20/10/2026
Leonard Guni - Kur zëri bëhet ndryshim
Në vitin 2010, Leonard Guni iu bashkua organizatës SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri si Këshilltar për Avokimin dhe Fondet Publike. Që prej asaj kohe, rrugëtimi i tij profesional është karakterizuar nga konsistenca, mendimi strategjik, orientimi drejt rezultateve dhe energjia për t'i kthyer idetë në veprime konkrete, i drejtuar nga besimi se avokimi merr kuptimin e tij të vërtetë kur zëri kthehet në veprim dhe veprimi sjell ndryshim.
Përmes fushatave të avokimit “Unë Vlej”, “Kujdesu për Mua” dhe “Avoko Tani”, të zhvilluara gjatë viteve 2010-2023, Leonardi kontribuoi në promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve pa kujdes prindëror, në nxitjen e ndryshimeve në politikat dhe praktikat e kujdesit alternativ në Shqipëri. Ndër zhvillimet më të rëndësishme ishte garantimi i së drejtës për kujdes alternativ deri në moshën 18 vjeç, konkretisht ndryshimi i moshës së daljes nga institucionet e kujdesit nga 14 në 18 vjeç. Ky ndryshim përbën një arritje me ndikim thelbësor në jetën dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve në institucionet e përkujdesit në vend.
Një nga kontributet që e dallon Leonardin është përfshirja profesionale dhe e vazhdueshme e fëmijëve dhe të rinjve në proceset e avokimit. Nëpërmjet një qasjeje të strukturuar, ai mbështeti kalimin nga të rinj përfitues të shërbimeve në të rinj pjesëmarrës aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Zëri i të rinjve u përcoll përmes dialogut me institucionet kombëtare, si Avokati i Popullit, ministritë përgjegjëse për mbrojtjen sociale, arsimin, shëndetësinë, si dhe strukturat parlamentare përkatëse. Ky angazhim u shtri edhe në nivel ndërkombëtar me mekanizmat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe Njo-Jork, institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel dhe në vend, duke u krijuar fëmijëve dhe të rinjve hapësira për të shprehur dhe raportuar shqetësimet, sfidat, përvojat dhe rekomandimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Në rolin e Këshilltarit për Fondet Publike, Leonardi ka kontribuar në zhvillimin e shërbimeve dhe zgjerimin e portofolit të organizatës, duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët dhe partnerët për të shndërruar idetë dhe nismat e propozuara në projekte konkrete dhe aplikime të suksesshme për financim nga donatorë publik dhe jopublik.
Përmes zbatimit të projekteve lokale, kombëtare dhe rajonale, organizata ka diversifikuar fushën e shërbimeve, ka rritur numrin e pjesmarrësve në projekte, dhe ka zgjeruar shtrirjen gjeografike të shërbimeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Korçën, Lezhën, Fierin, Durrësin, Elbasanin. Këto zhvillime kanë kontribuar në rritjen e dukshmërisë dhe imazhit të organizatës. Punësimi i të rinjve është bërë lajtmotiv i shumë projekteve që organizata ka zbatuar vitet e fundit duke mundësuar fuqizimin, punësimin, vetëpunësimin e rreth 850 të rinjve në vështirësi socio-ekonomike për të ndërtuar një jetë të pavarur dhe për tu integruar denjësisht në shoqëri.
Në themel të këtij rrugëtimi qëndron parimi se, kur të rinjve u jepet mbështetja për të zhvilluar aftësitë dhe besimin në vetvete, hapësira për t’u shprehur, dhe mundësia për të vepruar e ndërtuar të ardhmen, ata bëhen aktorë të ndryshimit. Kontributi më i rëndësishëm nuk matet vetëm me projektet e realizuara apo shërbimet e zgjeruara, por me mundësitë që hapen për ata që kanë më shumë nevojë.