22/09/2026
Balkan Cavers Camp 2026 dhe një hap i rëndësishëm për speleologjinë shqiptare !
Me shumë entuziazëm, Shoqata Speleologjike Shqiptare mori pjesë në Balkan Cavers Camp 2026, i cili u zhvillua në Shtavicë, Prilep, Maqedonia e Veriut.
Balkan Cavers Camp është një aktivitet i përvitshëm që organizohet në vende të ndryshme të Ballkanit nga Unioni Ballkanik i Speleologjisë, duke mbledhur së bashku speleologë dhe eksplorues nga vende të ndryshme të rajonit. Përtej eksplorimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, ky aktivitet është një mundësi e veçantë për të krijuar bashkëpunime të reja dhe për të forcuar komunitetin speleologjik në Ballkan.
Për Shoqatën Speleologjike Shqiptare, ky edicion ishte veçanërisht i rëndësishëm.
Gjatë këtij aktiviteti, shoqata jonë u pranua në Unionin Ballkanik të Speleologjisë një moment që e konsiderojmë një arritje të rëndësishme dhe një hap të ri në rrugëtimin tonë.
Por lajmi më i bukur është se Shqipëria do të jetë vendi pritës i Balkan Cavers Camp 2027.
Organizimi i edicionit të ardhshëm na është besuar neve dhe këtë përgjegjësi e presim me shumë krenari dhe entuziazëm. Ky besim është një nder dhe një vlerësim për punën e bërë deri tani, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të organizuar një kamp dinjitoz dhe për t'u treguar miqve tanë nga i gjithë Ballkani pasurinë e jashtëzakonshme të botës nëntokësore shqiptare.
Balkan Cavers Camp 2026 na la me eksperienca të reja, miqësi të reja dhe një sfidë të madhe përpara.
Tani radha është e Shqipërisë.
Balkan Cavers Camp 2027 – shihemi në Shqipëri.