14/05/2024
Deklarata 100+: Deklarata nga takimi fillestar për krijimin e Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës
Ne, psikologët klinikë të licencuar të Kosovës, u mblodhëm në këtë takim të parë me një vizion dhe përkushtim të përbashkët për themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës. Duke njohur nevojat dhe aspektet unike të profesionit tonë, ne avokojmë për formimin e një Ode të pavarur që do të shërbejë si gur themeli për avancimin dhe rritjen e shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë.
1. Ne pohojmë se ka domosdoshmëri për të themeluar Odën e Psikologëve Klinikë të Kosovës, duke pranuar nevojat specifike dhe përshtatjen e qasjes që duhen për të përmbushur kërkesat e profesionit tonë në mënyrë efikase dhe efektive.
2. Kjo nismë bashkon të gjithë psikologët klinikë të licencuar, pavarësisht niveleve të tyre të licencimit, me synimin e përbashkët për avancimin dhe zbatimin e standardeve më të larta etike dhe profesionale në fushën tonë.
3. Si profesionistë të shëndetit mendor, ne pohojmë se ka mos-shfrytëzim të mjaftueshëm të ekspertizës tonë dhe bëjmë thirrje urgjente për integrim gjithëpërfshirës, transparent dhe të drejtë në sistemin e kujdesit shëndetësor. Veprimi i menjëhershëm është i domosdoshëm për të shkuar drejt përmirësimit të shërbimeve të shëndetit mendor.
4. Oda e Psikologëve Klinikë të Kosovës do të përmbushë detyrat e saj duke kontribuar aktivisht në zbatimin dhe avancimin e legjislacionit kombëtar dhe promovimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e shëndetit mendor. Ne besojmë me vendosmëri se një Odë e pavarur është me rëndësi thelbësore për të mbrojtur dhe për t'iu përgjigjur në mënyrë adekuate nevojave të shfrytëzuesve të shërbimeve të shëndetit mendor, komunitetit të profesionistëve të shëndetit mendor dhe mbarë popullatës në përgjithësi.
5. Me këtë iniciativë zotohemi të ofrojmë mbështetje dhe avokim për të gjitha palët e interesuara për të avancuar punën përgatitore që nevojitet për themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës.
6. Ne angazhohemi për të përdorur një varg aktivitetesh në aspekte të shumta për krijim rrjetesh profesionale, lobim dhe avokim me të gjitha palët përkatëse, përfshirë bashkëpunimin me institucionet akademike, për të përmbushur misionin tonë dhe për të sjellë ndryshime pozitive në horizontin e gjerë të shëndetit mendor të Kosovës, si komponentë integrale e mandatit tonë.
Me solidaritet dhe vendosmëri, deklarojmë përkushtimin tonë të palëkundur për themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës dhe avancimin e shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë.