21/02/2024
21 shkurti/ Dita Ndërkombëtare e gjuhës Amtare.
Kjo u përcaktua në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, në nëtor të vitit 1999, për të vlerësuar diversitetin gjuhësor e kulturor.
Gjuha shqipe, konsiderohet si ndër gjuhët më të vjetra të Ballkanit, dhe se është vazhdim i ilirishtes, mirëpo pushtimet e së kaluarës, kanë lënë gjurmë edhe në gjuhën e sotme, si fjalë latine, sllave, serbe e turke.
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj.
Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496.
Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.