04/10/2026
BOTOHET KOLANA E VEPRAVE FILOZOFIKE TË PROF. ISUF LUZAJ
Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”, pas një hulumtimi dhe studimi dhjetëvjeçar, sapo nxori në dritën e botimit katër veprat filozofike të filozofit të shquar shqiptar, prof. Isuf Luaj, që do te pasohen së shpejti edhe me botimin e gjashtë vëllimeve të tjerë të veprës së tij letraare , historike dhe memuaristike, një pasuri e jashtëzakonshme e kulturës shqiptare.
Isuf Luzaj lindi në Kaninë, u rrit dhe u formua në një familje atdhetare e të kulturuar edhe në mjedisin patriotik të qytetit të Vlorës, ku mori mësimet e para dhe ndjesinë e së bukurës, më pas në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, ku forcoi prirjet letrare, mandej studimet në universitetin e Sorbonës në Francë, ku u diplomua doktor dhe profesor i letërsisë e filozofisë me rezultate të shkëlqyera.
Një memorie e studentit Isuf Luzaj për studimet universitare në Sorbonë të Francës:
““Që në moshën e gjelbërt, kur koha ka ngjyra ylberi dhe jeta është e shijuar me kripë, piper, mëndërz e rigon, më ka shpuar si turrjelë në tru të studjoj këtë temë. Një anektodë e asaj jete e ilustron më mirë arësyen e qëllimit t’im. Ishin Krishtlindjet e vitit 1933, në Sorbonnë, mësonjësi plak që i ngjante Moisiut të Mikelanxhelos na shpërndante temat e hartimit shtëpijak. “Kam, - tha, - një temë që kërkon vullnet dhe kohë, kush të dojë ta marrë: “Filozofia e qytetërimevet”. Pasi i ndau ata kartonë si letrat e kumarit, mbeti pa vullnetar ajo temë. J’u luta të ma jepte mua. - Po, - tha, - po nga ç’grup ethnik vjen ti?- Shqiptar...- Mendohu më parë se ta marrësh se kotizacioni im për ju, do ketë influencë në notat e tremujsh*t të parë, në kursin tim, që ish ai i “Logjikë dhe Metodologji”. Pikëpamjet Mesdhetare janë përtacë si mendërisht dhe fizikisht sa që unë kam krijuar verbin BALCANISER d.m.th, numërim këmbësh në vend pa bërë një çap përpara”. Arroganca e mjeshtrit qurrac më zemëroi mentalitetin Iliro - Thrak.- E dua unë, - thashë me zë autoritar.- Mirë, mirë, mirë - tha. E studjova gjatë pushimevet, mirë dhe imtësisht temën dhe i shkruajta pikërisht 72 faqe, dorëshkrim. Ia dhanë temën e hartimIt. Pas shumë kohe, I pruri të korrigjuar dhe çmuar me notat 10 deri 20, siç ish sistemi i Sorbonnës. I shpërndau gjithsecilit temën e tija, duke më mbajtur mua mbi gjemba; më në fund tha: errare humanium est. Përgëzime shqiptar. Shpjere në zyrën e shoqërisë së filozofisë ta botojën në SHAPTILOGRAF dhe t’a marrë kush të dojë ’a lexojë. Kishja marrë 20- të njëzetat”
Prof.Isuf Luzaj është një fenomen shmëdimensional, ku ndërthurret student i shkëqyer, mësonjësi i shkollave te mesme, luftëtari nacionalist e demokrat, antifashisti i orëve të para, antikomunisti dhe veprimtari i bashkimit kombëtar, delegati i Ballit Kombëtar në kuvendin e Mukjes për një Shqipëri të lirë demokratike dhe etnike, i burgosur dhe i internuar në Ventotene nga fashizmi, i syrgjynosur dhe anatemuar nga diktatura komuniste, ku “Lumenjtë rrjedhin të kuq, siç shkruan ai, refugjati politik i endur nëpër botë, filozofi, historiani, sociologu, pedagogu, kritiku, anrtopologu, poeti, rrëfimtari, polemisti, me një prodhimtari të jashtëzakonshme krijuese, gati të panjohur e të pabotuar.
Ja sesi e përshkruan Luzaj burgosjen e tij nga fashistët në ishullin Ventotene dhe sesi u pritën të 67 të arrestuarit e tjerë antifashistë shqiptarë nga të burgosurit e tjerë antifashistë të mëparshëm në Ventotene:
“Sot në ora 12.30 të mesditës vapori vogël na zbarkoi në Ventotene. Ngjitëm rrugën zikzake prej 387 shkallësh, lidhur duarpërduar 67 veta, nga shumë lloje rojesh të Sigurimit fashist, Kërkonin të afroheshin shqipot e burgosur qysh më parë, për të na thënë këshilla e përshëndetje. Dallogej ndër ta koka tullace e Llazar Fundos, mustaqet e gjëmbta të Faslli Frashërit, goja e madhe e Selman Rizës, trupi i bëshëm i Safet Butkës, sytë e ndritur të Abaz Ermenjit, e bastuni i trashë i Leonidha Naçit. Një zë i egër shkodran bërtiti: “Mos nderoni tue çue dorën (allafashiste), mor djem! Ishte Dan Hasani trim, i ndershëm e bujar shkodran”
Bashkë me ta, edhe Isuf Luzaj ndimësoi në projektin e Evropës së Bashkuar, një kontribut madh i mendimtarëve, antifashistëve dhe demokratëve shqiptarë të burgosur në Ventotene, në bashkëpunim me antifashistët e shquar evropianë Sandro Pertini, Altiero Spineli etj për të hedhur themelet e Bashkimit të sotmë Evropian.
Bashkëthemelues i partisë socialdemokrate me Musine Kokalarin, Skënder Muçon dhe Selman Rizën, si një rrugë e mesme demokratike e liberale, me program liritë politike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Mëtues i shkollës së filozofisë ekzistencialiste vepruese tek veprat filozofike, ngjizur me frymëm Luziane të rindërtimit të fuqive shpirtërore, njohës e interpretues i filozofëve të mëdhenj të antikitetit, Rilindjes e të kohëve moderne deri te Niçe, Sartri , Kamy, Bergson etj, por që mbeti kurdoherë vetvetja si filozof.
Veprat shkencore, letrare, eseistike, memuaristike, por edhe kontributi i shquar akademik në universitetet e Argjentinës dhe të SHBA, e bënë të njohur e të nderuar në botë. Shkrimtari i madh Borges i shkruan: “Lexova ditarët e tu dhe jam i gëzuar që një poet i huaj ka arritur lartësi akademike. Ju kini lindur poet”.
Vlerësimi i Fan Nolit në Boston ishte i ndjerë: “I dashur lab, do të vish këtu si delegat i filozofisë nga universiteti i Buones Aires, kishën e Shëngjergjit e ke si shtëpinë tënde dhe të pres përzemërsisht”. Presidenti i SHBA Regan i dorëzoi dekoratën “Profesor i merituar i Amerikës”.
Vetëm vitet e fundit, edhe Shqipëria demokratike e dekretoi me urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”, ndërsa Instituti i Studimeve Historike që unë drejtoj, ka përgatitur botimin e veprës së plotë të Isuf Luzajt në 10 vëllime.
I mërguar nga atdheu, Isuf Luzaj e ruajti në shpirt dhe në vepra dashurinë e përpjekjen për mëmëdheun dhe i ktheu sytë i malluar edhe në çastet e fundit para 25 vjetësh:
“Në Kaninë të më bëni varr.
E dua Shushicën pranë
kodrat, ullinjtë e kalanë.
Karshi të kem det
Triport, Karaborun e Sazanë,
Gjallë nuk më lanë t’i shoh,
I vdekur, ndoshta nxjerr mallë”.
Disa vlerësime për veprën e ISUF LUZAJ:
Puna e Isuf Luzajt u vlerësua me titullin e lartë “Profesor i Amerikës”, akorduar nga Presidenti Regan i pranishëm në ceremoni, tek Luzaj shprehet: “I lutem Zotit të mos jetë e vërtetë kjo që mendoj unë. Se unë mendoj që kam mësuar më shumë unë nga ju, se ju nga mua”.
|“I nderuar Profesor,
I admiruari im Borges më dërgoi “Lumenjtë” dhe fjalë të mira për ju. Edhe pse nuk jam dakord me fenë dhe me politikën tuaj, ne mund te jemi miq, si poetë. Poezitë dhe novelat tuaja shprehin fuqishëm vullnet, dashuri për atdheun dhe mallin e të mërguarit. Edhe pse nuk keni gjuhën tonë, këto do të jenë një zbulim për poetët latino-amerikanë
Me simpati poetike “
Pablo Neruda
“Profesor Isuf Luzi
Buen Aires
I dashur shqiptar, lexova ditaret dhe jam i gëzuar që shoh se një poet i huaj ka arritur këtë lartësi akademike.
Gjithmonë kam folur për ecurinë tuaj intelektuale, por nuk do të më pëlqente që rutina akademike t’ju largonte nga spontaniteti i imagjinatës poetike. Kujtoni gjithmonë ç’ju kam thënë: Ju keni lindur poet dhe jeni bërë mësues i jetës. Kjo është një shenjë e mirë që tregon tiparet e demokracisë sonë, e cila priret drejt zbulimit të vlerave morale. Një përqafim nga miku juaj dhe i atdheut tuaj”.
Jorge Luis Borges
“I dashur lab,
Lexova në gazetë që do vish këtu si delegat i Universitetit të Buenos Airesit në konvencionin botëror të filozofisë. Shën Gjergjin e ke si shtëpinë t’ënde. Këtu do të vinë për të të mirëseardhur shumë shqipo të mërgatës t’ënde.
Të pres vëllezërisht”
Fan Noli
‘”Njoha Isuf Luzin, profesor të letërsisë dhe Selman Rizën, gjuhëtar i zoti. Që të gjithë ishin të shqetësuar për fatin e luftës, aq më tepër se në rrethin e Vlorës, ku kishin çetat e tyre …Me këta njerëz e shtrova prapë mbi një koalicion demokratik. Duke u mbështetur te Dekalogu, thashë që të formohej Partia Social-Demokrate. E pranuan dhe pas shumë debatesh më tepër unë me Isuf Luzin përpiluam programin e Partisë dhe moralisht njohëm Skënder Muçon si udhëheqës që të miresh më tej”
Musine Kokalari
“I dashuri shok -
Në qoftë se jemi kuptuar mirë në bisedimet tona me rastin e burgut të përbashkët në lëvizjen e Fierit; në qoftë se unë të kam njohur e ti më ke njohur; në qofsh ashtu siç të kam çmuar unë, ti një ditë do të kesh nderin të zësh vendin e parë në lëvizjen antifashiste. Gjesti yt na ka mbushur me admiracion të gjithë ne që të njohim shpirtërisht. Ji i sigurt që je i vazhduem prej gjithë rinisë shqiptare e cila për së shpejti do të vihet në veprim nën direktivat e prijsve të saj...”
Mustafa Gjinishi