15/06/2026
Me date 13 qershor 2026, në qytetin Câmpina, në praninë e Ambasadores së Shqipërisë në Rumani, Shkëlqesisë së Saj Enkeleda Mërkuri, u promovua antologjia dygjuhëshe rumuno-shqiptare ”Kandili i fjalëve”, koordinuar nga zonja Anca Mihaela Spânu, presidente e Shoqatës „Prietenie & Integrare” dhe dr. Elsa Stavro. Në këtë antologji të dytë, botuar nga Shoqata Prietenie & Integrare, në bashkëpunim me bibliotekën e qarkut Galaci, ”V. A. Urechia” (Editura „Axis Libri”, 2026), janë përfshirë 40 autorë nga zemra e Rumanisë, Muntenia. Ashtu siç u shpreh edhe Shkëlqesia e Saj Mërkuri në fjalën e mbajtur për të pranishmit, kjo antologji, pjesë e një projekti iniciuar dhe mbështetur nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rumani, do të vijojë edhe me të tjera zona historike të këtij vendi mik, i cili e ka mbështetur historikisht Shqipërinë. U vlerësua, ndër të tjera, prej Shkëlqesisë së Saj Mërkuri, dashamirësia e lexuesit rumun, kur theksoi faktin se, pas Francës, Rumania është vendi me botimet më të shumta të shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare. Në Rumani, tek ky vend mik dhe i dashur për shqiptarët, gjejmë personalitete të diasporës së hershme, por edhe nga ata të cilët, pas viteve ’90, erdhën për studime në këtë vend mik dhe qëndruan aty, duke u bërë kështu ura ndërmjet këtyre dy shoqërive, kulturalisht të ngjashme.
Shkëlqesia e Saj Enkeleda Mërkuri e mbylli fjalën e saj me ftesën drejtuar të pranishmëve për të vizituar Shqipërinë, këtë vend me një natyrë të mrekullueshme, me tradita në mikpritje dhe me lidhje të kahershme miqësie me Rumaninë.
Në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të projektit „Mengjeset kulturore” në Librarinë ELSTAR të këtij qyteti, krahas autorëve të përfshirë në këtë antologji, diskutuan për letërsinë shqiptare dhe figurat e shquara të saj, si Ismail Kadare, Sabri Godo, Thanas Medi etj, edhe moderatori, shkrimtari Florin Dochia, kritiku letrar Cristian Crăciun dhe shkrimtari Radu Sergiu Ruba.
Në fjalën përshëndetëse, presidentja e Shoqatës „Prietenie & Integrare”, znj. Anca-Mihaela Spânu vlerësoi bashkëpunimin me përkthyesen, dr. Elsa Stavro. Promovimi i antologjisë dygjuhëshe ”Kandili i fjalëve”, i cili nisi me fjalën e mbajtur nga zonja Lorena Crintea, vazhdoi me interpretimin e poezive nga vetë autorët, të cilët lanë autografet e tyre në vëllimin dhuruar zonjës Ambasador, Enkeleda Mërkuri. Krahas këtij vëllimi me autografe, për kujtesë të këtij evenimenti, Shkëlqesisë së Saj Enkeleda Mërkuri iu dhurua një punim prej piktores Manuela Toderaș.