09/10/2026
Në kuadër të Javës së Mirëseardhjes, Bashkia Shkodër, përmes Sektorit të Rinisë dhe Këshillit Vendor të Rinisë, iu bashkua studentëve të viteve të para të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, për t’i njohur nga afër me mundësitë që qyteti ynë ofron për ta.
⭐️ Në fokus të takimeve ishte Karta Studentore, një mundësi tashmë e hapur për çdo student, përmes së cilës ata mund të përfitojnë lehtësi dhe përfitime të ndryshme. Studentët u informuan mbi mënyrën e aplikimit, përfitimet dhe gjithçka që duhet të dinë për ta bërë kartën pjesë të përditshmërisë së tyre studentore.
Por mundësitë nuk ndalen këtu! Nga aktivitetet dhe konkurset, te nismat, aksionet dhe projektet rinore, ndamë me studentët ide dhe mundësi për t’u bërë pjesë aktive e jetës së qytetit.
Sepse jeta studentore nuk është vetëm auditorë, por edhe ide që marrin jetë, përvoja që të formojnë dhe mundësi që të çojnë më larg.
Bashkia Shkodër do të jetë pranë të rinjve në çdo hap të rrugëtimit të tyre akademik, duke mbështetur iniciativat e tyre dhe duke krijuar më shumë hapësira ku zëri, energjia dhe idetë e tyre bëhen pjesë e ndryshimit. ❤️