30/01/2026
Me shumë kënaqësi dhe emocion përmbyllëm projektin “Rrënjë të forta dhe rritje të shëndetshme”, një projekt i mbështetur financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe i implementuar nga Qendra Aleanca Sociale, e cila prej më shumë se 5 vitesh punon me përkushtim për fuqizimin e të rinjve dhe ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme.
Gjatë këtyre 6 muajve, kemi ndarë jo vetëm aktivitete dhe trajnime, por edhe emocione, histori dhe sfida reale nga jeta e përditshme e të rinjve. Kemi takuar qindra nxënës nga bashkitë Elbasan, Peqin dhe Cërrik dhe, me shumë prej tyre, kemi ndërtuar një marrëdhënie besimi dhe miqësie që shkon përtej këtij projekti.
📌Ky projekt synoi t’u japë të rinjve më shumë se informacion.
📌Synoi t’u japë forcë, zë dhe besim tek vetja. Ata mësuan se si të njohin dhe të menaxhojnë emocionet e tyre, si të përballojnë ankthin dhe stresin, si të kuptojnë rreziqet e varësive të dëmshme dhe si të marrin vendime më të shëndetshme për veten dhe të ardhmen e tyre.
📌Mbi të gjitha, mësuan se kanë të drejtën dhe fuqinë për t’i thënë JO presionit të bashkëmoshatarëve dhe për të zgjedhur atë që është e mirë për ta.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe një sfide shumë të përhapur sot: varësisë nga telefoni dhe rrjetet sociale. Të rinjtë u ndërgjegjësuan se jeta reale, marrëdhëniet e vërteta dhe ëndrrat e tyre janë shumë më të vlefshme se çdo ekran.
Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për psikologët dhe punonjësit socialë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, të cilët çdo ditë janë pranë të rinjve tanë, duke i dëgjuar, mbështetur dhe udhëzuar me profesionalizëm dhe zemër.
Në përfundim, dëshiroj t’u drejtohem veçanërisht të rinjve:
Ju jeni rrënjët e së ardhmes sonë. Forca juaj qëndron në zgjedhjet që bëni çdo ditë, në guximin për të kërkuar ndihmë dhe në besimin se mund të rriteni të shëndetshëm.
Faleminderit për bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen ne çdo aktivitet të organizuar.
Mirënjohje pêr 🏢shkollën e mesme " Kemal Ataturk" Pajovë, shkollën e Mesme Cërrik dhe shkollën Qamil Guranjaku 🙏🏽🤗