08/09/2026
Në 29 dhe 30 Gusht 2026, u zhvillua Festivali i Parë Ballkanik i Farave në Kastoria të Greqisë, organizuar nga Shoqata e Rrjetit Ballkanik të Farave (BSNA), AEGILOPS dhe Shoqata për Bujqësinë Organike Kastoria. Shoqata e Resurseve Gjenetike te Bimëve (APGR) Belsh, është anëtare e Rrjetit Ballkanik të Farave (BSNA) që në krijimin e tij.
Në këtë Festival morën pjesë përfaqësuesit e Shoqatës, Prof. dr.Fetah Elezi (drejtor Ekzekutiv) dhe Z. Apostolis Paja, administrator i Agroturizëm “Paja”, Belsh.
Në ditën e parë (29 Gusht), vizituam fermën BioFru në Vasiliada (Kastoria) dhe koleksionin tradicional të pemëve frutore dhe vendbanimin parahistorik në Dispilio, të Kastorias.
Në mbrëmje, përfaqësuesit e shoqatave që morën pjesë, paraqitën frutat e domateve dhe specave të varieteteve tradicionale të vendeve të tyre, në qendrën tregtare të Kastorias.
Shoqata APGR prezantoi tetë varietete domate tradicionale. Pjesëmarrësit si dhe vizitorët shijuan dhe vlerësuan varietetet e paraqitura. Në vazhdim pjesëmarrësit ndoqën dy prezantime.
• Flora e Ballkanit, paraqitur nga Z. Vasilis Ioannidis, kërkues shkencor.
• Mbi Rrjetin Ballkanik të Farave (BSNA), nga Z.Kostas Koutis, kryetar i Bordit të BSNA-s.
Në mbyllje pjesmarrësit ndoqën muzikë popullore.
Në ditën e dytë (30 Gusht) u zhvillua festivali i hapur për vizitorët për shkëmbimin e farave të varieteteve tradicionale. APGR paraqiti fara të varieteteve nga 10 specie të ndryshme (specie të kultivuara dhe të rralla), si dhe shkëmbeu fara me shoqatat nga vendet e ndryshme të Ballkanit.
Më pas subjektet pjesëmarrëse paraqitën produktet e tyre ushqimore tradicionale.
Nga pala Shqiptare mori pjesë Z.Apostolis Paja, Agroturizëm “Paja”, Belsh, me produktet e ndryshmë të bukës, të vajit të ullirit, të verës, të rakisë, të shafranit, etj.
Ai prezantoi produktet, mënyrën e përgatitjes, vlerat e tyre, mënyrën e shpërndarjes, etj. Pjesmarrësit testuan produktet e tij dhe vlen të theksohet se pati mjaft vlerësime pozitive për vajin e ullirit, rakinë e shafranit, etj.