11/08/2026
Në kuadër të projektit të zbatuar nga Prospective Habitat NGO, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, u ndërmorën një sërë aktivitetesh për dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të Hasit.
Në kuadër të projektit u realizuan dy albume të veçantë:
“Trashëgimia Kulturore dhe Historike, Letaj, Has, Kukës”
“Trashëgimi Kulinare e Hasit – Shijet që Trashëgojnë Historinë”
Përmes tyre u dokumentuan historia, traditat, objektet dhe pasuria kulinare e zonës. Në kuadër të projektit u dokumentuan mbi 100 objekte muzeale dhe u dokumentuan e arkivuan 5 receta tradicionale të Hasit, si pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Një nga momentet kryesore të projektit ishte organizimi i Ditës së Trashëgimisë së Hasit, me pjesëmarrjen e rreth 150 personave nga komuniteti lokal dhe aktorë të ndryshëm kulturorë.
Aktiviteti solli në fokus trashëgiminë historike dhe kulinare të Hasit, duke krijuar një hapësirë për ndarjen e traditave, historive dhe njohurive të trashëguara ndër breza.
Një rol të veçantë patën gratë dhe të rinjtë e zonës, të cilët u përfshinë aktivisht në dokumentimin dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore.
Në kuadër të projektit u krijua gjithashtu harta digjitale kulturore e Hasit dhe website-i i dedikuar projektit, duke e bërë këtë pasuri më të aksesueshme për komunitetin, vizitorët dhe publikun e gjerë.
Një projekt që synon të dokumentojë, ruajë dhe promovojë trashëgiminë e Hasit dhe ta përcjellë atë tek brezat e ardhshëm.
"Sepse trashëgimia që dokumentohet, ruhet. Dhe trashëgimia që transmetohet, jeton..."