08/08/2026
Aleanca Sindikaliste e Arsimit SPASH-FSASH
Ligjshmëria jonë solli rezultate, por beteja nuk mbaron këtu.
Të nderuar kolegë mësues!
Çdo fillim viti shkollor është një fillim i ri.
Viti shkollor 2025–2026 ishte një vit sfidash.
Me gjithë vështirësitë, pengesat dhe përballjet institucionale, Aleanca Sindikaliste SPASH-FSASH nuk u tërhoq asnjëherë nga misioni i saj.
Përmes dialogut, argumentit profesional dhe negociatave me institucionet përgjegjëse, u arritën zgjidhje për problematika që kishin cenuar të drejtat e punonjësve të arsimit.
* U zgjidh problematika e pagës së grupit, e cila kishte prekur drejtpërdrejt dinjitetin profesional dhe mirëqenien ekonomike të shumë mësuesve. Me negociimin e Aleancës Sindikaliste FSASH-SPASH u rikthye drejtësia dhe shumë mësues përfituan financiarisht nga 2 deri në 4 mijë lekë, sipas kategorive të prekura.
Kjo nuk ishte vetëm çështje page; ishte një çështje vlerësimi dhe respekti për profesionin e mësuesit.
* U rikthye kompensimi i largësisë për mësuesit që udhëtojnë nga 5 deri në 50 km larg vendbanimit të përhershëm, duke njohur vështirësinë e përditshme të këtyre mësuesve.
* U rikthye pagesa e transportit për punonjësit e arsimit parashkollor, një e drejtë e mohuar, duke sjellë jo vetëm përfitim financiar, por edhe dinjitet dhe barazi.
Këto problematika të zgjidhura prekën mësues në të gjithë Shqipërinë. Por shumë mësues kanë gjetur mbështetje, përfaqësim dhe zgjidhje për problematikat e tyre përmes Aleancës Sindikaliste të Arsimit SPASH-FSASH.
Mos të harrojmë edhe përfitimet që mësuesit gëzojnë nga Kontrata Kolektive e Punës.
Megjithatë, puna për Aleancën Sindikaliste të Arsimit FSASH-SPASH nuk përfundon këtu!
Sepse një organizatë e vërtetë sindikale nuk kujtohet vetëm kur ka një problem. Ajo punon çdo ditë për të ndërtuar të ardhmen.
Aleanca Sindikaliste SPASH-FSASH,është në negociata për një tjetër kërkesë të rëndësishme: shpërblimin e fundvitit për mësuesit, një e drejtë që prej vitesh u është mohuar. Po kërkohet një zgjidhje me argumente dhe këmbëngulje, dhe besojmë se do t’ia dalim.
Ndërkohë, për strukturën e vitit shkollor 2026–2027, Aleanca Sindikaliste e Arsimit SPASH-FSASH ka paraqitur pranë Ministrisë së Arsimit një paketë të gjerë propozimesh, që synojnë një arsim më cilësor dhe kushte më të drejta për mësuesit:
1. Mbrojtjen e çdo vendi pune të mësuesit;
2. Rishikimin e numrit të nxënësve në klasa;
3. Parandalimin e bashkimit të shkollave përmes uljes së numrit të nxënësve në shkolla;
4. Uljen e normës mësimore në 18 orë për mësuesit e lëndëve që zhvillojnë provimet e lirimit dhe Maturës Shtetërore;
5. Ndarjen sipas niveleve të klasave të bashkuara në lëndët kryesore, pavarësisht numrit të nxënësve;
6. Uljen e normës mësimore me një orë për drejtuesit e ekipeve lëndore;
7. Uljen e normës mësimore me dy orë për mësuesit që janë 5 vite pranë pensionit, si dhe uljen graduale me nga një orë çdo vit;
8. Për mësuesit e arsimit fillor, ngarkesa mësimore të jetë 20 orë, bashkë me dy orët e kujdestarisë, si dhe lëndët (Dituri Natyre, Histori etj.) të zhvillohen nga mësuesit specialistë të shkollës;
9. Njohjen e ngarkesës së kujdestarisë sipas numrit të nxënësve; kur janë mbi 25 nxënës, orët e kujdestarisë të bëhen 3 orë;
10. Rregullimin e normës për mësuesit e AMU dhe AML, që të jetë maksimumi 20 orë edhe për mësuesit e Artit Pamor, Edukimit Fizik, Muzikës etj.;
11. Vlerësimin e rolit të kryemësuesit, i cili duhet të ketë normën mësimore të një nëndrejtori shkolle;
12. Mbështetjen e mësueseve nëna me fëmijë me aftësi ndryshe, të vërtetuara nga mjeku. Norma e tyre të ulet me 4 orë javore;
13. Uljen e normës mësimore në 15 orë për mësuesit në shkolla ku klasat kanë mbi 50% të nxënësve romë dhe egjiptianë;
14. Mësuesit që mbeten pa normë mësimore të marrin pozicionin e mësuesit ndihmës përpara mësuesve të portalit;
15. Drejtuesit sindikalë në shkolla të Aleancës Sindikaliste, nënshkruese të KKP-së, të kenë një orë më pak të normës mësimore;
16. Ndarjen e nxënësve në grupe nga 7 vetë (djem dhe vajza) në orët e Edukimit Fizik, edhe në ciklin e ulët ku japin mësim mësuesit e Edukimit Fizik;
17. Në klasat e bashkuara ku brenda ka tre klasa të ndryshme, t’u njihet sistemi 6-orësh.
Ndërsa kërkesat e tjera i gjeni të publikuara më me hollësi në rrjetet sociale të FSASH dhe SPASH.
Në vijim do të publikojmë edhe propozimet e bëra pranë MA për një plan afatgjatë për arsimin 2027–2032.
SPASH -FSASH nuk është vetëm një organizatë.
Është forca e vetme që ligjet e Shqipërisë e njohin, është forca që negocion, mbron juridikisht dhe kërkon drejtësi për mësuesit.
SPASH-FSASH.
Zëri i Mësuesit!