09/10/2026
Shëndeti mendor fillon me kujdesin dhe mbështetjen – Sesion informues me prindërit në PEMA
Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, e cila shënohet më 10 tetor, në Qendrën e Kujdesit Ditor – PEMA në Gjilan u mbajt një sesion informues për prindërit e fëmijëve të qendrës. Sesioni u udhëhoq nga psikologët klinikë Besnik Sherifi dhe Bujar Shabani, nga Qendra Labirint.
Gjatë sesionit, prindërit u informuan mbi rëndësinë e shëndetit mendor, ndikimin e tij në jetën e individit dhe në dinamikat familjare, si dhe mënyrat e përballimit të stresit dhe sfidave emocionale në përditshmëri.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kujdesit për shëndetin mendor të prindërve, rëndësisë së mbështetjes emocionale dhe krijimit të një mjedisi të shëndetshëm e mbështetës për fëmijët.
Përmes këtij aktiviteti, synohet të rritet ndërgjegjësimi i prindërve për rëndësinë e shëndetit mendor dhe të promovohet kujdesi, mirëkuptimi dhe mbështetja emocionale si pjesë e rëndësishme e mirëqenies familjare.