17/10/2026
SHPALLJE PËR VEND TË LIRË PUNE
Për pozicionin “Shofer”
Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë shpall procedurën e përzgjedhjes për plotësimin e një vendi vakant pune në pozicionin “Shofer”. Detyra kryesore e këtij pozicioni është të sigurojë transportin e sigurt dhe në kohë të Kreut të Misionit Diplomatik, si dhe të kryejë detyra të tjera transporti dhe logjistike për nevojat e Ambasadës.
I. Detyrat kryesore
· Transportimi i sigurt, në kohë dhe në mënyrë profesionale i Kreut të Misionit Diplomatik dhe i personave të tjerë të autorizuar gjatë takimeve zyrtare, veprimtarive dhe udhëtimeve të shërbimit.
· Pritja, shoqërimi dhe transportimi i mysafirëve zyrtarë dhe i delegacioneve, sipas udhëzimeve të punëdhënësit.
· Planifikimi paraprak i itinerareve, vlerësimi i situatës së trafikut, përcaktimi i rrugëve alternative dhe njoftimi në kohë për pengesat e mundshme.
· Kontrolli i përditshëm i gjendjes teknike të automjeteve, i pastërtisë, i karburantit dhe i dokumentacionit të nevojshëm, si dhe asistimi në organizimin e mirëmbajtjes së automjeteve të shërbimit.
· Mbajtja e evidencave për udhëtimet, karburantin, shërbimet teknike dhe dokumentacionin, në përputhje me rregullat e brendshme.
· Kryerja e detyrave të korrierit dhe e detyrave të tjera logjistike, duke respektuar rregullat e hyrjes dhe të sigurisë.
· Respektimi me përpikëri i konfidencialitetit lidhur me programin e shërbimit, itineraret, vizitorët dhe çdo informacion të marrë gjatë ushtrimit të detyrës.
II. Kushtet e punës
· Vendi i punës: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë, me udhëtime shërbimi brenda Shqipërisë dhe, sipas nevojës, jashtë saj.
· Marrëdhënia e punës: Lidhja e një kontrate individuale pune me shkrim. Parashikohet një afat 12-muajsh i kontratës, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe rregullat e brendshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë.
· Orari normal i punës: 8 orë në ditë, 5 ditë pune në javë, gjithsej 40 orë në javë. Angazhimet shtesë, periudhat e pushimit dhe kompensimi për punën jashtë orarit rregullohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
· Pushimet vjetore të paguara: jo më pak se 22 ditë pune për një vit të plotë pune, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
· Paga: Paga përcaktohet në përputhje me parametrat financiarë të miratuar për pozicionin. Shuma konkrete e pagës mujore bruto dhe kushtet e tjera të punës do t’i bëhen të ditura kandidatit të përzgjedhur përpara nënshkrimit të kontratës së punës.
III. Kërkesat e detyrueshme për aplikantët
· Të kenë të paktën arsim të mesëm të përfunduar.
· Të kenë leje drejtimi të vlefshme, të paktën të kategorisë B, e cila u jep të drejtën të drejtojnë automjetin përkatës në Republikën e Shqipërisë.
· Të kenë të paktën 5 vjet përvojë profesionale si drejtues automjeti (që mund të provohet me dokumente).
· Të kenë njohuri shumë të mira të Tiranës, të itinerareve kryesore drejt institucioneve dhe të rrjetit rrugor të Shqipërisë.
· Të dinë gjuhën shqipe dhe të kenë njohuri të njërës prej gjuhëve: anglisht ose bullgarisht, të paktën në nivelin e nevojshëm për komunikim pune.
· Të kenë aftësi për drejtimin e sigurt dhe të qetë të automjetit, orientimin dhe planifikimin paraprak të udhëtimeve.
· Të jenë të besueshëm, korrektë në respektimin e orarit, të përgjegjshëm dhe diskretë, si dhe të respektojnë protokollin zyrtar dhe normat e sjelljes profesionale.
· Të jenë të gatshëm të kryejnë udhëtime shërbimi jashtë Tiranës dhe të marrin pjesë në angazhime zyrtare, duke respektuar orarin e punës dhe periudhat e pushimit të parashikuara me ligj.
· Të kenë njohuri bazë për mirëmbajtjen e automjeteve dhe kryerjen e kontrolleve të sigurisë.
· Të kenë të drejtën për të punuar në Republikën e Shqipërisë, të mos kenë shkelje të rënda të evidentuara të rregullave të qarkullimit rrugor dhe të mos kenë pengesa të tjera ligjore për ushtrimin e detyrës.
IV. Kualifikimet dhe përvoja që përbëjnë përparësi
· Përvojë pune si shofer i drejtuesve të institucioneve, diplomatëve ose personave të tjerë zyrtarë, përfshirë përvojën në misione diplomatike dhe organizata ndërkombëtare.
· Trajnime për drejtimin e sigurt të automjetit (defensive driving) dhe për dhënien e ndihmës së parë.
· Njohja e gjuhëve të tjera të huaja dhe e itinerareve ndërkombëtare në rajon.
· Referenca profesionale të verifikueshme nga punëdhënësit e mëparshëm. Leja e drejtimit e kategorisë C përbën një përparësi shtesë, por nuk është e detyrueshme.
V. Dokumentet e nevojshme për aplikimin fillestar
· Një kërkesë e shkurtër për punësim, në formë të lirë, ku të përcaktohet pozicioni për të cilin aplikohet: “Shofer”.
· Një jetëshkrim (CV) i përditësuar, që përmban numrin e telefonit, adresën e postës elektronike dhe informacionin për arsimin, përvojën profesionale dhe punëdhënësit e mëparshëm, nëse ka të tillë. Fotografia nuk është e detyrueshme.
· Një kopje e lexueshme e lejes së vlefshme të drejtimit (kategoria B ose më e lartë).
· Të dhënat e kontaktit të personave që mund të japin referenca profesionale (emri, pozicioni, organizata dhe të dhënat e kontaktit), nëse ka të tillë dhe nëse kandidati ka marrë pëlqimin e tyre për dhënien e këtyre të dhënave. Mund të paraqiten edhe referenca me shkrim, nëse disponohen.
· Dokumente që vërtetojnë kryerjen e trajnimeve shtesë për drejtimin e sigurt të automjetit, dhënien e ndihmës së parë ose njohjen e gjuhëve të huaja, nëse ka t; tilla.
Vetëm kandidatëve që arrijnë në fazën përfundimtare të përzgjedhjes mund t'u kërkohet, përpara punësimit dhe sipas nevojës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të paraqesin: dokument identifikimi, dokumente që vërtetojnë kualifikimet dhe përvojën profesionale, dëshmi penaliteti, dokumente që vërtetojnë të drejtën për të punuar, vërtetim mjekësor të aftësisë për punë dhe deklaratë lidhur me marrëdhëniet e tjera pune. Paraqitja e dokumenteve nuk garanton punësimin.
VI. Mënyra dhe afati i aplikimit
Aplikimet duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], duke shënuar në subjektin e mesazhit: “Aplikim – Shofer”.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve: 30 tetor 2026, ora 17:00 (ora lokale e Tiranës).
Për informacione të mëtejshme, mund të kontaktoni Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në adresën: Rruga “Skënderbej”, nr. 12, Tiranë; tel.: +355 4 22 33 155.
VII. Fazat e përzgjedhjes
· Verifikimi i përmbushjes së kërkesave të detyrueshme dhe shqyrtimi paraprak i dokumentacionit të paraqitur.
· Intervistë, e cila përfshin vlerësimin e njohurive të anglishtes ose bullgarishtes në nivelin e nevojshëm për komunikim në punë, si dhe pyetje lidhur me besueshmërinë dhe ruajtjen e konfidencialitetit.
· Test praktik për vlerësimin e aftësive në drejtimin e sigurt të automjetit, kryerjen e manovrave, planifikimin e itinerareve dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve të tyre.
· Verifikimi i referencave profesionale të aplikantëve të miratuar në fazën e parë dhe përgatitja e një propozimi të argumentuar për punësim.
Vetëm aplikantët që kalojnë me sukses shqyrtimin paraprak do të ftohen të marrin pjesë në fazat e mëtejshme të përzgjedhjes. Ambasada rezervon të drejtën të mos propozojë asnjë aplikantt për punësim, nëse asnjëri prej tyre nuk i plotëson kërkesat e përcaktuara.
VIII. Mbrojtja e të dhënave personale
Të dhënat personale të paraqitura do të përdoren vetëm për qëllimet e vlerësimit të aplikimeve dhe të kryerjes së procedurave përkatëse të punësimit, nga punonjës të autorizuar të Ambasadës. Në fazën fillestare të aplikimit nuk kërkohet paraqitja e dokumenteve që përmbajnë të dhëna të ndjeshme, të cilat nuk janë të domosdoshme për këtë fazë. Ruajtja dhe përpunimi i mëtejshëm i të dhënave do të kryhen në përputhje me rregullat e zbatueshme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe administrimin e dokumentacionit. Pyetjet lidhur me përpunimin e të dhënave personale mund të dërgohen në adresën elektronike [email protected].