29/07/2026
Peizazhe të kujtesës: dokumentimi i vendbanimeve të Alpeve vazhdon në Kelmend
Shkolla Verore e Alpeve Shqiptare III
Tokë e pakët
Është fat i madh për studiuesit, por edhe për vizitorët e rastësishëm, që fshatrat e Alpeve Shqiptare, ndonëse janë ndër vendbanimet më të vjetra — vazhdojnë të mbijetojnë në mijëvjeçarin e ri. Pjesa më e madhe e njerëzve janë larguar me kokën pas: te varret e të parëve dhe te ëndrrat e fëmijërisë — që herë zbehen e herë ndërrojnë vendet, sepse të dyja i bashkon një element i pazëvendësueshëm: toka.
Në male, toka është e pamjaftueshme për jetën, e ndonjëherë edhe për varret. Mungesa e saj në malet e Kelmendit vlen të konfirmohet si një ndër arsyet kryesore të largimit të njerëzve përgjatë shekujve. Tre nga katër fshatrat, që sipas legjendës themeluan Kelmendin: Selca, Vukli dhe Nikçi — janë zhvilluar duke u zgjeruar në vendbanime të reja për shkak të pamjaftueshmërisë së tokës. Selca në Gropat e Selcës dhe në Vermosh, Vukli në Lëpushë, Nikçi në Brojë dhe Budaç. Vëzhgimet arkeologjike të 2–3 viteve të fundit sugjerojnë se gjurmët e vendbanimeve të vjetra duhen kërkuar nga Pshtani në Grabom, Kozhnje e gjetkë, në tarracat e rrënuara nga erozioni e në shpellat e guvat buzë Cemit dhe në brinjat e thepisura të maleve. Duke mos qenë të dokumentuara, këto vendbanime rrezikojnë të dalin tashmë edhe nga rrëfimet gojore që janë i vetmi regjistër që ende mban në këmbë krenarinë legjendare të Kelmendit që ata e bartën me vete kudo ku shkuan: qoftë kur u ulën drejt jugut në Nënshkodër dhe në Bregun e Matit, apo kur u ngjitën më në veri, drejt Kosovës e deri në kufijtë e Hungarisë.
Ka shumë arsye pse kohët e mesjetës i zhdukën gjurmët e vendbanimeve të para dhe askush nuk mund t’i fajësojë kelmendasit për këtë, por gjithkush mund të fajësojë studiuesit shqiptarë nëse do të lejonin që kohët moderne t’i mbulonin vendbanimet e sotme në male. Prandaj që prej disa vitesh, ka nisur një proces të dokumentimit të hollësishëm të këtyre vendbanimeve, përmes programeve studimore shumëdisiplinare. Për mijëvjeçarin e ri, dokumentimet e para të vendbanimeve u kryen në Luginën e Shalës dhe të Valbonës, e së fundmi në Kelmend. Megjithatë, dokumentimi i parë i hollësishëm i të gjithë vendbanimit u krye në Nikç gjatë vitit të kaluar, përmes Shkollës Verore të Alpeve Shqiptare II. Duke qenë shumë i vogël, me terren të thyer shkëmbor, fshati e ka pasur të pamundur zgjerimin brenda kufijve të tij dhe për këtë arsye, disa familje u shpëngulën gradualisht dhe krijuan një vendbanim të ri: Brojën. Më pas një tjetër vendbanim të ri: Budaçin. Pra, Nikçi tashmë shtrihet në tre vendbanime që simbolikisht mund të thuhet se u përkasin tre brezave: mëmë, bijë dhe mbesë. Për këtë arsye, Shkolla Verore e Alpeve Shqiptare III, synoi dokumentimin e vendbanimit të Budaçes, si më i riu i krijuar nga Nikçi. Shkolla u mbajt nga e Premtja e 3 Korrikut deri të Enjten e 9 Korrikut 2026, me pjesëmarrjen e studentëve të arkitekturës dhe planifikimit urban nga disa universitete në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Shkolla Verore III ngjitet më në veri
E ndarë në dy vendndodhje, Budaçin si kamp pune në terren dhe Lëpushën si kamp bazë dhe laborator, Shkolla u hap me një seri leksionesh të mbajtura ditën e parë. Të ftuar për të folur mbi Parkun Kombëtar të Alpeve Shqiptare ishin drejtori i Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër Ing. Dardha dhe Shefi i Sektorit të Menaxhimit të AdZM Shkodër Ing. Macaj. Leksioni mbi peizazhin kulturor u mbajtën nga kandidatja për doktorante në Universitetin e Gjenova-s, Itali, Znj. Eltjana Shkreli, ndërsa udhëzime të detajuara për praktikat e dokumentimit të peizazhit kulturor të një vendbanimi, pjesëmarrësit e Shkollës Verore i morën nga arkitektja Liridona Ura.
Sipas metodologjisë së hartuar nga GO2Albania për çdo proces pune dhe praktike dokumentimi, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe gjatë punës në terren. Zona e studimit ishte një territor prej rreth 40 hektarësh në të dyja anët e përroit të Budaçit, ku që prej mesit të shekullit të kaluar e në vijim, u ngrit vendbanimi me të njëjtin emër. Në dy-tre segmente të saj, lugina e këtij përroi formon një fushë relativisht të sheshtë, rezultat i erozionit, prurjeve të përroit dhe sigurisht punës së njerëzve. Puna e tyre gjithashtu ka krijuar tarracat e pjerrëta në shpatet e maleve, që dikur kultivoheshin kryesisht me patate, por tani shërbejnë vetëm si kullota për tufat e vogla të atyre pak shtëpive që ende banohen gjatë gjithë vitit.
Sikurse një vit më parë në Nikç, dokumentimi i peizazhit kulturor të vendbanimit të Budaçit përfshinte objektet e ndërtuara, pavarësisht funksionit të tyre — banim apo shërbime, si dhe elementë shtesë si gardhet, muret me gurë të thatë, tokat e punuara, kulturat bujqësore, bimë apo pemë. Budaçi është një ndër vendbanimet më të bukura të Kelmendit, me një peizazh kulturor tepër të pasur, me shtresëzime që vijnë që nga fillimi i shekullit të kaluar e bëhen më të dukshme gjatë 60–70 viteve të fundit. Meqenëse njerëzit u zhvendosën këtu për tokën, parcelat e saj janë ato që e mbizotërojnë peizazhin e Budaçit. Si të tilla, ato u dokumentuan së bashku me praktikat bujqësore të aplikuara prej vendasve gjatë shekullit të fundit.
Dokumentimi evidentoi rreth 100 objekte, si dhe qindra elementë të peizazhit kulturor, si ura, bunkerë, kolibe, çezma, mullarë etj, si dhe një numër shumë më të madh gardhesh të realizuara me materiale dhe teknika të ndryshme, tradicionale dhe moderne. Vetë procesi i dokumentimit në terren përfshin vëzhgimin, fotografimin, matjen, vizatimin, hartëzimin dhe më kryesoren: bisedat me banorët vendas. Përkundër momentit historik të ndikuar nga mungesa e informacionit për pasojat e mundshme të zbatimit të ligjeve të fundit të miratuara nga Qeveria, që natyrshëm zgjon ndjesinë e pasigurisë dhe mungesën e besimit, shumica e banorëve të Budaçes mirëpritën grupet e Shkollës Verore gjatë punës në terren, duke u dhënë atyre informacione të rëndësishme për kohën e vendosjes së paraardhësve të këtë vendbanim, për ecurinë e zhvillimit të tij, si dhe për praktikat e jetës së përditshme. Deda, Lushi, Filja, Doda, Petriti, Zefi, Rroku etj., ndanë me pjesëmarrësit e Shkollës Verore historitë e jetës së tyre dhe të familjeve, të cilat shpeshherë nuk kanë qenë lehta për t’u jetuar, e si të tilla mbeten më të vështira për t’i rrëfyer. Të mbledhura, të dokumentuara përmes aparaturave digjitale dhe blloqeve të shënimeve, këto rrëfime përpunoheshin çdo pasdreke në pjesën e dytë të ditës, në atë që u quajt laborator i Shkollës Verore. Të dhënat e hedhura në formate të ndryshme të programeve të posaçme për dokumentim, do të vazhdojnë të organizohen për një periudhë të gjatë kohore në dosje dhe nëndosje të veçanta për t’iu shtuar arkivit dhe bazës së të dhënave (database) të bazuar në system të informacionit gjeografik (GIS) tashmë të ngritur nga GO2Albania për tre luginat më të mëdha të Alpeve Shqiptare: Valbonës, Shalës dhe Cemit. Fisi i Kelmendit që jeton në Luginën e Cemit ka deri më tash, dokumentimin më të hollësishëm të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale të kryer nga GO2Albania.
Ky dokumentim është një proces që nuk mund të mbyllet në një moment të caktuar kohor, prandaj ai vazhdon prej së paku 5 vitesh dhe përfshin jo vetëm mjedisin e ndërtuar dhe atë natyror, por edhe një pasuri të madhe të historive gojore, intervistave gjysmë të strukturuara, të dhënave demografike të periudhave të ndryshme gjatë shekullit XX, të mbështetura nga një seri e gjerë rrëfimesh në vetë të parë për origjinën e dhjetëra familjeve në këtë zonë. Të ruajtura në formate dixhitale dhe fizike, i gjithë ky dokumentacion do të mund t’u shërbejë brezave të ardhshëm për të njohur në thellësi Kelmendin, prejardhjen dhe stadet e zhvillimit të tij përgjatë historisë. Duke stimuluar zhvillimin e shpejtë — të hartuara nga zyrat e betonta me ajër të kondicionuar të Tiranës — politikat e viteve të fundit mund ta zbehin edhe më këtë peizazh kulturor, duke i zhdukur gjurmët e paraardhësve. Kush ka mësuar të lexojë hartat e vjetra e kupton menjëherë se mbi sa varre dhe varreza, puse, çezma, e të tjera vende të kujtesës kolektive janë ngritur shtëpi, rrugë, pallate e lagje të tëra në qytete dhe fshatra — e kjo e zhbën historinë. Mirëpo sado modest në dukje, peizazhe të tilla janë krijuar përgjatë shekujve ndërveprimi të qëndrueshëm të malësorëve me mjedisin, duke mos marrë kurrë prej burimeve natyrore më shumë se sa u duhej për një jetë të thjeshtë. Ndërveprimi përbëhet nga dhjetëra praktika të jetës së përditshme që kanë të bëjnë me tokën, pyllin, ujin, kullotat, bagëtitë, shtëpinë, qiellin, dëborën, shiun, erën, por edhe krijesat e fantazisë së pasur njerëzore, si zanat, orët, gjarpërin, hijen… Prandaj, përveç pamjes idilike, peizazhi bart në vetvete shpirtin e njerëzve që e krijuan atë.
Përjetimet e pjesëmarrësve
Shkollat dhe Kampet Verore janë një mundësi e mirë që profesionistët e rinj të mësojnë në mënyrë informale ato dimensione praktike që fatmirësisht, sistemi arsimor nuk ka mundur t’i ngurtësojë për t’i përfshirë në kurrikula akademike. Për këtë arsye, pjesëmarrësit, studentë ose profesionistë të rinj, aplikojnë në një numër të madh thirrjesh. Sikurse disa prej tyre shkruan pas kësaj Shkolle Verore, ata vijnë pikërisht për të përfituar këtë përvojë profesionale, por edhe për ta ekspozuar veten ndaj vendeve dhe realiteteve të reja, përfshi mënyrat e ndryshme të jetesës. Mirëpo përjetimet e tyre nga kontakti me natyrën, njerëzit dhe punën në terren janë të tilla sa të të përjetojnë “një shock kulturor”: “Mënyra e të folurit, e jetesës, e perceptimit të jetës, vështirësive dhe gjetjes së paqes përmes sakrificave, mirësjellja dhe këto bukuri natyrore i gjeta pikërisht këtu” — shkruan Anisa, një prej pjesëmarrësve të edicionit të tretë të Shkollës Verore. Ndërsa Velisa shkruan se ka njohur “…së paku 7 karaktere të reja e frymëzuese, pa përmendur këtu dashamirësinë e mikpritjen e familjes ku qëndrua dhe gjithë banorëve të fshatit që na mundësuan një panoramë të jetës së tyre të përditshme. … Zona e studimit, Budaçi, duhet të jetë një vend i bekuar; është fat të jetë ende e banueshme.” Për Flavianën kjo përvojë “përfshinte përmirësim profesional, por edhe integrim social dhe një natyre të mrekullueshme siç është ajo e Alpeve”, ndërsa Viola shkruan se “puna kolosale që keni ndërmarrë siguron që kjo mënyrë jetese të jetë e prekshme dhe e kuptueshme për brezat e ardhshëm”. E sikurse mjaft pjesëmarrësve të tjerë, Shkurtes, GO2Albania i ka dhënë mundësinë që “çdo gjë që ka mësuar në universitet” rreth trashëgimisë kulturore, ta shohë, të jetojë dhe mësojë në realitet.
Angazhimi i GO2Albania në dokumentimin e trashëgimisë
Kjo ishte e treta Shkollë Verore e Alpeve Shqiptare, organizuar nga GO2Albania. Shkolla e parë Verore e Alpeve Shqiptare u mbajt në Lëpushë, Kelmend më 23–28 Korrik 2023. Shkolla e dytë Verore e Alpeve Shqiptare u mbajt më 11–21 Korrik 2025 dhe kishte objektiv hartëzimin e peizazhit kulturor të një vendbanimi të Alpeve — fshatin Nikç të Kelmendit, si ndër më të ruajturit në rajon. Deri më tash, këto janë 3 edicionet e Shkollës Verore të Alpeve Shqiptare të organizuara nga GO2Albania.
Ndërkaq, që prej vitit 2017, GO2 ka organizuar disa shkolla verore në Alpet e Shqipërisë në bashkëpunim me disa agjenci dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale. Kështu, në Maj 2017, GIZ dhe AKZM, në bashkëpunim me Universitetin Kasel në Gjermani, GO2Albania dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, organizuan Shkollën Verore në Theth për njohjen me trashëgiminë ndërtimore në Theth. Një vit më vonë, më 2 Nëntor 2018, GO2Albania realizoi pajisjen me informacion të pasur për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Qendrës së Vizitorëve Theth, si dhe arredimin e brendshëm të saj.
Në vitin 2021, CHwB Kosova në bashkëpunim me GO2 organizuan një shkollë verore në luginën e Valbonës për inventarizimin e kullave. Një vit më vonë, më 2022, CHwB Albania në bashkëpunim me GO2 organizuan Kampin e 49 Rajonal të Restaurimit në Lëpushë, Kelmend, për dokumentimin digjital të arkitekturës lokale. Më 2024, Goethe-Zentrum Tirana në bashkëpunim me GO2, organizuan në Lëpushë, Kelmend, kampin mjedisor për njohjen e elementëve të peizazhit kulturor dhe atë natyror të Alpeve.
Budaçi i Nikçit
Budaçi është një nga vendbanimet e reja të Kelmendit. Deri në fillim të shekullit XX, kullotat e saj përdoreshin gjatë verës për tufat e dhive dhe të deleve të familjeve nga Nikçi dhe Broja. Vetëm familjet nga këto dy fshatra kishin pjesë në këtë bjeshkë, sepse secili vendbanim i vjetër i Kelmendit ka pasur dhe/ose ka bjeshkët e veta. Kështu, Lëpusha është banuar nga familje të ardhura nga Vukli, ndërsa Vermoshi nga familjet e ardhura nga fshati Selcë.
Në shënimet e veta, Franz Nopcsa e vlerëson Budaçin e vjeshtës 1907, si një ndër vendbanimet malore më të sigurta, më të civilizuara dhe më të pastra të kohës në Alpet Shqiptare. Pak më shumë se një dekadë më vonë, familjet e para vendosën të qëndronin në Budaç edhe gjatë dimrave të ashpër, ndërsa dy shtëpitë e para të vërteta i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Prandaj më 1947 në Budaç u regjistruan vetëm 2 shtëpi me 11 banorë gjithsej.
Prej më të moshuarve mësohet se deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar kishte vetëm një kullë tradicionale dykatëshe me mure guri dhe mblojë me dërrasa pishe. Pjesa tjetër e banesave ishin ndërtuar në stilin e staneve, shpesh të mbështetura/të futura në shpatin e malit: shtëpi njëkatëshe të vogla dhe të ulëta; fasada ballore me dërrasë, tre faqet anësore me mur guri të thatë, dritare të vogla dhe mblojë me dërrasë pishe. Aktualisht, vetëm 2–3 objekte të tilla kanë mbijetuar nga ajo kohë. Ato dallojnë për raportin 1:4–1:3 të përmasave të njollës së ndërtesës. Pjesa tjetër e ndërtimeve dhe e ndërhyrjeve në territor, që formësuan fizionominë e vendbanimit të sotëm u realizuan ndërmjet viteve 1960 deri më 1990, ndërsa ndryshimet e pësuara gjatë dekadave të fundit janë më të vogla.
Më 1970, dy vjet pas hapjes së rrugës automobilistike dhe për shkak të pyjeve qindravjeçare me bredh dhe ah, Budaçi u bë qendër e sektorit të shfrytëzimit pyjor. Kjo çoi në prerjen masive të pyjeve të vjetra, por njëkohësisht në rritjen e nivelit të jetesës së banorëve vendas, sepse pothuajse çdo familje kishte një pjesëtar të punësuar në këtë ndërmarrje shtetërore, paga e të cilëve ishte disa herë më e lartë se e pjesës tjetër — bujq dhe blegtorë të kooperativës. Në kulmin e zhvillimit të kësaj kohe, Budaçi arriti të kishte rreth 15 shtëpi, një shkollë fillore, një mulli, një sharrë me ujë, një baxho për përpunimin e qumështit, disa stalla etj.
Me shndërrimin e sistemit politik në Shqipëri, fshati filloi të braktiset, por gjatë dekadës së fundit, disa familje po tentojnë të merren edhe me turizëm, krahas blegtorisë dhe bujqësisë. Ndonëse sot numërohen 20 shtëpi, disa prej tyre janë braktisur ose frekuentohen vetëm gjatë verës, sepse numri i banorëve që jetojnë gjatë gjithë vitit është më i vogël se numri i shtëpive. Të gjithë banorët e Budaçit u përkasin 3 fiseve, pavarësisht mbiemrave të ndryshëm: Hasaj (Dukaj), Turkaj dhe Naçaj (Neçaj, Nekaj).
Vendbanimi shtrihet në të dyja anët e përroit të Lëpushës, pjesë e lumit të Vermosh*t, të vetmit në Shqipëri që rrjedh “mbrapsht” — nga perëndimi në lindje dhe që e fut Shqipërinë në pellgun ujëmbledhës të Danubit të madh. Brenda zonës së banuar, shtrati i përroit të Lëpushës nis në lartësinë 1255 m mbi nivelin e detit dhe ulet për rreth 50 m deri në fund të tij, ndërsa shtëpitë e banimit ngrihen deri në 1360m. Sheu i Haramisë dhe Shutica e Grebenit janë dy përrejtë më të mëdhenj që zbresin nga e majta e Budaçit, ndërsa djathtas janë dy degëzime të Përroit të Trojanit, e më pas Sheu i Kacelajve, i Cacës etj.
Me orientim jug-veri, lugina e Budaçit është rreth 5.5 km e gjatë, por vendbanimi është i mbledhur në 2 kilometrat e parë. Në këtë pjesë të banuar, gjerësia e shtratit të luginës shkon nga 100–300 m, ndërsa më në veri, në grykën poshtë shkëmbijve të Perlugës, ajo ngushtohet deri në 25 m. Vendbanimi ka 7 ura të vogla drejt rrugëve private të banorëve, si dhe dy ura më të mëdha betoni në rrugën automobilistike që duke kaluar përmes Budaçit, lidh Qafë Predelecin me Vermoshin.
Administrativisht Budaçi është një nga tre lagjet e fshatit Lëpushë, krahas Gropave të Selcës dhe vetë Lëpushës.
P.S.
© 2026 GO2Albania. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ky material, përfshirë tekstin dhe fotografitë nuk mund të riprodhohet, publikohet, përshtatet ose shpërndahet, pjesërisht apo tërësisht, pa miratimin paraprak të GO2Albania.
Shkolla Verore e Alpeve Shqiptare III është realizuar në bashkëpunim me AdZM Shkodër, Rrjetin Tramontana (Réseau Tramontana) dhe me mbështetjen financare të Prespa Ohrid Nature Trust - PONT dhe Bashkimit Europian (Creative Europe). Përmbajtja dhe opinionet e shprehura janë përgjegjësi e autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimin e donatorit.