13/10/2026
NDIHMËS MJEKU I PALODHUR I GORËS
------------------------------------------------------------------
NGA-VILSON MERSINLLARI.
------------------------------------------------‐‐----------------
Ka njerëz që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e një komuniteti. Njerëz që nuk i kujtojmë vetëm për profesionin që ushtruan, por mbi të gjitha për përkushtimin, humanizmin dhe gjurmët e mira që lanë në zemrat e atyre që u shërbyen. I tillë ishte Çerçiz Rroko, i njohur nga të gjithë si Çeçua, bashkëfshatari ynë nga Senishti, i cili ia kushtoi jetën shërbimit ndaj njerëzve.
Në qershor të vitit 1982, në gazetën -PËRPARA-, organ i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, botova një shkrim-portret kushtuar atij, me titullin „Ndihmës mjeku i palodhur i Gorës“. Sot, pas kaq shumë vitesh, ndiej përsëri nevojën t'u rikthehem atyre rreshtave, për të sjellë në kujtesën e bashkëfshatarëve të mi, por veçanërisht të brezit të ri të Senishtit dhe të Gorës, figurën e një njeriu që meriton të mos harrohet.
Çerçiz Rroko lindi në Senisht në vitin 1943. Në vitin 1968 përfundoi shkollën për ndihmës mjek, duke u bërë i pari i këtij profesioni nga fshati ynë. Ishte një arritje që nuk do të mbetej vetëm një sukses personal, por do të kthehej në një shërbim të vyer për bashkëfshatarët e tij dhe për gjithë zonën e Gorës.
Vështirë të gjeje një shtëpi në Senisht, e madje edhe në fshatrat e tjerë të Gorës, ku Çeçua të mos kishte hyrë për t'u ardhur në ndihmë njerëzve të sëmurë. Ai shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm edhe në spitalin e Gorës, duke u bërë një emër i njohur dhe i respektuar në të gjithë zonën.
Për Çeçon nuk fliste vetëm profesioni, por edhe zemra e madhe. Ai dinte t'u jepte njerëzve kurajë, t'i qetësonte me fjalën e tij dhe t'u përcillte besim në çastet kur sëmundja dhe dhimbja i rëndonin. Nuk ishte vetëm dora e tij që mjekonte, por edhe fjala, afërsia dhe kujdesi njerëzor.
Një nga aftësitë e tij të veçanta ishte mjekimi i plagëve. Në këtë drejtim, njerëzit kishin aq shumë besim tek ai, sa shpeshherë ia besonin Çeços mjekimin e tyre me bindjen se do të merrte kujdesin e duhur. Ai u hynte plagëve me themel, duke i pastruar dhe mjekuar me imtësi e këmbëngulje. Pikërisht për këtë mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hollësishme pune, njerëzit i kishin vënë edhe epitetin „Kasapi“.
Por, përtej këtij epiteti popullor, që mbeti i lidhur me mënyrën e tij të punës, qëndronte një profesionist i përkushtuar, i cili e merrte seriozisht detyrën dhe përgjegjësinë ndaj të sëmurëve.
Çeçua ishte njeriu që gjendej kudo ku kishte nevojë për ndihmë. Në shtëpitë e thjeshta të fshatrave, në vatrat familjare dhe në spitalin e Gorës, ai ishte një figurë e njohur, e afërt dhe e besuar. Për shumë banorë, ai nuk ishte thjesht ndihmës mjeku, por njeriu tek i cili trokisnin kur kishin nevojë për kujdes, këshillë dhe shpresë.
Kanë kaluar vite që nga ndarja e tij nga jeta, por emri dhe kujtimi i Çerçiz Rrokos vazhdojnë të jetojnë në zemrat e atyre që e njohën. Edhe sot, në bisedat e bashkëfshatarëve tanë dhe të banorëve të Gorës, për të dëgjohen fjalë respekti e mirënjohjeje. Kjo është dëshmia më e bukur se një njeri nuk vlerësohet vetëm për vitet që jeton, por edhe për të mirat që lë pas.
Sot, kur i rikthehem shkrimit të qershorit të vitit 1982, e ndiej edhe më shumë peshën e kujtimit. Atëherë shkruaja për një njeri që ishte mes nesh; sot shkruaj për ta mbajtur të gjallë figurën e tij në kujtesën e brezave që vijnë.
Ia vlen të shkruash dhe të rishkruash për njerëz të tillë. Sepse ata janë pjesë e historisë së një fshati, e kujtesës së një krahine dhe e trashëgimisë njerëzore që nuk duhet të humbasë.
Le të jenë këta rreshta një homazh për Çerçiz Rrokon, Çeçon tonë të paharruar, ndihmës mjekun e palodhur të Gorës, që me punën, përkushtimin dhe humanizmin e tij fitoi respektin e njerëzve.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
VILSON MERSINLLARI.
VLORË.