03/10/2026
Federata Skitare e Kosovës në takimet Vjeshtore 2026 të FIS
Federata Skitare e Kosovës përmbylli pjesëmarrjen në "FIS Autumn Meetings 2026" në Gjenevë, një javë e rëndësishme takimesh, diskutimesh dhe bashkëpunimi brenda familjes ndërkombëtare të sporteve të borës.
Kosova u përfaqësua nga Presidenti Milaim Kelmendi, Sekretarja e Përgjithshme Luljeta Reçica, Nënkryetarja Besforta Topalli Grajçevci, Anëtarja e Bordit Genta Domi Hoxha dhe Koordinatori i Projekteve Selim Maloku.
Gjatë këtyre ditëve, delegacioni zhvilloi takime bilaterale me federata të tjera kombëtare, takime me drejtues dhe udhëheqës të projekteve të FIS, si dhe mori pjesë në FIS Summit dhe në takimet e nënkomiteteve.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishin edhe takimet me Presidentin e FIS, Dr. Alexander Ospelt, dhe Sekretarin e Përgjithshëm Urs Lehmann, me fokus në forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e sporteve të borës në Kosovë.
Federata gjithashtu mori pjesë në aktivitetet e SES, Small Evolving Ski Nations, ku paraqiti interesimin dhe aplikimin për anëtarësim, si një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit më të afërt me federatat e vendeve në zhvillim.
Pjesëmarrja në Gjenevë vazhdon angazhimin e Federatës Skitare të Kosovës për të forcuar pozitën e Kosovës brenda FIS, për të krijuar partneritete të reja dhe për të sjellë më shumë mundësi për sportistët dhe sportet e borës në vend.