21/08/2026
Zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht debatet publike mbi cilësinë dhe përbërjen e disa produkteve ushqimore vendore, si dhe trajtimi i përgjithësuar i prodhuesve, kanë nxitur reagimin e Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH).
FEMSH vlerëson se kjo nuk është një çështje vetëm e Kosovës, por një fenomen që prek të gjithë hapësirën ekonomike mbarëshqiptare, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e konsumatorit, besimin te prodhuesit vendor dhe qëndrueshmërinë e ekonomive tona.
FEMSH përshëndet reagimin e shpejtë dhe parimor të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), e cila ka dëshmuar vazhdimisht se është një hap përpara në evidentimin e problematikave dhe në mbrojtjen e interesave të ligjshme të prodhuesve vendorë.
Siguria ushqimore dhe e drejta e konsumatorit për informacion të saktë janë detyrime ligjore dhe institucionale që duhet të zbatohen pa përjashtim. Çdo prodhues që shkel ligjin dhe cenon sigurinë e konsumatorit duhet të identifikohet dhe të mbajë përgjegjësi individuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe shkeljet individuale nuk duhet të përgjithësohen dhe të cenojnë reputacionin e sektorit të prodhimit.
Prodhuesit që investojnë në standarde, procese të kontrolluara, certifikime dhe respektimin e kërkesave ligjore përballen me kosto të konsiderueshme për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve. Kur praktikat e paligjshme të një prodhuesi shndërrohen në gjykim ndaj gjithë sektorit të prodhimit, dëmtohen pikërisht ata që veprojnë në përputhje me ligjin.
Në këtë kuadër, FEMSH vlerëson se nevojitet një platformë strategjike e mbështetur në tri drejtime të qarta: një vlerësim i plotë dhe objektiv i sipërmarrjes prodhuese sipas sektorëve, për të verifikuar standardet dhe protokollet e prodhimit; forcimi i reagimit të prodhuesve të ndershëm dhe i shoqatave të tyre ndaj operatorëve që nuk i përmbushin këto standarde; si dhe kontrolli i barabartë e transparenca nga institucionet për produktet vendore dhe ato të importuara. Për çdo mospërputhje duhet të mbajë përgjegjësi subjekti konkret, pa dëmtuar reputacionin e sektorit të prodhimit.
Mbrojtja e konsumatorit dhe mbrojtja e prodhimit vendor nuk jane interesa të kundërta. Përkundrazi, prodhuesi që respekton ligjin dhe standardet është aleati i parë i konsumatorit. Të dyja interesat mbështeten mbi të njëjtin parim: rregulla të qarta, zbatim të barabartë dhe institucione që veprojnë me përgjegjësi.
FEMSH thekson se kjo çështje shkon përtej një sektori ose një tregu të vetëm. Në kushtet kur ekonomitë e hapsirës mbarëshqiptare po përballen me deficit tregtar dhe me varësi të lartë nga importet, sipërmarrja prodhuese dhe eksportuese duhet të inkurajohet dhe forcimi i kapaciteteve vendore është me rendësi të konsiderohet një interes thelbësor i përbashkët ekonomik mbarëshqiptar. Çdo kapacitet prodhues që dobësohet ose largohet nga tregu krijon më shumë hapësirë për importet dhe cenon qëndrueshmërinë ekonomike.
FEMSH mbështet pa rezervë kontrollet, transparencën dhe zbatimin e ligjit. Njëkohësisht, kërkon që komunikimi institucional dhe publik të jetë i bazuar në fakte, të jetë proporcional dhe i përgjegjshëm, duke shmangur përgjithësimet që dëmtojnë besimin te prodhuesit që përmbushin kërkesat ligjore. FEMSH mbetet i angazhuar të kontribuojë në një dialog të strukturuar ndërmjet institucioneve, dhomave të tregtisë, shoqatave të prodhuesve dhe përfaqësuesve të konsumatorëve, duke nisur nga problematikat e shfaqura në Kosovë dhe duke e shtrirë këtë qasje në tërë hapësirën ekonomike mbarëshqiptare.