01/01/2026
Çdo vit që kalon, jo vetëm na rrëmben moshën, por edhe na godet me shuplaka herë të dhimbshme e herë motivuese.
Edhe këtë vit, ashtu sikurse vitet që lamë pas, fotografitë më të bukura që shpirti yt do përqafojë fort, janë jo ato qindra e miliona fotografi nga aparatet celulare, por fotografitë e shkrepura nga sytë tanë, në momente lotësh nga lumturia a hidhërimi.
Sikur edhe njëherë t’i përjetonim sërish ato momente apo jo?
Por tik-taku i jetës ecën, vrapon dhe pas tij vrapojmë edhe ne, herë pa frymë e herë të djersitur. Kur kthejmë kokën pas, ekziston mundësia edhe të themi “kam vrapuar shumë, sikur të kisha ndaluar pakëz,vetëm pakëz fare”.
Nostalgjia jo rrallëherë na struk në botën e saj. Këtë vit dikush ka humbur një njeri të veçantë, dikush ka humbur shpirtin e tij në labirinthe të paskajshme, dikush ka gjetur dashurinë e jetës, dikush ka fituar emrin më të bukur “nënë” e dikush ka humbur shtëpinë të ndërtuar me hallet shqiptare. Dhe të gjithë janë përreth nesh. Sikur t’i zgjasim duart, do arrijmë të prekim dhimbjen a lumturinë e tyre. Sikur të shikojmë përtej botës sonë, do kuptojmë se sa e bukur edhe e shtrenjtë është jeta. Sikur të arrijmë të depërtojmë në forcën e atyre që tanimë nuk kanë asgjë për të humbur, ajo forcë do bëhej pjesë e jona. Sikur të arrijmë të dhurojmë buzëqeshje në sytë e trishtuar, kjo botë do ishte plot shpresë. Sikur të fillojmë t’i lëmë pas mëritë e hatërmbetjet, xhelozinë a zilinë për tjetrin.Sepse ndryshimi fillon nga secili prej nesh.
Vitet që vrapojnë kanë marrë jo vetëm sekondat e frymës sonë, por edhe na kanë mësuar se në këtë jetë, gjithçka që kemi janë njerëzit përreth nesh edhe dashuria për to. Pasuria përballë qënieve humane është një hiç! Disa lekë më shumë pasurojnë xhepin, por të varfëron në shpirt.
Ndaj dhuroni dashuri!
Jini motiv i buzëqeshjes së një njeriu të dëshpëruar! Në panoramën e fundvitit qofshin të gjithë të bashkuar sepse asnjëherë nuk është vonë për të shprehur pendesë a ndjesë. Qoftë ky vit përplot buzëqeshje e lumturi në zemrat e secilit prej nesh! 💝