04/10/2026
Panajot Alushi, aktivist për të drejtat e minoritetit rom, ka bërë thirrje publike për drejtësi.
Pas njohjes me thirrjen e tij, e kontaktuam për tu informuar dhe i sqaruam më pas fazën procedurale në të cilën ndodhet çështja, si dhe i ofruam marrjen përsipër të përfaqësimit të tij ligjor në procesin gjyqësor që do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes.
Më 13 dhjetor 2013, Policia e Shtetit shkoi në fshatin Drizë, në Fier, me qëllim arrestimin e një personi të shpallur në kërkim. Sipas familjes së Panajot Alush*t, persona të veshur civilë, disa prej tyre të maskuar dhe të armatosur, hynë në oborrin e banesës së tyre, përdorën forcë dhe goditën disa anëtarë të familjes. Nga ana tjetër, policia paraqiti një version të ndryshëm të ngjarjes, duke pretenduar se familjarët kishin penguar zhvillimin e operacionit policor.
Familja Alushi e fitoi çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Ndër detyrimet që rridhnin nga ky vendim ishte edhe kryerja e një hetimi efektiv mbi veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë operacionit në fjalë.
Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Fierit i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushimin e çështjes, me argumentin se fakti objekt i procedimit penal, në formën e paraqitur dhe bazuar në provat e administruara, nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.