22/10/2024
Letër e hapur drejtuar:
- Institucioneve politike, qeveritare dhe legjislative,
- KQZ-së
- Mediave
- Organizatave të të drejtave të njeriut, të grave dhe të rinisë
- Opinionit publik
Barazia Gjinore: Thelbi i Një Demokracie të Fortë
Nga Jeta Katro dhe Lajla Pernaska
Çfarë janë kuotat gjinore dhe pse sot ato nxisin debatin publik?
Kuotat gjinore njihen sot si masa që përdoren për të ndryshuar përbërjen e organeve vendimmarrëse për të siguruar ekuilibrin gjinor, pasi pjesëmarrja e grave nuk ndodh përmes proceseve organike. Megjithatë, kuota është e përkohshme. Për ata që kundërshtojnë kuotat, ata duhet të dinë se termi "diskriminim pozitiv" (si një term që nënkupton të drejtën e grave për të konkurruar me kuotë për shkak të rrethanave të tyre të pafavorshme) ose "seksizmi dashamirës” ka ushqyer paragjykimin se gratë kanë nevojë për kuota gjinore sepse nuk kanë aftësi për të kontribuar dhe për të pasur sukses. Se grave u ofrohet trajtim preferencial, i cili nga gjinia tjetër gjykohet si e padrejtë, gje që nuk ështe e vërtetë.
Çfarë solli kuota për gratë shqiptare?
Kuota solli zhvillime të reja në Shqipëri që erdhën edhe si rezultat i ndikimit të saj pozitiv në faktorë të ndryshëm, si në nivel qendror ashtu edhe lokal. Realizimi me sukses i kuotës në 16 vjet në Shqipëri solli 1. krijimin e politikave dhe mekanizmave gjinorë, 2. fuqinë për të ndryshuar diskriminimin sistematik ndaj grave, 3. përmirësimin e qëndrimit publik në mbështetje të grave, 4. rritjen e diversitetit gjinor në qeverisje, legjislativ, lidershipin politik dhe biznes, 5. më shumë mundësi karriere për gratë, si dhe 6. mundësinë për të qenë drejtuese të forcave politike.
Gratë shqiptare kanë menaxhuar dhe vazhdojnë të menaxhojnë portofolet e institucioneve më të rëndësishme qeveritare si atë të mbrojtjes dhe ekonomisë. Ato kanë një rol të rëndësishëm për barazinë gjinore në shoqëri. Sot, Shqipëria renditet ndër vendet e para në botë për përfaqësimin e grave me 66.7% në Kabinetin e Ministrave.
Arritjet e saj nuk janë të pakta, ndaj sot ndihemi krenarë për atë që është arritur gjatë gjithë këtyre viteve. Por kuota ka edhe dritëhijet e saj që sot më shumë pengojnë sesa lehtësojnë procesin e fuqizimit politik të grave.
Në 16 vjet u rritën numrat dhe u tjekaluan përmes kuotës, por kuota nuk prodhoi zërin dhe modelin ndryshe tëe grave? Sigurisht, kjo ka arësyet dhe pengesat e saj. Pengesa që lidhen edhe me interesat dhe performancën e grave të zgjedhura përmes kuotës, apo mos komunikimin dhe bashkëpunimin e tyre me aktorë të tjerë të shoqërisë. Dhe jo vetëm me strukturat shtetërore në të gjitha nivelet (sot inegzistente), por edhe me forumet politike të grave (pothuaj të shkrira dhe pa eficencë), organizatat e grave, elektoratin që i zgjodhi dhe komunitetin që përfaqësojnë.
Çfarë është vënë në rrezik?
Të dhënat gjinore në Shqipëri tregojnë jo vetëm progres, por edhe një hendek gjinor që e bën ende të largët barazinë gjinore në vend, për sa kohë nuk kemi një pjesëmarrje të barabartë të grave në të gjitha proceset e barazisë. Demokracia ka nevojë për pjesëmarrje të barabartë të grave në të gjitha proceset e saj, ajo nuk mund të arrihet për sa kohë nuk kemi një konsensus në zhvillim se pushteti duhet të përdoret për të krijuar barazi.
Por çfarë është vënë në rrezik sot? Ndër to përmendim: 1. Procesi i bashkëpunimit të grave të zgjedhura me kuotë me institucionet drejtuese të administratës qeveritare, forumet e grave, organizatat dhe komunitetin e grave (i humbur) 2. zëri ndryshe i gruas në vendimmarrje (i munguar), që e bën të perceptohet si më pak kompetente, 3. atrofimi i mekanizmave institucionalë gjinorë edhe për shkak të pasivitetit dhe indiferencës së grave, sidomos atyre të zgjedhura, 5. modelin e gruas (nuk kemi), mungesa e të cilit ka nxitur ringjalljen e steriotipeve gjinore si dhe lutfën brenda llojit, e për rrjedhoje intensifikimin e rivalitetit të grave. Prandaj, sot ka ardhur koha për të ndjekur rrugë dhe strategji të reja për fuqizimin politik të gruas.
Ato që deklarohen sot në favor të kuotave, ndryshe nga ne që jemi në favor të një gare të drejtpërdrejtë midis burrave dhe grave që sjell në skenë talentet e reja dhe gratë e bazuara në vlerat dhe meritat e tyre, e shohin rrezikun e heqjes së kuotës më shumë të mbështetura në paragjykime, apo ringjalljen e stereotipeve gjinore. Sipas gjykimit të tyre, heqja e kuotës çon në rekrutimin e më shumë burrave në krahasim me gratë, më pak mbështetje për gratë, më shumë vlerësime negative për to, gjë që sipas tyre do të prishte balancën e arritur që do të ndodhte edhe për shkak të vetë tërheqjes së grave.
Por a mund të ndodhë kjo pas 16 vjetësh, kur ne jemi në shekullin e inteligjencës artificiale, e cila ka gjeneratën e saj? A mund të ndodhë kjo kur në vendin tonë kemi më shumë gra të arsimuara në nivelet më të larta të edukimit? Kur platformat sociale shpërndajnë informacione mbi zhvillimet në vend dhe në botë me shpejtësi marramendëse? Kur sot në botë ka shumë alternativa të tjera që krijojnë hapësira të reja për gruan dhe forcojnë statusin e saj politik, nga të cilat mund të përfitojnë edhe gratë shqiptare? A mund të kthehemi hapa prapa me gjithë këta tregues? Ne nuk mendojmë kështu. Sot është ndoshta koha për të korrigjuar dhe jo vetëm. Sot duhet të flasim për atë që kemi arritur, por edhe për atë që nuk kemi bërë dhe duam të bëjmë.
Çfarë kërkohet?
Ne besojmë në aplikimet e vlerësimit të bazuara në kompetencë, meritë dhe vlerë për burrat dhe gratë. Që nga viti 2020, një kthesë e fortë ka ndodhur në jetën e grave në botë. Gratë shqiptare nuk kanë mbetur asnjëherë pas motrave të tyre në rajon dhe në botë. Ndaj duhet të mbajmë gjallë betejën për fuqizimin politik të gruas, por tashmë përmes listave të hapura, të cilat janë kthyer në pikë diskutimi kritik.
Zgjedhjet e ardhshme janë në prag, ndaj të tregojmë mbështetjen tonë për gratë e duhura në kutinë e votimit. Gratë nuk janë shtesa apo zëvendësim për burrat. Përkundrazi, ato luftojnë për të ofruar atë që meshkujt nuk mund ta bëjnë, diçka ndryshe, sepse vetë gjinitë janë të ndryshme, me nevoja dhe kërkesa të ndryshme. Ato promovojnë perspektiva dhe mënyra të reja për të zgjidhur problemet, të cilat do të çojnë në produktivitet më të lartë dhe një mjedis më të mirë pune.
Duke qenë se zgjedhjet janë afër, në emër të të gjithë burrave dhe grave (nga vendi dhe diaspora) që kanë mbështetur ose votuar për peticionin “Nga kuotat në meritokraci”, kërkojmë që:
1. Qeveria dhe partitë politike të investojnë në politika dhe programe për të promovuar pjesëmarrjen e barabartë gjinore në politikë
Qeveria dhe partitë politike duhet të investojnë në trajnimin e grave kandidate (të rekrutuara në bazë të meritave dhe aftësive) për të zhvilluar aftësitë e tyre drejtuese dhe të fushatës, dhe të organizojnë financimin e fushatës së tyre, për të promovuar dhe siguruar pjesëmarrje të barabartë në politikë.
2. Të sigurohet trajtim i barabartë i votuesve femra, kandidatëve në listat zgjedhore dhe administratorëve zgjedhore
Organet e menaxhimit zgjedhor dhe palët e tjera të interesuara duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë politika dhe kode sjelljeje gjithëpërfshirëse që promovojnë mosdiskriminimin, integritetin, transparencën, lirinë nga dhuna dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Për të mbrojtur të drejtat e grave për të votuar, qeveria duhet të garantojë sigurinë në qendrat e votimit dhe t'i mbrojnë gratë nga dhuna ose frikësimi. Përfshirja e grave në administratën zgjedhore rrit gjithëpërfshirjen dhe besueshmërinë e zgjedhjeve dhe inkurajon më shumë gra të votojnë.
3. T'i jepet fund dhunës ndaj grave kandidate dhe atyre në politikë
Qeveria duhet të miratojë dhe zbatojë politika për parandalimin e dhunës verbale dhe fizike ndaj grave gjatë proceseve zgjedhore dhe jetës parlamentare, siç ishte rasti i deputetes M. Konomi nga homologët e saj nga opozita. Dhuna dhe kërcënimet verbale apo në internet kundër grave lidere, kandidateve dhe votueseve dëmtojnë potencialin e zërit dhe njohurive të tyre për të sjellë ndryshimin që nevojitet për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale në vend. Qeveria të mbledhë të dhëna për ngacmime të tilla dhe të mbajë përgjegjës individët, mediat dhe kompanitë e mediave sociale.
4. Të inkurajohet mbulimi i drejtë dhe transparent mediatik i pjesëmarrjes politike të grave
Media duhet të sigurojë mbulim të balancuar të të gjithë kandidatëve, të garantojë akses në media për të gjitha kandidatet femra të të gjitha partive politike, të ndalojë gjuhën e urrejtjes dhe retorikën që nxit dhunën, të dekurajojë stereotipet dhe diskriminimin gjinor në proceset zgjedhore, të vendosë mbikëqyrje të pavarur të këtyre rregulloreve si dhe sanksione në rastet e shkeljeve.
Bashkohuni me ne
I ftojmë të gjithë aktorët e shoqërisë civile të bashkohen me nismën për hapjen e listave për t'iu përgjigjur zhvillimeve të reja me masa dhe politika të reja, sa më shpejt dhe në kohë. Së bashku le të monitorojmë zbatimin e kërkesave tona dhe të bëjme zërin tonë të dëgjohet. Së bashku, ne mund t’ia arrijmë.