Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet
tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit,
përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para
ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të
të drejtave dhe lirive themelore të
njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e
të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre. Neni 26 [E Drejta e Integritetit Personal]
Secili person gëzon të drejtën e respektimit të integritetit fizik dhe psikik të tij/saj, që përfshin:
(1) të drejtën që të marrë vendime lidhur me reprodukimin, sipas rregullave dhe
procedurave të përcaktuara me ligj;
(2) të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e saj/tij në pajtim me ligjin;
(3) të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të tij/saj në
pajtim me ligjin;
(4) të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimente mjekësore ose shkencore, pa
pëlqimin paraprak të saj/tij. Neni 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimit Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues]
Askush nuk i nënshtrohet torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues. Neni 28 [Ndalimi i Skllavërisë dhe i Punës së Detyruar]
1. Askush nuk mund të mbahet në skllavëri ose në pozitë të ngjashme me skllavërinë.
2. Askush nuk mund të shtrëngohet për të kryer punë të detyruar. Punë e detyruar nuk
konsiderohet puna ose shërbimi i përcaktuar me ligj për personat e dënuar me vendim të
formës së prerë gjatë vuajtjes së dënimit ose në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme, të
shpallur sipas rregullave të përcaktuara me këtë Kushtetutë.
3. Trafikimi i qenieve njerëzore është i ndaluar. Neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me
përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një
bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një
vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në
mënyrën e përcaktuar me ligj;
(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një
institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik
për shoqërinë;
(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për
largim ose ekstradim.
2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në
gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më
shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda
dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose
lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është
sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një
periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para
gjykimit.
3. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë
deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa
vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
4. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike
për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda
një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet
lirimi i personit.
5. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të
drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
6. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën
e përcaktuar me ligj.