15/09/2026
ROSCAP: Arsimi të shpallet urgjencë kombëtare dhe rezultatet e PISA 2025 të kthehen në veprim
Prishtinë, 11.09.2026
Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) organizoi më 10.09.2026, në zyrat e ETEA-s në Prishtinë, një tryezë diskutimi kushtuar rezultateve të Kosovës në PISA 2025.
Në tryezë morën pjesë ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku; Muhamet Gjoka, kryetar i Kolegjiumit për Arsim në Asociacionin e Komunave të Kosovës; Arianit Elshani, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës; Blerim Saqipi, dekan i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës; Selim Mehmeti, hulumtues në Institutin Pedagogjik të Kosovës; Vjollca Shala, nënkryetare e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK); Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Institutit Pedagogjik të Kosovës, Fakultetit të Edukimit, SBASHK-ut, komunave, shkollave dhe Këshillit të Prindërve, si dhe profesorë universitarë, studiues, ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Takimi filloi me një prezantim interpretues të gjetjeve kryesore të rezultateve të PISA 2025, të përgatitur nga eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, i cili u përcoll me diskutime më të thelluara nga ana e pjesëmarrësve.
Pjesëmarrësit u pajtuan se rezultatet e reja nuk duhet të prodhojnë edhe një cikël diskutimesh pa veprim, por të shërbejnë për një mobilizim më të gjerë institucional dhe shoqëror. Në këtë frymë, u shpreh gatishmëria që palët e përfshira në tryezë të kontribuojnë edhe në grupet punuese të Ministrisë së Arsimit, në kuadër të procesit strategjik Arsimi 2035+.
Ministri Hajrulla Çeku theksoi se debati për arsimin është përqendruar për një kohë të gjatë te pyetja se kush e ka fajin, ndërsa tani fokusi duhet të kalojë te pyetja “çka bëjmë tash?”. Ai tha se Kosova investon mjete të konsiderueshme në arsim, por duhet të analizohet më mirë struktura e buxhetit dhe mënyra se si përdoren këto mjete. Ministri ngriti gjithashtu çështjen e problemeve të sistemit të decentralizuar, nevojën për mbrojtjen e punësimit në shkolla nga ndërhyrjet partiake, provimin shtetëror për hyrjen në profesionin e mësimdhënësit dhe fuqizimin e këtij profesioni.
Ai theksoi se gjendja e sistemit pasqyrohet përfundimisht në klasë, ku kurrikula vazhdon të jetë e ngarkuar, nxënësit mësojnë përmendësh dhe koha cilësore për të nxënë mbetet e pamjaftueshme. Ministri foli edhe për kalimin gradual drejt mësimit tërëditor, përmirësimin e kurrikulës dhe nevojën për një marrëveshje shoqërore për arsimin që shkon përtej një partie dhe një mandati qeverisës.
Edhe pjesëmarrësit e tjerë theksuan se PISA nuk duhet të trajtohet si qëllim në vetvete, por si pasqyrë e problemeve më të thella të sistemit. Në diskutim u theksua nevoja për ndërhyrje sistemike, që përfshijnë rishikimin e kurrikulës dhe mënyrës së vlerësimit të nxënësve; përmirësimin e vijueshmërisë; zhvillimin e programeve për forcimin e leximit si kompetencë bazë; zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, avancimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës shkollore si dhe përdorimin e të dhënave shkencore për të orientuar ndërhyrjet konkrete. Po ashtu, u theksua se ndryshimet duhet të përfshijnë njëkohësisht institucionet e nivelit qendror, komunat, shkollat dhe vetë procesin mësimor.
Në anën tjetër përfaqësuesit e ROSCAP theksuan se, krahas masave të tjera që do të diskutohen në kuadër të politikave të reja arsimore, institucionet duhet t’i trajtojnë edhe kërkesat e 12,526 qytetarëve që nënshkruan Peticionit për Shpëtimin e Arsimit, i cili është dorëzuar nga ROSCAP në Kuvendin e Kosovës më 7 mars 2024. Përfaqësuesit e ROSCAP-it ritheksuan se rezultatet e PISA 2025 duhet të shërbejnë si pikënisje për vendime konkrete dhe të matshme, ndërsa përmirësimi i arsimit kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe veprim që tejkalon një institucion, një qeveri apo një mandat.
Tryeza e thirrur nga ROSCAP kishte për qëllim të mblidhte dhe të bashkonte të gjitha palët relevante të arsimit, të mundësonte një reflektim objektiv mbi rezultatet e PISA 2025 dhe të krijonte bazën për hartimin e një dokumenti me konkluzione dhe rekomandime të mbështetura në diskutimet e zhvilluara. Ky dokument synon t’u shërbejë institucioneve përgjegjëse për qeverisjen e arsimit në nivel qendror dhe lokal, si dhe të gjitha shkollave të Kosovës, në orientimin e veprimeve për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Dokumenti do të publikohet së shpejti dhe do të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.