07/07/2026
U PËRMBYLL ME SUKSES KONGRESI I 14-të BALLKANIK I OTORINOLARINGOLOGJISË DHE KIRURGJISË SË KOKËS DHE QAFËS
Pas tre ditësh të mbushura me shkëmbim të dijes, diskutime profesionale dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me sukses të plotë u përmbyll Kongresi i 14-të Ballkanik i Otorinolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës, i organizuar për herë të parë në Kosovë, nga 11 deri 13 Qershor.
Ky kongres mblodhi në Prishtinë mbi 400 pjesëmarrës, rreth 50 ligjërues të ftuar ndërkombëtarë, si dhe dhjetëra prezantues të tjerë nga vendi, rajoni dhe bota, duke e shndërruar Kosovën në qendrën ballkanike të shkencës dhe bashkëpunimit profesional në fushën e ORL-së dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës.
Ceremonia solemne e hapjes, e udhëhequr nga Kryetari i Kongresit, Dr. Dugagjin Spanca, u nderua me pjesëmarrjen dhe fjalimet e drejtuesve të institucioneve kryesore të sektorit shëndetësor, duke dëshmuar rëndësinë që kjo ngjarje kishte për komunitetin profesional dhe institucionet e vendit.
Programi shkencor treditor ofroi ligjërata të nivelit të lartë, sesione shkencore, diskutime interaktive dhe prezantime të arritjeve më të fundit në otorinolaringologji dhe kirurgjinë e kokës dhe qafës.
Krahas pjesës shkencore, në kuadër të kongresit u zhvilluan edhe Mbledhja e Asamblesë së Shoqatës Ballkanike të ORL dhe KKQ dhe Takimi i Bordit Drejtues të Shoqatës Ballkanike, ndërsa i tërë Kongresi u përcoll edhe me një program të pasur social, i cili kulmoi me Mbrëmjen Gala, duke forcuar edhe më tej miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet kolegëve nga shumë vende të Ballkanit dhe Evropës.
Përpos që u vlerësua si një sukses i madh në tërësi, Kongresi ishte edhe dëshmi e kapaciteteve profesionale dhe organizative të Kosovës për të pritur ngjarje shkencore të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke kontribuar njëkohësisht në avancimin e shkencës, edukimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit rajonal.
Shoqata e Otorinolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës e Kosovës shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ligjëruesit, pjesëmarrësit, moderatorët, sponsorët, partnerët institucionalë, Këshillin e Studentëve të FM-së, si dhe partnerin organizativ Staffassist, të cilët me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre e bënë të mundur realizimin e një kongresi të paharrueshëm.
Gjatë ditëve në vazhdim do të shkruajmë më në hollësi për secilën pjesë të Kongresit.
🙏 Faleminderit të gjithëve që ish*t pjesë e këtij kapitulli të rëndësishëm në historinë e ORL-së ballkanike.