Profesionistët e Lirë për Shqipërinë

Directions

Profesionistët e Lirë për Shqipërinë Contact information, map and directions, contact form, opening hours, services, ratings, photos, videos and announcements from Profesionistët e Lirë për Shqipërinë, Nonprofit Organization, Sulejman Pitarka 13, Tirana.

Promovim,lobim dhe propozime aktive qe synojne ndertimin e nje shoqerie te lire te sunduar nga ligji duke jetesuar inisiativa me karakter edukues,social,kulturor e ligjor,nxitjen e te drejtave te njeriut,zbatim te shtetit te se drejtes,etj

24/10/2026

PLATFORMË KOMBËTARE PËR NEGOCIMIN DHE ZGJIDHJEN E KRIZËS.

Deeskalim, dialog politik dhe marrëveshje për zgjedhje të lira, të barabarta dhe të pranueshme nga palët

Hartuar nga: Shoqata «Profesionistët e Lirë për Shqipërinë» – ProALB-NGO
Qëllimi: Ndërmjetësimi neutral, ndalimi i përshkallëzimit të situatës, hapja e dialogut politik dhe institucional dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës.

I. KONTEKSTI DHE DOMOSDOSHMËRIA E NDËRMJETËSIMIT.

Zhvillimet e fundit dhe protestat në Tiranë dëshmojnë se situata nuk mund të trajtohet vetëm si një çështje e rendit publik apo si një konflikt i kufizuar mes protestuesve dhe institucioneve shtetërore.

Përtej kërkesave të studentëve dhe pedagogëve, në protestë është artikuluar edhe një kërkesë me karakter politik kombëtar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore, e cila të përgatisë kushtet ligjore dhe institucionale për zgjedhje të lira, të barabarta dhe të pranueshme nga palët politike.

Përballë kësaj situate, përgjigjja vetëm me masa policore, deklarata politike apo premtime të pjesshme nuk krijon domosdoshmërisht kushtet për një zgjidhje të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, përshkallëzimi i dhunës, dëmtimi i pronës publike, cenimi i sigurisë së qytetarëve dhe përplasjet me forcat e rendit rrezikojnë të largojnë vëmendjen nga kërkesat themelore të protestës.

Për këtë arsye, Shoqata «Profesionistët e Lirë për Shqipërinë» propozon ngritjen e një procesi të strukturuar negociimi, që të përfshijë qeverinë, opozitën, përfaqësuesit e studentëve dhe pedagogëve, si dhe aktorë të pavarur të shoqërisë civile.

Parimi themelor i kësaj platforme është se kriza duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike dhe institucionale, jo përmes dhunës, imponimit apo përshkallëzimit të konfliktit.

ProALB-NGO ofron kapacitetet e saj profesionale për të lehtësuar dialogun, pa pretenduar të zëvendësojë institucionet kushtetuese, përfaqësimin politik apo vullnetin e studentëve dhe pedagogëve.

FAZA I: DEESKALIMI I MENJËHERSHËM DHE GARANTIMI I SIGURISË

Afati i propozuar: 0–24 orë

Objektivi i kësaj faze është krijimi i kushteve minimale të sigurisë dhe besimit për fillimin e negociatave.

1. Marrëveshje për ndalimin e përshkallëzimit.

Propozohen angazhime publike dhe reciproke nga të gjitha palët:
Qeveria dhe Policia e Shtetit:
•Të garantojnë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubim dhe protestë paqësore.
•Të zbatojnë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe llogaridhënies në çdo ndërhyrje policore.
•Të shmangin përdorimin e panevojshëm të forcës dhe veprimet që mund të provokojnë përshkallëzimin e situatës.
•Të krijojnë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me përfaqësuesit e protestës.

Studentët, pedagogët dhe organizatorët e protestës:

•Të angazhohen për karakterin paqësor të protestës.
•Të bashkëpunojnë për parandalimin e akteve të dhunës, dëmtimit të pronës dhe rrezikimit të qytetarëve.
•Të ruajnë aksesin për shërbimet e emergjencës dhe të mos pengojnë funksionimin e institucioneve jetike.
Opozita politike:
•Të mbështesë zgjidhjen përmes një procesi negociimi dhe të kontribuojë në shmangien e përshkallëzimit.
•Të përcaktojë qartë qëndrimin e saj për reformën zgjedhore dhe propozimin për qeverinë tranzitore.
•Të respektojë autonominë e studentëve dhe pedagogëve në përcaktimin e kërkesave dhe përfaqësuesve të tyre.

2. Mekanizëm civil për komunikim dhe monitorim.

ProALB-NGO propozon ngritjen e një grupi civil monitorues me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve, juristëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Grupi do të ketë këto funksione:

•Të lehtësojë komunikimin mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
•Të dokumentojë dhe raportojë incidente në mënyrë të paanshme.
•Të njoftojë palët për situata që rrezikojnë përshkallëzimin.
•Të ndihmojë në identifikimin e personave që kryejnë akte të dhunshme, duke ia referuar informacionin organeve kompetente.

Ky grup nuk do të ketë kompetenca policore, nuk do të kryejë kontrolle dhe nuk do të zëvendësojë autoritetet ligjzbatuese.

3. Propozim për masat ndaj personave të ndaluar ose proceduar

Të kryhet një shqyrtim individual, transparent dhe në përputhje me ligjin i rasteve të personave të ndaluar ose të proceduar gjatë protestave.

Të bëhet dallimi ndërmjet pjesëmarrjes në protestë, shkeljeve administrative dhe akteve konkrete të dhunës apo dëmtimit të pronës.

ProALB-NGO propozon:

•Garantimin e të drejtave procedurale të çdo personi.
•Shqyrtimin e shpejtë të masave të sigurisë nga autoritetet kompetente.
•Zbatimin e parimit të proporcionalitetit.
•Mospenalizimin e pjesëmarrjes paqësore në protestë.
•Hetimin e pavarur të çdo pretendimi të besueshëm për përdorim të paligjshëm të forcës.

Çdo vendim për pushimin, pezullimin apo vijimin e procedimit duhet të merret nga organi kompetent, sipas kushteve të parashikuara nga ligji.

Rezultati i pritshëm: Ulja e tensioneve, shmangia e incidenteve të reja dhe krijimi i kushteve për negociim.

FAZA II: TRYЕZA KOMBËTARE E NEGOCIIMIT.

Afati i propozuar: Brenda 48 orëve

1. Ngritja e tryezës së dialogut

Shoqata «Profesionistët e Lirë për Shqipërinë» propozon vënien në dispozicion të ekspertizës profesionale dhe të një mjedisi neutral për organizimin e tryezës së negociimit.

Takimi fillestar do të zhvillohet pa transmetim të drejtpërdrejtë, me qëllim krijimin e një hapësire për diskutim real dhe jo për komunikim propagandistik.

Pas çdo takimi mund të publikohet një përmbledhje e dakordësuar, pa cenuar konfidencialitetin e negociatave.

2. Përbërja e tryezës.

A. Përfaqësimi i studentëve dhe pedagogëve.
•Pesë përfaqësues studentorë, të zgjedhur në mënyrë transparente dhe me përfaqësim të arsyeshëm të fakulteteve dhe grupeve pjesëmarrëse.
•Dy përfaqësues të pedagogëve.
•Mundësia e përfshirjes së ekspertëve të arsimit të lartë sipas çështjeve që diskutohen.

Përfaqësuesit duhet të kenë mandat të qartë nga grupet që përfaqësojnë dhe të mos konsiderohen automatikisht përfaqësues të të gjithë studentëve apo pedagogëve.

B. Përfaqësimi i qeverisë.

•Një përfaqësues politik me mandat për negociim.
•Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit.
•Ekspertë të Ministrisë së Financave.
•Përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, sipas çështjeve në diskutim.

C. Përfaqësimi i opozitës.

•Përfaqësues të opozitës parlamentare.
•Përfaqësues të forcave të tjera politike që pranojnë parimet dhe objektivat e negociimit.

Pjesëmarrja e opozitës është e rëndësishme veçanërisht për çështjet e qeverisjes tranzitore, reformës zgjedhore dhe garancive për zgjedhjet e ardhshme.

D. Shoqëria civile dhe ndërmjetësimi.

•Përfaqësues të ProALB-NGO-së si lehtësues të procesit.
•Ekspertë të pavarur të së drejtës kushtetuese dhe zgjedhore.
•Ekspertë të administrimit zgjedhor, financave publike dhe qeverisjes.
•Përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, me dakordësinë e palëve.

ProALB-NGO nuk do të ketë të drejtën të imponojë përfundime politike. Roli i saj do të jetë lehtësimi i dialogut, formulimi i alternativave dhe ndihma për arritjen e një marrëveshjeje të zbatueshme.

3. Mandati i tryezës.
Tryeza do të ketë dy drejtime paralele:

Drejtimi i parë: Zgjidhja e krizës së menjëhershme

•Deeskalimi i protestave.
•Garantimi i të drejtave dhe sigurisë.
•Trajtimi i kërkesave të studentëve dhe pedagogëve.
•Krijimi i kushteve për dialog politik.

Drejtimi i dytë: Zgjidhja politike dhe institucionale.

•Shqyrtimi i kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit.
•Negocimi i alternativave për një qeveri tranzitore.
•Hartimi i një marrëveshjeje për reformën zgjedhore.
•Përcaktimi i garancive për zgjedhje të lira, të barabarta dhe të pranueshme nga palët.
•Përcaktimi i afateve, përgjegjësive dhe mekanizmave të monitorimit.

FAZA III: MARRËVESHJA POLITIKE PËR QEVERISJEN TRANZITORE DHE REFORMËN ZGJEDHORE.

Afati i propozuar për negocimin e një marrëveshjeje fillestare: 7 ditë.

Kjo është faza thelbësore e platformës, sepse synon t’i japë përgjigje kërkesës politike të protestës dhe të krijojë një rrugëdalje institucionale nga kriza.

1. Dorëheqja e kryeministrit si kërkesë politike për negociim.

ProALB-NGO propozon që kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama të përfshihet shprehimisht në rendin e ditës së negociatave.

Kjo kërkesë duhet të trajtohet si çështje politike me rëndësi kombëtare dhe jo të shmanget apo të zëvendësohet me diskutime vetëm për tarifat universitare.

Qeveria duhet të shprehë një qëndrim të qartë për këtë kërkesë. Opozita duhet të përcaktojë alternativën që propozon. Përfaqësuesit e protestës duhet të kenë mundësinë të paraqesin argumentet dhe kushtet e tyre.

Objektivi është që palët të mos mbeten vetëm në pozicione përjashtuese, por të diskutojnë një zgjidhje konkrete për qeverisjen dhe legjitimitetin institucional.

2. Propozimi për krijimin e një qeverie tranzitore.

Nëse palët arrijnë në përfundimin se kriza nuk mund të zgjidhet përmes mekanizmave të zakonshëm politikë, ProALB propozon negocimin e një formule për qeveri tranzitore, me mandat të kufizuar dhe objektiva të përcaktuar qartë.

Qeveria tranzitore duhet të jetë produkt i një marrëveshjeje politike të dokumentuar dhe të krijohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Mandati i saj do të përqendrohej në katër objektiva:

Objektivi A – Reforma zgjedhore.

Përgatitja dhe miratimi i ndryshimeve të nevojshme ligjore për garantimin e konkurrencës së barabartë politike, administrimit të paanshëm zgjedhor dhe besimit të publikut te procesi.

Objektivi B – Garantimi i zgjedhjeve të besueshme.

Krijimi i mekanizmave për:

•Administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm.
•Parandalimin dhe ndëshkimin e blerjes së votës.
•Parandalimin e përdorimit të burimeve dhe administratës publike për interesa partiake.
•Garantimin e lirisë së votuesit nga presioni dhe intimidimi.
•Transparencën e financimit të fushatave.
•Hetimin efektiv të shkeljeve zgjedhore.
•Rritjen e besimit të palëve te administrimi dhe rezultati zgjedhor.

Objektivi C – Administrimi i kufizuar dhe përgjegjës i shtetit

Gjatë periudhës tranzitore, qeveria do të përqendrohej te funksionimi normal i shtetit, shërbimet publike, siguria kombëtare dhe detyrimet financiare e institucionale.

Duhet të parashikohen mekanizma transparence për emërimet, prokurimet dhe vendimet me ndikim të rëndësishëm publik, duke respektuar vazhdimësinë e administratës dhe pavarësinë e institucioneve.

Objektivi D – Zhvillimi i zgjedhjeve brenda një afati të dakordësuar

Marrëveshja duhet të përcaktojë një afat konkret dhe realist për përfundimin e reformës zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve, në përputhje me kërkesat kushtetuese.

Afati nuk duhet të lihet i hapur. Ai duhet të jetë i matshëm, publik dhe i shoqëruar me përgjegjësi të përcaktuara.

3. Garancitë për funksionimin e qeverisë tranzitore.

Për të shmangur krijimin e një tjetër burimi konflikti, qeveria tranzitore duhet të ketë:

•Mandat të kufizuar në kohë.
•Program të përcaktuar me shkrim.
•Përgjegjësi dhe objektiva të matshme.
•Mbështetje politike të mjaftueshme për funksionimin e saj.
•Mekanizma publikë raportimi dhe llogaridhënieje.
•Rregulla për shmangien e përdorimit partiak të institucioneve.
•Një mekanizëm të pavarur monitorimi të zbatimit të marrëveshjes.

Përbërja dhe mënyra e funksionimit të qeverisë tranzitore do të jenë objekt negociimi ndërmjet palëve politike. Studentët, pedagogët dhe shoqëria civile duhet të kenë mundësinë të japin propozime dhe të kërkojnë transparencë, pa u imponuar atyre një përfaqësim politik që nuk e kanë zgjedhur.

Parimi udhëheqës: Qeveria tranzitore nuk duhet të jetë një ndarje e pushtetit mes partive, por një mekanizëm i përkohshëm për të garantuar rregulla të besueshme të konkurrimit politik dhe zgjedhje të pranueshme nga palët.

FAZA IV: PAKETA E REFORMAVE ZGJEDHORE DHE GARANCIVE DEMOKRATIKE.

Afati i propozuar: Brenda 30 ditëve për hartimin dhe dakordësimin fillestar të paketës, sipas kalendarit të miratuar nga palët.

1. Reforma e Kodit Zgjedhor

Tryeza do të krijojë një grup teknik me ekspertë të pavarur, përfaqësues politikë dhe ekspertë të shoqërisë civile.

Grupi do të shqyrtojë:

•Rregullat për administrimin e zgjedhjeve.
•Barazinë e konkurrimit mes subjekteve politike.
•Transparencën e financimit të fushatave.
•Përdorimin e administratës dhe burimeve publike.
•Mekanizmat kundër blerjes së votës dhe intimidimit.
•Procedurat e ankimimit dhe shqyrtimit të shkeljeve.
•Transparencën e numërimit dhe të shpalljes së rezultateve.
•Rekomandimet e institucioneve dhe organizatave vendase e ndërkombëtare për zgjedhjet.

Asnjë ndryshim nuk duhet të konsiderohet i mjaftueshëm vetëm sepse është pranuar nga shumica parlamentare apo nga një marrëveshje mes dy partive. Synimi duhet të jetë një sistem i zbatueshëm, i kontrollueshëm dhe i besueshëm.

2. Mekanizmi i monitorimit të marrëveshjes.

Propozohet ngritja e një mekanizmi monitorues me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të palëve, sipas një formule të dakordësuar.

Detyrat e tij:

•Të publikojë raporte periodike për zbatimin e marrëveshjes.
•Të evidentojë vonesat dhe mospërmbushjen e angazhimeve.
•Të propozojë masa korrigjuese.
•Të dokumentojë arritjet dhe pengesat.
•Të bëjë publike rezultatet në mënyrë të paanshme.

ProALB mund të kontribuojë në këtë proces përmes ekspertizës profesionale, por pjesëmarrja e saj duhet të shoqërohet me transparencë dhe kritere të qarta për shmangien e konfliktit të interesit.

FAZA V : ZGJIDHJA E KËRKESAVE TË STUDENTËVE DHE PEDAGOGËVE.

Zgjidhja e krizës politike nuk duhet të bëhet në kurriz të kërkesave konkrete të arsimit të lartë.

Për këtë arsye, krahas negociatave politike, duhet të funksionojë një grup teknik i posaçëm për arsimin.

1. Tarifat dhe mbështetja ekonomike

•Shqyrtimi i tarifave universitare dhe i akteve nënligjore përkatëse.
•Rishikimi i skemave të bursave dhe subvencioneve për studentët në nevojë.
•Vendosja e kritereve transparente të mbështetjes financiare.
•Përcaktimi i afateve për çdo ndryshim të miratuar.

2. Transparenca financiare e universiteteve

Propozohet një mekanizëm auditimi financiar dhe transparence, me ekspertë të pavarur dhe përfaqësues studentorë në rolin e monitorimit.

Objektivi është të bëhet e qartë:

•Si përdoren të ardhurat nga tarifat.
•Si shpërndahen fondet publike.
•Cilat janë prioritetet e shpenzimeve.
•Çfarë investimesh realizohen në interes të studentëve.

3. Përmirësimi i infrastrukturës universitare dhe konvikteve

Të hartohet një plan ndërhyrjeje me prioritete, kosto dhe afate të qarta.

Brenda 30 ditëve të propozohet dhe publikohet një plan konkret për ndërhyrjet urgjente, me financim të identifikuar dhe mekanizëm monitorimi.

4. Përfaqësimi studentor.

Të shqyrtohen ndryshimet e nevojshme në mënyrë që përfaqësimi i studentëve në organet drejtuese të universiteteve të ketë ndikim real në vendimmarrje.

Çdo propozim për të drejta të shtuara vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e kundërshtimit ose të bllokimit të vendimeve të caktuara, duhet të vlerësohet në aspektin juridik dhe të shoqërohet me garanci kundër bllokimit të funksionimit normal të institucioneve.

5. Përfshirja e pedagogëve.

Të hapet një proces konsultimi për problematikat e mësimdhënies, autonomisë universitare, kushteve të punës, financimit të kërkimit shkencor dhe cilësisë së arsimit.

Rezultati i pritshëm: Kërkesat e studentëve dhe pedagogëve të mos mbeten peng i konfliktit politik, por të marrin përgjigje konkrete, të matshme dhe të monitorueshme.

FAZA VI: GARANCITË E NDËRMJETËSIMIT DHE BESUESHMËRIA E PROCESIT.

Për të pasur një marrëveshje të pranueshme nga të gjitha palët, vetë procesi i negociimit duhet të jetë i besueshëm.

ProALB propozon pesë garanci themelore:

1. Neutraliteti politik.

Shoqata do të veprojë si lehtësuese e dialogut, pa u identifikuar me interesat e një partie politike dhe pa paracaktuar rezultatin e negociatave.

2. Përfaqësimi i vërtetë.

Asnjë palë nuk duhet të pretendojë se përfaqëson të gjithë studentët, pedagogët apo shoqërinë civile pa një mandat të qartë dhe të verifikueshëm.

3. Barazia në tryezë.

Qeveria, opozita dhe përfaqësuesit e protestës duhet të kenë mundësi reale për të paraqitur propozimet e tyre dhe për të marrë përgjigje.

4. Transparenca e angazhimeve.

Çdo marrëveshje duhet të përmbajë detyra, afate, përgjegjësi dhe mënyrë verifikimi.

5. Respektimi i rendit kushtetues.

Asnjë marrëveshje politike nuk mund të zëvendësojë procedurat kushtetuese dhe ligjore. Çdo zgjidhje duhet të jetë e realizueshme në praktikë dhe e mbrojtshme juridikisht.

FAZA VII: PROTOKOLLI I PËRFUNDIMIT TË NEGOCIATAVE.

Procesi duhet të synojë arritjen e një dokumenti përfundimtar të titulluar:

«Marrëveshja Kombëtare për Deeskalimin, Reformën Zgjedhore dhe Zgjidhjen Institucionale të Krizës».

Dokumenti duhet të përmbajë:

1. Angazhimin për ndalimin e dhunës dhe garantimin e protestës paqësore.
2. Pranimin e një procesi të strukturuar negociimi.
3. Qëndrimin e palëve për kërkesën e dorëheqjes së kryeministrit.
4. Formulën e propozuar për zgjidhjen e çështjes së qeverisjes, përfshirë alternativën e qeverisë tranzitore.
5. Parimet dhe afatet e reformës zgjedhore.
6. Mekanizmat e monitorimit të zbatimit.
7. Paketën e masave për arsimin e lartë.
8. Afatet dhe përgjegjësitë për çdo angazhim.
9. Procedurat për trajtimin e mosmarrëveshjeve gjatë zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit që kanë mandat për të marrë përsipër angazhimet përkatëse.

Për çështjet që kërkojnë vendimmarrje parlamentare, qeveritare ose institucionale, marrëveshja duhet të përcaktojë qartë hapat ligjorë që nevojiten për zbatimin e tyre.

PROPOZIMI PËRFUNDIMTAR I PROALB.

Shoqata «Profesionistët e Lirë për Shqipërinë» u bën thirrje qeverisë, opozitës, studentëve, pedagogëve dhe shoqërisë civile të pranojnë hapjen e një procesi negociimi me objektiva të qarta, afate të përcaktuara dhe garanci për zbatimin e marrëveshjes.

Kjo nismë nuk synon të zëvendësojë vullnetin e protestuesve, të imponojë një zgjidhje politike apo të legjitimojë paraprakisht qëndrimin e ndonjë pale.

Ajo synon të krijojë një rrugë konkrete nga përplasja drejt dialogut, nga mosbesimi drejt garancive institucionale dhe nga kriza drejt një marrëveshjeje të zbatueshme.

Ne propozojmë që negociatat të nisin me tri pyetje themelore:

1. Si ndalet menjëherë përshkallëzimi dhe garantohet siguria e qytetarëve, pa cenuar të drejtën e protestës?
2. Si trajtohet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore brenda një zgjidhjeje politike e kushtetuese?
3. Si ndërtohen rregulla zgjedhore që garantojnë konkurrencë të barabartë, administrim të besueshëm dhe rezultate të pranueshme nga palët?

Nëse palët pranojnë të diskutojnë mbi këto tri çështje, atëherë ekziston mundësia që kriza të shndërrohet në një proces real ndryshimi institucional.

Nëse refuzohet çdo formë dialogu dhe secila palë kërkon vetëm kapitullimin e tjetrës, rreziku është që përplasja të vazhdojë, ndërsa qytetarët, studentët dhe institucionet të paguajnë koston.

ProALB është e gatshme të ofrojë ekspertizën dhe kapacitetet e saj për këtë proces, mbi bazën e neutralitetit, interesit publik dhe respektimit të rendit kushtetues.

MOTOJA E NISMËS.

«Jo dhunës. Jo imponimit. Po dialogut, garancive demokratike dhe një marrëveshjeje kombëtare për zgjidhjen e krizës.»

Shoqata «Profesionistët e Lirë për Shqipërinë»
ProALB – Përgjegjësi qytetare, dialog dhe zgjidhje institucionale.
U.S. Embassy Tirana
Ambasciata d'Italia a Tirana
Ambasada Gjermane Tiranë
European Commission
European Union in Albania
Bajram Begaj
Fatjon Softa
Balkan Focus

16/10/2026

PROFESIONISTËT E LIRË PËR SHQIPËRINË!
THIRRJE PUBLIKE PËR PËRMBAJTJE, DIALOG DHE NDËRMJETËSIM!

Në një moment kur tensionet sociale dhe përplasjet në rrugë rrezikojnë të thellojnë ndarjet në shoqërinë shqiptare, ne, si Shoqata e Profesionistëve të Lirë për Shqipërinë – ProALBNGO, u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndalin përshkallëzimin dhe të zgjedhin rrugën e përgjegjësisë, dialogut dhe zgjidhjes institucionale.

Protesta është një e drejtë demokratike. Pakënaqësia e të rinjve dhe e qytetarëve duhet dëgjuar, jo shpërfillur apo reduktuar automatikisht në një përplasje politike. Por as dhuna, as shkatërrimi i pronës publike dhe as përdorimi joproporcional i forcës nuk mund të jenë rruga drejt ndryshimit.

Asnjë interes politik nuk mund të jetë mbi interesin publik, jetën e qytetarëve dhe paqen sociale.

I bëjmë thirrje:

🔹 Qeverisë dhe institucioneve shtetërore të tregojnë përgjegjshmëri, të dëgjojnë kërkesat qytetare dhe të garantojnë ushtrimin e së drejtës së protestës, duke respektuar proporcionalitetin dhe standardet ligjore në çdo ndërhyrje policore.

🔹 Organizatorëve të protestave dhe opozitës politike të kontribuojnë për përmbajtje, të distancohen qartë nga dhuna dhe të mos lejojnë që pakënaqësia qytetare të shndërrohet në përplasje me pasoja për shoqërinë.

🔹 Të rinjve dhe qytetarëve protestues të ruajnë karakterin paqësor të reagimit të tyre. Zëri i tyre ka peshë kur shpreh kërkesa, ide dhe shpresë për ndryshim, pa cenuar jetën, sigurinë dhe pronën e të tjerëve.

🔹 Prokurorisë, institucioneve të të drejtave të njeriut dhe mekanizmave të pavarur të monitorimit të garantojnë që çdo rast dhune, shkeljeje ligjore apo tejkalimi kompetencash të shqyrtohet me paanshmëri dhe transparencë.

ProALB kërkon ndërmjetësim dhe hapjen e një tryeze dialogu, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, organizatorëve të protestave, të rinjve, shoqërisë civile dhe profesionistëve të pavarur. Qëllimi nuk duhet të jetë fitorja e njërës palë ndaj tjetrës, por ulja e tensioneve, parandalimi i incidenteve dhe krijimi i një rruge konkrete për adresimin e shqetësimeve qytetare.

Në këtë kuadër, u bëjmë thirrje edhe trupit diplomatik në Shqipëri, veçanërisht Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së Italisë, Ambasadës së Gjermanisë dhe përfaqësive të tjera partnere, që, në përputhje me mandatet dhe praktikat e tyre diplomatike, të inkurajojnë dialogun demokratik, vetëpërmbajtjen dhe respektimin e lirive themelore, si dhe të mbështesin përpjekjet për uljen paqësore të tensioneve.

Kjo thirrje nuk synon ndërhyrjen në çështjet e brendshme të Shqipërisë, por nxitjen e një klime besimi, përgjegjshmërie dhe respekti për standardet demokratike që vendi ynë ka zgjedhur të ndjekë.

Ne nuk jemi në krah të dhunës, as të arrogancës së pushtetit; jemi në krah të qytetarit, ligjit, demokracisë dhe interesit kombëtar.

Shqipërisë nuk i duhet një tjetër cikël përplasjesh. I duhet një urë komunikimi mes palëve.

ProALB shpreh gatishmërinë të kontribuojë me profesionistë të pavarur në një proces dialogu dhe ndërmjetësimi qytetar, në interes të qetësisë publike dhe të së ardhmes së vendit.

Përmbajtje sot. Dialog tani. Përgjegjësi për Shqipërinë.

Shoqata e Profesionistëve të Lirë për Shqipërinë – ProALB
Ambasciata d'Italia a Tirana
Ambasada Gjermane Tiranë
U.S. Embassy Tirana.

Fatjon Softa
Alo Policia-112- Siguria ne Fokus. nga Fatjon Softa

PSE PËRDORET UJI ME NGJYRË BLU GJATË PROTESTAVE?Gjatë përplasjeve në protesta, përdorimi i ujit me ngjyrë nga autobotet ...
14/10/2026

PSE PËRDORET UJI ME NGJYRË BLU GJATË PROTESTAVE?

Gjatë përplasjeve në protesta, përdorimi i ujit me ngjyrë nga autobotet e policisë ngre pyetje të rëndësishme për publikun: Pse përdoret dhe çfarë synohet të arrihet me të?

Arsyeja kryesore mund të jetë identifikimi i mëvonshëm i personave të shënjuar. Në rastet kur përdoren solucione ngjyruese të posaçme, boja mund të mbetet në veshje ose në lëkurë dhe të ndihmojë autoritetet në identifikimin e personave të dyshuar për përfshirje në akte dhune apo dëmtime të pronës.

Përdorimi i saj mund të ketë edhe efekt parandalues, duke e bërë më të vështirë fshehjen e identitetit pas incidenteve. Megjithatë, fakti që një person është shënjuar nuk provon se ai ka kryer një vepër penale. Çdo përgjegjësi duhet të përcaktohet mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.

⚖️ Po aq e rëndësishme është transparenca: Çfarë përmban konkretisht lëngu i përdorur? A është vetëm ujë me ngjyrues, apo përmban edhe substanca të tjera? Sa i sigurt është për lëkurën, sytë dhe rrugët e frymëmarrjes? Cili është protokolli për përdorimin e tij?

Këto pyetje kërkojnë përgjigje zyrtare, të bazuara në përbërjen e produktit dhe rregullat e përdorimit, jo në hamendësime.

Nga këndvështrimi i sigurisë publike, policia ka detyrimin të ruajë rendin dhe të parandalojë dhunën, por çdo mjet i përdorur duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm, proporcional dhe i kontrollueshëm.

Protesta paqësore është e drejtë qytetare. Dhuna dhe dëmtimi i pronës trajtohen sipas ligjit. Ndërsa përdorimi i mjeteve policore duhet të jetë transparent dhe i justifikuar.

Publiku ka të drejtë të dijë jo vetëm çfarë po përdoret, por edhe pse, me çfarë përbërjeje dhe mbi çfarë baze ligjore.
Alo Policia-112- Siguria ne Fokus. nga Fatjon Softa.

🇪🇺 Rama nga Cernobbio: Ballkani në BE përmes integrimit gradualNga Forumi i Cernobbios në Itali, kryeministri Edi Rama h...
05/09/2026

🇪🇺 Rama nga Cernobbio: Ballkani në BE përmes integrimit gradual

Nga Forumi i Cernobbios në Itali, kryeministri Edi Rama hodhi një ide që meriton debat: vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen gradualisht në mekanizmat dhe tregun e Bashkimit Europian, pa pritur domosdoshmërisht anëtarësimin formal.

Por Rama shkon edhe më tej: zgjerimi i BE-së nuk duhet të bllokohet nga vetoja e një vendi anëtar.

Metafora e tij për “7 fëmijët e Ursulës” është politike, por mesazhi është i qartë: Ballkani kërkon të ketë një vend në tryezën europiane, jo vetëm të presë në korridorin e zgjerimit.

Pyetja e madhe është: a është integrimi gradual një rrugë më e shpejtë drejt Europës, apo një mënyrë për ta mbajtur Ballkanin në një “zonë pritjeje” pa anëtarësim të plotë?

Për Shqipërinë, kjo nuk është vetëm çështje diplomatike. Është një debat për sovranitetin, ekonominë, sigurinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

🇦🇱🇪🇺 Europa duhet të jetë destinacioni. Por duhet të dimë edhe çfarë rruge po zgjedhim për të arritur atje.

Gjeopolitikë & Siguri | ANALIZËMes Uashingtonit dhe Moskës: Çfarë sinjalizon vizita sekrete e kreut të CIA-s për Ballkan...
26/08/2026

Gjeopolitikë & Siguri | ANALIZË

Mes Uashingtonit dhe Moskës: Çfarë sinjalizon vizita sekrete e kreut të CIA-s për Ballkanin?

Vizita e paparalajmëruar e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë më 25 gusht ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet SHBA–Rusi dhe mënyrën se si Uashingtoni po menaxhon krizën e sigurisë në Evropë.

Ratcliffe mbërriti në Moskë me një avion ushtarak amerikan Boeing C-17A Globemaster III, i cili fluturoi nga Riga drejt aeroportit Vnukovo. CIA, Pentagoni dhe Forcat Ajrore amerikane nuk kanë komentuar zyrtarisht misionin. Edhe qëllimi i takimeve nuk është bërë publik.

Kremlini ndërkohë ka deklaruar se nuk kishte dijeni për mbërritjen e avionit dhe se nuk kishte një takim të planifikuar mes Vladimir Putin dhe Ratcliffe.

Megjithatë, vetë fakti që kreu i inteligjencës amerikane udhëton në Moskë në një moment kaq të ndjeshëm është një sinjal strategjik.

Dhe pyetja që shtrohet në Ballkan është e drejtpërdrejtë:

A po hapet një kanal i ri komunikimi SHBA–Rusi dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për Kosovën, Bosnjën, Serbinë dhe sigurinë e gjithë Ballkanit Perëndimor?

Një kanal i ri komunikimi?

Vizita e Ratcliffe nuk duhet interpretuar automatikisht si shenjë e një marrëveshjeje të madhe mes Washingtonit dhe Moskës.

Por ajo tregon se, pavarësisht përplasjes së fortë strategjike, kanalet e komunikimit mes dy fuqive vazhdojnë të funksionojnë.

Në fakt, kjo është një nga karakteristikat e diplomacisë së inteligjencës: kur komunikimi politik bëhet i vështirë, kanalet e shërbimeve sekrete mund të përdoren për të përcjellë mesazhe, për të testuar qëndrimet e palës tjetër ose për të menaxhuar situata të rrezikshme.

Në këtë kuptim, vizita e Ratcliffe mund të jetë më shumë se një takim për Ukrainën.

Mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të kuptuar se ku qëndron Moska dhe cilat janë kufijtë e saj të veprimit.

Ukraina mbetet në qendër.

Vizita ndodhi në një moment kur përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përballen me vështirësi.

Raportimet amerikane dhe evropiane kanë bërë të ditur se Washingtoni i kërkoi Kievit të shmangte përkohësisht sulmet ndaj Moskës dhe disa objektivave të tjera ruse gjatë vizitës së një delegacioni të nivelit të lartë amerikan.

Kjo tregon se administrata Trump po përpiqet të krijojë një hapësirë të kontrolluar për komunikim me Moskën.

Por këtu nis edhe rëndësia për Ballkanin.

Ballkani si fronti i dytë i sigurisë.

Nëse Washingtoni dhe Moska arrijnë të menaxhojnë tensionet në Ukrainë, Ballkani mund të bëhet një nga zonat ku do të testohet realisht arkitektura e re e sigurisë evropiane.

Për dekada, rajoni ka qenë një hapësirë ku janë përplasur interesat amerikane, evropiane, ruse dhe, në mënyrë gjithnjë e më të dukshme, edhe ato kineze dhe turke.

Kosova, Bosnja dhe Serbia mbeten pikat më të ndjeshme.

Prandaj çdo ndryshim në marrëdhëniet Washington–Moskë mund të prodhojë pasoja indirekte në rajon.

SKENARI I PARË: Dekompresimi i Ballkanit.
Një përmirësim i kontrolluar i marrëdhënieve SHBA–Rusi mund të prodhojë një efekt pozitiv.

Nëse Moska dhe Washingtoni arrijnë një mënyrë të re për menaxhimin e konflikteve, Rusia mund të ketë më pak interes për të përdorur konfliktet periferike si instrument presioni ndaj Perëndimit.

Në këtë skenar mund të shohim:

* ulje të tensioneve në Bosnje-Hercegovinë;
* më pak mbështetje politike për projektet destabilizuese;
* presion më të madh ndaj aktorëve që kërcënojnë stabilitetin rajonal;
* një përpjekje të re për të shtyrë përpara dialogun Kosovë–Serbi.

Ky do të ishte skenari i stabilizimit përmes marrëveshjeve të mëdha.

SKENARI I DYTË: “Grand Bargain -Oferta e madhe”

Por ekziston edhe një skenar më shqetësues.

Nëse negociatat SHBA–Rusi shndërrohen në një marrëveshje më të gjerë mbi interesat strategjike në Evropë, vendet e vogla mund të përballen me një realitet ku vendimet e fuqive të mëdha ndikojnë drejtpërdrejt mbi hapësirën e tyre të manovrimit.

Për Ballkanin, kjo ngre disa pyetje:

A do të rritet presioni ndaj Serbisë për t’u afruar me Perëndimin?

A do të përshpejtohet dialogu Kosovë–Serbi?

A do të ketë më shumë hapësirë për Moskën në Bosnje-Hercegovinë?
Dhe mbi të gjitha:
A do të trajtohet Ballkani si pjesë e një arkitekture të re evropiane sigurie apo si monedhë negociimi në marrëveshjet mes fuqive të mëdha?

Kosova: pika më e ndjeshme.
Kosova mbetet një nga dosjet ku çdo ndryshim në ekuilibrat amerikanë dhe evropianë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta.

Stabiliteti në veri është përmirësuar në krahasim me periudhat e tensioneve të forta, por struktura e konfliktit politik dhe e sigurisë nuk është zhdukur.

Për Washingtonin, një krizë e re në Kosovë do të ishte veçanërisht e padëshirueshme në një kohë kur administrata Trump kërkon të përqendrojë energjinë strategjike te Ukraina dhe marrëdhëniet me Moskën.

Prandaj një nga objektivat amerikane mund të jetë pikërisht parandalimi i çdo krize të re në Ballkan.

Jo domosdoshmërisht për shkak të Ballkanit vetë, por sepse një konflikt i ri do të krijonte një front tjetër politik dhe ushtarak për Perëndimin.

Bosnja: testi i dytë.

Bosnje-Hercegovina është një tjetër pikë kritike.

Tensionet institucionale dhe retorika separatiste në Republikën Srpska kanë potencialin të prodhojnë krizë politike dhe të sigurisë.

Rusia ka interesa të qarta strategjike në rajon dhe e ka përdorur vazhdimisht çështjen e Bosnjës në narrativën e saj për ndërhyrjen perëndimore në Ballkan.

Nëse marrëdhëniet Washington–Moskë ndryshojnë, pyetja është nëse Moska do ta përdorë Bosnjën si një kartë presioni apo nëse do të kërkojë një marrëveshje më të gjerë për stabilitetin evropian.

Një sinjal edhe për Serbinë.

Beogradi është ndoshta kryeqyteti që do ta ndjekë më nga afër këtë zhvillim.

Serbia ka ruajtur marrëdhënie të veçanta me Rusinë, ndërkohë që ka ndërtuar marrëdhënie strategjike me SHBA-në dhe BE-në.

Nëse Washingtoni dhe Moska hyjnë në një fazë të re komunikimi, Beogradi mund të përpiqet ta përdorë këtë hapësirë për të rritur peshën e vet negociuese.

Por mund të ndodhë edhe e kundërta.

Një marrëveshje e re amerikano-ruse mund ta rrisë presionin ndaj Serbisë për të bërë zgjedhje më të qarta strategjike.

Një tjetër sinjal: mungesa e administratës Trump në Kiev

Më 24 gusht, në 35-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës, liderë të shumtë evropianë u mblodhën në Kiev, ndërsa përfaqësuesit kryesorë të administratës Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, nuk morën pjesë në ceremonitë.

Ky zhvillim nuk duhet interpretuar i vetëm, por në kombinim me vizitën e Ratcliffe në Moskë tregon një diferencë të dukshme në mënyrën se si Washingtoni dhe kryeqytetet evropiane po e menaxhojnë krizën ukrainase.

Evropa vazhdon të theksojë mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.

Washingtoni, ndërkohë, duket i përqendruar gjithnjë e më shumë te negociatat direkte dhe rezultati strategjik.

Ky ndryshim është i rëndësishëm edhe për Ballkanin.

Mesazhi për liderët e Ballkanit.
Nëse një gjë duhet të kuptohet nga zhvillimet e fundit, është kjo:

Politika amerikane në Ballkan mund të bëhet më pragmatike.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht tërheqje amerikane.
Përkundrazi.
Mund të nënkuptojë më shumë presion për rezultate konkrete, më pak durim ndaj krizave të zgjatura dhe më shumë negociata direkte me aktorët që kanë fuqi reale për të ndikuar në terren.
Liderët e Ballkanit që mbështeten vetëm te retorika e vjetër gjeopolitike mund të përballen me një realitet të ri:

Washingtoni mund të negociojë drejtpërdrejt me Moskën, ndërsa Brukseli mund të mos jetë gjithmonë në tryezën kryesore.

ANALIZA | BalkanFocus

Vizita e John Ratcliffe në Moskë nuk është provë se Washingtoni dhe Moska kanë arritur një marrëveshje për Ballkanin.

Nuk kemi ende të dhëna publike që të tregojnë se Kosova, Bosnja apo Serbia kanë qenë pjesë e agjendës së tij.

Por vetë mënyra e zhvillimit të vizitës, në fshehtësi dhe në një moment kritik të luftës në Ukrainë, është një sinjal që nuk duhet neglizhuar.

Nëse kjo vizitë është pjesë e një kanali më të gjerë negociatash, atëherë Ballkani duhet të përgatitet për një fazë të re.

Jo domosdoshmërisht një fazë të “ndarjes së zonave të ndikimit”, por një fazë ku fuqitë e mëdha do të kërkojnë të menaxhojnë konfliktet, të mbyllin frontet periferike dhe të krijojnë një arkitekturë të re sigurie në Evropë.

Dhe në këtë ekuacion, Kosova, Bosnja dhe Serbia nuk janë jashtë lojës.

Janë ndër pikat ku loja e re mund të testohet.

Address

Sulejman Pitarka 13
Tirana
1001

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Profesionistët e Lirë për Shqipërinë posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Shortcuts

Share