14/09/2026
Po e ri-shpërndajm letrën adresuar qeverisë së Kosovës në Janar te vitit 2026. Asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë. Nevoja për të marr hapa të mëdhenjë është e menjëhershme.
Letër e hapur drejtuar:
Qeverisë së Republikës së Kosovës
Ministrisë së Ekonomisë (Ministrisë së Energjisë dhe Minierave)
PROPOZIM STRATEGJIK PËR NDËRHYRJE EMERGJENTE DHE RIFORMATIM AFATMESËM DHE AFATGJATË TË SEKTORIT MINERAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
________________________________________
I. KONTEKSTI DHE URGJENCA INSTITUCIONALE
Në prag të formimit të institucioneve të reja shtetërore, sektori minerar i Kosovës ndodhet në një krizë të thellë funksionale dhe besimi. Paraliza institucionale gjatë vitit 2025, veçanërisht mungesa e vendimmarrjes në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ka bllokuar licencimin, ka ndalur investimet dhe ka vënë në rrezik ekzistencën e industrisë minerare formale.
Koha për analiza të pafundme ka përfunduar. Kërkohet veprim i menjëhershëm, transparent dhe strategjik, që në javët e para të mandatit të institucioneve të reja.
________________________________________
II. ZHBLOKIMI I MENJËHERSHËM I LICENCIMIT DHE FUNKSIONALIZIMI I KPMM-SË
Problemi kryesor:
Mungesa e Bordit funksional të KPMM-së ka paralizuar çdo proces vendimmarrës dhe ka krijuar pasiguri juridike ekstreme.
Veprime urgjente të rekomanduara:
1. Kompletimi i menjëhershëm i Bordit të KPMM-së
o Emërimi i profesionistëve me integritet të dëshmuar, pa ndikim politik.
o Ky hap është parakusht absolut për legjitimitetin institucional.
2. Auditim i shpejtë dhe transparent i të gjitha aplikimeve në pritje
o Përcaktim i qartë i kritereve për pranim/refuzim.
o Publikim i rezultateve për të rikthyer besimin e investitorëve.
3. Reformë digjitale e procesit të licencimit
o Digitalizimi dhe publikimi i plotë (online) i arkivave historike të KPMM së – duke përfshirë të dhëna gjeofizike ajrore, analiza gjeokimike të sedimenteve lumore, harta gjeologjike, raporte eksplorimi dhe studime të tjera të kryera në dekadat e kaluara. Kjo të bëhet me qëllim që investitorët dhe specialistët të mund të shfletojnë, shkarkojnë dhe analizojnë të dhënat me mjete moderne (GIS, paraqitje grafike, filtrime) dhe në bazë të analizave të gjenerojnë targete hulutmuese dhe aplikacione per licencim.
o Rritje e transparencës dhe eliminim i burokracisë që ka shkaktuar vonesa disavjeçare.
________________________________________
III. HARTIMI I STRATEGJISË SË RE MINERARE KOMBËTARE (2026–2035)
Strategjia ekzistuese ka dështuar të adresojë realitetet e reja globale, tranzicionin e gjelbër dhe konkurrencën rajonale.
Elementet kyçe të Strategjisë së re:
1. Fokus te mineralet kritike dhe strategjike
o Harmonizim me Aktin e BE-së për Lëndët e Para Kritike.
o Fokus në potencialin për elemente të rralla, kritike dhe strategjike.
o Pozicionimi i Kosovës në zinxhirët evropianë të furnizimit.
2. Plan i qëndrueshëm për mineralet bazë tradicionale
o Rimëkëmbja dhe modernizimi i Trepçës me teknologji bashkëkohore.
o Fokus te Argjendi dhe zinku dhe plumbi, me standarde të avancuara mjedisore dhe sociale (ESG).
o Liberalizimi i sektorit për të mundësuar investime private dhe partneritete strategjike në minierat e Trepçës
o Hapja e zonave nën mabjtje të Trepçës (~400 km2) për investime dhe partneritet. Këto zona kan potencial edhe për minerale kritike dhe strategjike të nevojshme për tranzicionin energjetik dhe elektrifikimin.
________________________________________
IV. HAPJA E ZONAVE TË INTERESIT DHE NXITJA E INVESTIMEVE
Hapja e zonave minerare me interes të veçantë për investim përbën një nga instrumentet kryesore për rivitalizimin e sektorit minerar dhe për rikthimin e besimit të investitorëve vendas dhe të huaj. Aktualisht, një numër i konsiderueshëm zonash me potencial të lartë minerar mbeten të pashfrytëzuara ose të bllokuara për shkak të mungesës së qartësisë institucionale, procedurave të paqëndrueshme dhe mungesës së planifikimit strategjik.
1. Përgatitjen e një udhërrëfyesi të qartë për investitorët, i cili duhet të përmbajë:
o Përshkrim të potencialit gjeologjik të secilës zone;
o Statusin ligjor dhe administrative të tokës;
o Kushtet e licencimit, afatet procedural dhe obligimet kontraktuale;
o Kërkesat mjedisore dhe sociale në përputhje me standardet e BE-së;
2. Organizimin e ankandeve publike dhe procedurave konkurruese, të dizajnuara për të:
o tërhequr investitorë strategjikë ndërkombëtarë me kapacitete financiare dhe teknologjike;
o krijuar hapësirë reale për pjesëmarrjen e operatorëve lokalë seriozë;
o shmangur praktikat diskrecionale dhe perceptimin e favorizimit.
________________________________________
V. RREZIQET KRITIKE TË MOSVEPRIMIT (INERCIA INSTITUCIONALE)
Mosveprimi I menjëhershëm në ditët e para të mandatit do të ketë pasoja të pariparueshme:
• Humbje masive investimesh
Kapitali dhe teknologjia po zhvendosen drejt Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë.
• Kriza sociale dhe rritje e papunësisë
Eksod i fuqisë punëtore të kualifikuar (inxhinierë, gjeologë, minatorë).
• Dëmtim i përhershëm i imazhit të Kosovës
Etiketim si destinacion jo-serioz për investime minerare.
________________________________________
VI. PËRFUNDIM DHE THIRRJE PËR VEPRIM
Viti 2026 duhet të jetë viti i Riformatimit të Minierave në Kosovë.
Pa një Bord funksional të KPMM-së dhe pa një Strategji Minerare të harmonizuar me tranzicionin e gjelbër të BE-së, sektori minerar rrezikon kolapsin total.
Ju bëjmë thirrje që kjo çështje të shpallet prioritet absolut i javës së parë të mandatit tuaj, për të shpëtuar një aktivitet ekonomik jetik dhe për të ndërtuar një industri minerare moderne, transparente dhe konkurruese.
Mentor Demi
CEO & Chairman
[email protected]
+383 45 179 179
Kosovo Chamber of Mines
Oda e Minierave të Kosovës