15/10/2026
Thirrje për Lutje – Paqe dhe Urtësi për Kombin Tonë
Të dashur anëtarë të kishës Bethel dhe gjithë të krishterët kudo qofshin.
Në këto ditë të vështira ku po përjetojmë trazira, frikë, pasiguri dhe dhunë prej protestave në vendin tonë, fjalët e Perëndisë na kujtojnë se “Perëndia nuk është një Perëndi i rrëmujës, por i paqes” (1 Korintasve 14:33).
Ju ftojmë të bashkohemi të gjithë si një trup i vetëm në lutje:
* Për Paqe dhe Mbrojtje: Lutemi që Zoti të largojë çdo frymë dhune, frike e pasigurie nga rrugët dhe shtëpitë tona, duke sjellë paqen e Tij që tejkalon çdo mbrojtje njerëzore.
* Për Politikanët dhe Udhëheqësit: Lutemi që Perëndia t'u japë mendësi të kthjellët, urti, urtësi dhe pjekuri për të marrë vendime të drejta që i shërbejnë të mirës së përbashkët.
* Për Të Rinjtë: Lutemi që Perëndia të mbrojë zemrat dhe mendjet e të rinjve tanë, duke i udhëhequr ata drejt shpresës, vetëpërmbajtjes dhe ndërtimit, e jo drejt shkatërrimit apo përdorimit nga trazirat.
* Për Të Gjithë Qytetarët: Lutemi për qetësi, mirëkuptim dhe bashkim mes njerëzve, që dashuria dhe respekti të mbizotërojnë mbi përçarjen.
Kërkoni paqen e qytetit... dhe lutuni Zotit për të, sepse në paqen e tij do të keni paqen tuaj.” – Jeremia 29:7