24/04/2026
Q’ART MIRËPRET ZHVILLIMET NË TURIZËM DHE BËN THIRRJE PËR BASHKËPUNIM
Q’art – Qendra për Zhvillim të Artit mirëpret iniciativat e fundit për zhvillimin e turizmit në Kryeqytet dhe themelimin e Drejtorisë së Turizmit si një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më të strukturuar dhe afatgjatë në këtë sektor.
Megjithatë, duke marrë parasysh zhvillimet konkrete në terren gjatë më shumë se një dekade, vlerësojmë se është e rëndësishme që strategjitë e reja të reflektojnë në mënyrë sa më të plotë realitetin e krijuar nga komuniteti artistik dhe sektori i pavarur kulturor.
Q’art, përmes angazhimit të vazhdueshëm në zhvillimin e artit në hapësira publike, organizimit të festivaleve ndërkombëtare dhe ndërtimit të rrjeteve globale, ka kontribuar drejtpërdrejt në pozicionimin e Prishtinës si një nga qendrat më aktive të street-art në rajon. Përmes këtyre iniciativave, kryeqyteti është shndërruar në një galeri të hapur urbane dhe është bërë pjesë e shumë hartave dhe publikimeve ndërkombëtare për street-art dhe kulturë urban.
Përkundër këtij kontributi, konsiderojmë se njohja institucionale e këtyre vlerave dhe integrimi i tyre në politikat publike mbetet i pamjaftueshëm.
Q’art ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar për të kontribuar si në proceset e hartimit të strategjive, por sidomos në zhvillimin e infrastrukturës dhe platformave funksionale për turizmin kreativ në Kryeqytet.
Në këtë fazë të re të zhvillimit të turizmit, e shohim si një mundësi të mirë që të përfshihen organizatat aktive të kulturës dhe komuniteti artistik, si dhe që sektori i pavarur të trajtohet si një vlerë e rëndësishme zhvillimore e qytetit.
Po ashtu, besojmë se turizmi kreativ, përmes artit dhe kulturës urbane, përbën një nga asetet më të veçanta të Kryeqytetit dhe se kjo vlerë mund të zhvillohet edhe më tej duke u harmonizuar me praktikat inovative dhe bashkëpunuese.
Prishtina tashmë ka një bazë të ndërtuar në këtë drejtim, me mbi 10 vite angazhim. Sfida tani është që kjo vlerë të njihet, të strukturohet dhe të zhvillohet më tej përmes politikave të qëndrueshme dhe bashkëpunimit të mirëfilltë ndërmjet institucioneve dhe akterëve në terren.
Në të njëjtën kohë, e shohim si zhvillim pozitiv krijimin e strukturave të reja për turizmin në nivel kombëtar dhe shpresojmë në një bashkëpunim të koordinuar ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.
Q’art mbetet e hapur për bashkëpunim dhe kontribut profesional në këtë proces, me qëllim që zhvillimi i turizmit në Kryeqytet të ndërtohet mbi vlerat ekzistuese dhe të krijojë një model të qëndrueshëm për të ardhmen.
OJQ Q’art