumania dhe Bosnjë-Hercegovina, vihej re pak a shumë, e njëjta problematikë në zbatueshmërinë e këtyre Konventave, që ka të bëjë me organizime formale të dëgjesave, mosnjohje shpesh apo dhe moszbatim si duhet në proceset e pjesëmarrjes publike, si për aktivitete brenda vendit, por dhe për ato ndërkufitare. Gjithashtu, dhe nga prezantimet e bëra nga përfaqësuesit e Qendrave të Aarhus-it vihej re mungesa e financimeve për këto qendra dhe shpesh neglizhenca e qeverive, për të përdorur në mënyrë efikase ekspertizën që këto qendra realisht ofrojnë në zbatimin e shtyllave të Konventave.
Gjatë dy ditëve të takimit, u shkëmbyen shume ide, se si mund të përmirësohej ky proces aq i rëndësishëm për një zhvillim sa më të qëndrueshëm në fushën e mjedisit, jo vetëm brenda secilit vend, por dhe për vendet fqinje.
Ndarja e përvojave pozitive nga vendet e Bashkimit Evropian, siç ishin prezantimet nga përfaqësuesit italianë, sllovenë dhe rumunë, por dhe ekspertiza e vyer e ekspertëve Jerzy Jendroska dhe Martin Smutny, e kthyen këtë takim në një shkollë të vërtetë legjislacioni, zbatueshmërie konventash dhe përvojash të ndryshme mjedisore.