02/03/2025
Endometrioza dhe të ushqyerit
Artikull nga Vala Pupovci
Dietologe/Nutricioniste
Endometrioza është sëmundje kronike inflamatore, në të cilën qelizat e ngjajshme me mbështjellësin endometrial rriten jashtë mitrës, gjë që shpesh herë shkakton dhimbje, inflamim sistemik dhe infertilitet. Përderisa nuk ka mjaftueshëm të dhëna për të konkluduar se mënyra e të ushqyerit mund të ndihmojë në shërimin e sëmundjes, ushqimi mund të luajë rol të rëndësishëm në menaxhimin e simptomave, duke synuar uljen e inflamacionit, stresit oksidues dhe ekuilibrin hormonal.
Duhen ende hulumtime shkencore për të krijuar lidhshmëri në mes të ushqimeve apo stilit të jetesës dhe simptomave të endometriozës, megjithatë, ekzistojnë disa faktorë që mund të ndikojnë pozitivisht apo negativisht në simptoma apo në zhvillimin e sëmundjes.
Disa nga ushqimet që mund të ndikojnë negativisht në simptoma janë:
1. Ushqimet që kanë sasi të lartë të yndyrërave trans
Yndyrërat trans gjenden në margarinë apo lloje tjera të yndyrërave të hidrogjenizuara, si dhe në ushqime të përpunuara dhe të gatshme / paketuara (biskota, kroasanë etj). Studimet kanë gjetur lidhshmëri në mes të konsumimit të yndyrërave trans dhe rasteve me endometriozë, e cila sugjeron se këto yndyrëra mund të ndikojë në zhvilliminin dhe përkeqësimin e simptomave të endometriozës.
2. Konsumimi i sasive të mëdha të mish*t të kuq
Është gjetur lidhshmëri në mes të konsumimit të sasive të mëdha të mish*t të kuq dhe përkeqësimit të simptomave të endometriozës, e cila mendohet të jetë për shkak të ndikimit të tij në inflamacion, nivele të estrogjenit dhe në shëndetin e zorrës. Kjo vlen sidomos për mishrat e përpunuar si sallama, suxhuku, përshutat etj.
3. Sasitë e mëdha të kafeinës
Përderisa studimet nuk janë konkluduese, sugjerohet se marrja e sasive të tepruara të kafeinës (më shumë se 400mg në ditë) mund të ndikojë në metabolizmin e estrogjenit, dhe rritjen e inflmacionit te gratë me endometriozë. Disa gra me endometriozë vërejnë përmirësim të simptomave, pasi të kenë ulur konsumimin e kafeinës.
4. Gluteni
Marrëdhënia në mes të glutenit dhe endometriozës ende nuk është vërtetuar plotësisht, mirëpo ekzistojnë hulumtime të cilat tregojnë se një përqindje e grave përjetojnë zvogëlim të dhimbjeve pas eliminimit të glutenit nga dieta, megjithatë duhen studime më të mëdha për të vërtetuar këtë. Sugjerohet të provohet një dietë duke eliminuar glutenin, dhe të përcjellen simptomat për të parë nëse ka apo nuk ka përmirësim.
Ushqimet që mund të ndikojnë pozitivisht në endometriozë:
1. Vitamina D dhe acidet yndyrore omega 3
Të dyja luajnë rol në zvogëlimin e inflamacionit dhe rregullimin hormonal. Përfshirja e ushqimeve si peshku i yndyrshëm, sardinat, tuna, farat e lirit, arrat apo suplementet e vajit të peshkut mund të sigurojnë sasinë e duhur të omega 3, ndërkaq ekspozimi në diell për 15 minuta në ditë, apo suplementet mund të sigurojnë sasinë e duhur të Vitaminës D.
2. Ushqimet e pasura me antioksidantë
Antioksidantët luajnë rol në uljen e stresit oksidues dhe inflmacionit. Gjenden në ushqime bimore si frutat, perimet e shumëllojshme, fasulet dhe çokollata e zezë. Disa nga antioksidantët më të fuqishëm, dhe me veti të forta anti – inflamatore janë flavonolet dhe flavononet, të cilat gjenden në portokall, mandarinë, grejpfrut, kakao, mollë, qepë, brokoli dhe në fruta mali.
3. Ushqimet e pasura me fibra
Fibrat mund të ndihmojnë në menaxhimin e niveleve të estrogjenit, dhe të promovojnë shëndetin e zorrës. Sasia e rekomandueshme ditore e fibrave duhet të jetë rreth 25 – 30g në ditë. Ushqimet e pasura me fibra janë frutat, perimet, fasulet, thjerrëzat, qiqrat, bizelet dhe drithërat integrale (tërshëra, buka e zezë, orizi integral, bollguri, kuinoa, misri).
4. Vitamina B6 dhe Magnezi
Vitamina B6 mund të ndihmojë në ekuilibër hormonal, dhe në kombinim me magnezin, mund të ndihmojë në menaxhimin e dhimbjes nga endometrioza. Disa nga ushqimet e pasura me vitaminë B6 janë mëlqia, vezët, peshku, mishi i pulës, avokado, bizelet, ndërkaq nga ato të pasuar me magnez janë spanaqi, bademat, farat e kungullit, fasulet apo çokollata e zezë.
Dietologe/Nutricioniste Vala Pupovci