24/03/2026
{Shkruan Prof. Belisar JEZERCI}
LUFTA E NATO-s PËR SHPËTIMIN E DARDANËVE NGA GJENOCIDI SERB!
Në prag të 50-vjetorit të krijimit, NATO-ja ishte gati për luftë. Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, pohoi se vendi ynë është pjesë e një zgjedhjeje midis autokracisë dhe demokracisë, midis fanatizmit dhe tolerancës në zemër të Europës. Qëllimi i përdorimit të forcës është që t’i japim njëherë e përgjithmonë fund maskarallëkut të tipit të Millosheviqit. Nuk ka garanci se do të fitojmë, por zgjidhjet e tjera janë më të këqija. Nëse nuk veprojmë tani, do të na duhet të veprojmë më vonë, ndoshta në Maqedoni, ndoshta në Bosnjë. Millosheviçi ka zgjedhur luftën. Nuk mund ta lëmë të fitojë.
Në Beograd u dërguan Richard Holbrooke, Chris Hill dhe Larry Rossin, shef i Seksionit për Europën Lindore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit. Këta do të bënin një përpjekje të fundit për ta bindur Millosheviçin të ndalte ofensivën e tij. Por bisedimet nuk patën kurrfarë rezultati, për të mos thënë që përfunduan në shërbim të taktikave të Millosheviçit për t’i zvarritur punët.
Ja si e përshkruan Holbrooke takimin e tyre të fundit, më 22 mars 1999:
“Ju e dini çfarë do të ndodhë kur unë të largohem sot nga këtu, në qoftë se nuk e ndryshoni qëndrimin tuaj, në qoftë se nuk bini dakord të bisedoni dhe të pranoni Rambujenë si bazë të bisedimeve.”
Millosheviçi: “Po, ju do të na bombardoni.”
Holbrooke sqaron se: “Bombardimi do të jetë i rrufeshëm, do të jetë i ashpër dhe do të jetë i pandërprerë.”
Millosheviçi përgjigjet me shumë gjakftohtësi: “Nuk do të ketë më premtime, nuk do të ketë më bisedime, e mora vesh, ju do të na bombardoni. Ju jeni një vend i madh dhe i fuqishëm dhe kësaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë.”
Holbrooke: “Ju e dini që tani në Uashington është ora 6 e mëngjesit, njerëzit po zgjohen nga gjumi. Unë duhet t’u raportoj Uashingtonit dhe aleatëve tanë në Londër, Paris, Bon dhe Bruksel se si qëndrojnë punët. Ky ishte rasti i fundit që po ju jepja.”
Millosheviçi: “Nuk kam asgjë për të thënë.”
Pikërisht 14 orë më vonë filloi bombardimi dhe ai ishte i rrufeshëm, i ashpër dhe i pandërprerë.
Më 23 mars, pasi Holbrooke ishte larguar nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, me mbështetje të Presidentit Bill Clinton, udhëzoi gjeneralin Wesley Clark të niste sulmet ajrore. Po atë ditë, me një shumicë dypalëshe (58 me 41), Senati amerikan votoi në mbështetje të veprimit ushtarak. Në ditët e para të marsit, Dhoma e Përfaqësuesve kishte votuar (219 me 191) në favor të dërgimit të trupave amerikane në Kosovë, në qoftë se do të kishte një marrëveshje për Kosovën.
Ndërsa shumica e Kongresit amerikan dhe aleatët e NATO-s ishin në favor të sulmeve ajrore, Rusia u deklarua kundër. Kryeministri Jevgeni Primakov ishte në rrugë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të takuar Al Gore. Kur Al Gore e njoftoi se një sulm i NATO-s kundër Jugosllavisë pritej të niste së shpejti, Primakov urdhëroi pilotin e avionit të tij të ndryshonte drejtim dhe të kthehej në Moskë.
Më 24 mars 1999, me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, Presidenti Bill Clinton e njoftoi popullin amerikan se Millosheviçi i kishte privuar kosovarët nga autonomia e tyre, duke ua mohuar të drejtat që ua garantonte Kushtetuta: për të folur gjuhën e tyre, për të administruar shkollat e tyre dhe për t’u vetëqeverisur. Ai përshkroi krimet e shëmtuara të kryera nga serbët: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave dhe dëbimin me forcë të njerëzve nga shtëpitë e tyre : 60 000 gjatë pesë javëve të fundit, 250 000 gjithsej.
Ai i vendosi ngjarjet në kontekstin e luftërave që Millosheviçi kishte bërë kundër Bosnjës dhe Kroacisë dhe të ndikimit shkatërrimtar të masakrave të tij mbi të ardhmen e Europës.
Për Presidentin Bill Clinton, fushata e bombardimeve kishte tri objektiva:
1. T’i tregonte Millosheviçit se ishin absolutisht të vendosur për t’i thënë “ndal” një vale tjetër të spastrimit etnik.
2. Të shmangte një ofensivë edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë.
3. Në qoftë se Millosheviçi nuk do të hiqte dorë shpejt nga synimi i tij, të dëmtonte seriozisht aftësinë ushtarake të serbëve.
Ndërsa Javier Solana deklaroi:
“Ne nuk kemi asgjë kundër popullit të Jugosllavisë, i cili është izoluar për një kohë të gjatë në Europë për shkak të politikave të qeverisë së vet. Veprimet tona drejtohen kundër politikave shtypëse të udhëheqjes jugosllave. Ne duhet të ndalojmë dhunën dhe t’i japim fund katastrofës humanitare që po ndodh në Kosovë. Ne kemi detyrë morale ta bëjmë këtë.”
Kancelari gjerman, Gerhard Schröder, përmes televizionit gjerman arsyetoi domosdoshmërinë e aksionit ushtarak dhe pse ai ishte i pashmangshëm. Ai deklaroi:
“Qeveria federale nuk e ka pasur të lehtë të marrë këtë vendim. Së fundi, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ushtarët gjermanë janë të angazhuar në aktivitete luftarake. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim në vendosmërinë tonë për t’u dhënë fund vrasjeve dhe për të përmbushur angazhimin e NATO-s, duke vepruar në favor të paqes.”
Sipas Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, Millosheviçi kishte katër qëllime bazë:
1. Të shkatërronte UÇK-në.
2. Të ndryshonte përgjithmonë ekuilibrin etnik në Kosovë.
3. Të trembte shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë.
4. Të krijonte një krizë humanitare destabilizuese që do të shqetësonte komunitetin ndërkombëtar dhe do të përçante rajonin.
Këto objektiva nuk qenë të papritura, por ne kishim nënvlerësuar shpejtësinë, shkallën dhe egërsinë e fushatës së terrorit. Me qindra fshatra u dogjën, shumë studiues, gazetarë dhe udhëheqës politikë që e donin dhe kishin propaganduar pavarësinë u gjurmuan dhe u vranë.
Motoja e NATO-s ishte: “Serbët jashtë, NATO-ja brenda, refugjatët në shtëpi”.
Presidenti Bill Clinton ishte i vendosur se SHBA-të, së bashku me aleatët, do të vazhdonin të intensifikonin sulmet derisa forcat e Millosheviçit të largoheshin nga Kosova, derisa të ktheheshin të gjithë refugjatët nën mbrojtje ndërkombëtare ose derisa të shkatërrohej aftësia ushtarake e tij.
“Tragjedia që po ndodh në Kosovë është rezultat i një plani të hollësishëm dhe të paramenduar për të sulmuar një popull thjesht për arsye të përkatësisë së tij etnike dhe fetare… Ne nuk mund të rrimë duarkryq e të vështrojmë sesi qindra mijëra njerëz torturohen, vriten, dhunohen dhe dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre. Lufta në Ballkan, që filloi në Kosovë para dhjetë vjetësh, duhet të përfundojë në Kosovë. Ky duhet të jetë konflikti i fundit në shekullin XX dhe nuk duhet të jetë ai që do të përcaktojë shekullin XXI. Shtetet e Bashkuara e kanë mundësinë dhe përgjegjësinë që ta përfundojnë këtë konflikt, për hir të fëmijëve, mbesave dhe nipave tanë”, deklaroi Bill Clinton gjatë fjalimit që mbajti në San Francisko para Shoqatës së Redaktorëve të Gazetave.
P.S.: Ndërsa shtetet arabo-muslimane mbështesnin Serbinë fashiste, Kosova e gjeti lirinë e saj vetëm falë shteteve të krishtera, ne krye me SHBA!