15/07/2026
DEKLARATË
Të dashur ndjekës dhe mbështetës të faqes Nisma Reforma Reale,
Grupi Koordinues, pas një analize të kujdesshme të zhvillimeve politike në vend dhe të rrugëtimit dyvjeçar të Nismës Reforma Reale, ka arritur në përfundimin se ka ardhur koha që kjo nismë qytetare të marrë legjitimitet të plotë politik, për t'u shndërruar në një alternativë serioze në shërbim të qytetarëve dhe të së ardhmes së Shqipërisë.
Për këtë arsye, duke filluar nga muaji Shtator, së bashku me anëtarët dhe mbështetësit tanë në të gjithë Shqipërinë dhe diasporë, do të nisim procesin e mbledhjes së firmave, në përputhje me legjislacionin në fuqi, deri në thirrjen e Kuvendit Themelues të subjektit tonë të ri politik.
Ky është një hap i natyrshëm që buron nga besimi ynë se Shqipëria ka nevojë për një politikë të re, një politikë të ndërtuar mbi ndershmërinë, meritokracinë, transparencën, shtetin e së drejtës dhe respektimin e dinjitetit të çdo qytetari. Ne besojmë se vetëm duke u mbështetur te vlerat demokratike dhe parimet evropiane mund të ndërtojmë institucione të forta, një ekonomi konkurruese dhe një shoqëri më të drejtë e më solidare.
Njëkohësisht, Këshilli Koordinues do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë politikë, organizata të shoqërisë civile dhe grupe të ndryshme interesi, ashtu siç ka vepruar deri më sot, me bindjen se dialogu dhe bashkëpunimi janë themeli i një demokracie funksionale.
Situata që po kalon vendi ynë nuk duhet as të nënvlerësohet dhe as të pranohet me pasivitet. Shqipëria ka nevojë për qytetarë aktivë, për njerëz që besojnë te ndryshimi dhe që janë të gatshëm të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë.
Nisma Reforma Reale fton çdo qytetar që ndan këto vlera dhe këtë vizion të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi. Së bashku mund të ndërtojmë një alternativë politike moderne, evropiane dhe të besueshme, që vendos interesin e qytetarëve dhe të Shqipërisë mbi çdo interes tjetër.
Koha për ndryshim është tani. Bashkohuni me ne për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë dhe plotësisht evropiane.
Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të bëhen pjesë e grupeve të punës për organizimin e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve dhe ndjekjen e procedurave të mëtejshme për themelimin e subjektit politik, janë të ftuar të kontaktojnë përmes faqes Nisma Reforma Reale ose në numrin 069 293 0050 në WhatsApp.
Kontributi dhe angazhimi i çdo qytetari është i rëndësishëm për ndërtimin e një force të re politike, të bazuar në vlerat demokratike, transparencën dhe parimet evropiane.
“Jemi të Pavarur. Jemi Aktivë. Jemi Evropianë”
“Për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe me vlera evropiane”