Lingua Albanica

Lingua Albanica Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare/ Societas Linguistica Albanensis

Permanently closed.
23/08/2024

✝️PROF. IDRIZ METANI

1956-2024

Më 20 gusht 2024 ndërroi jetë prof. dr. Idriz Metani gjuhëtar i njohur dhe pedagog në Departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, anëtar i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare. Kishte lindur më 23.06.1956 në Barç të Skraparit. Në vitet 1976–1980 ndoqi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës. Deri në vitin 1998 punoi në sistemin arsimor të rrethit të Skraparit me detyra të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe kreu edhe Shkollën Pasuniversitare për gjuhësi Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (1983–1984) dhe më 1987 mori gradën “doktor “ i shkencave filologjike. Në vitet 1998–2002 ishte specialist në Drejtorinë arsimore të qytetit të Tiranës dhe njëkohësisht pedagog i jashtëm në departamentin e gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2002 punoi në Departamentin e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës si pedagog kryesisht për lëndët leksikologji e gjuhës shqipe dhe histori e gjuhësisë. Ishte një mësues i dashur e frymëzues për studentët e tij.

Idriz Metanin e tërhoqën gjurmimet dhe studimet sidomos në fushën e leksikut të gjuhës shqipe dhe menjëherë pas diplomimit filloi bashkëpunimin me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke mbledhur lëndë gjuhësore në krahinën e Skraparit. Njëkohësisht ai plotësonte formimin e tij shkencor duke studiuar artikuj gjuhësorë të botuar në revistat e Institutit, si edhe botime të tjera. I pajisur me aftësi vëzhguese dhe duke punuar sistematikisht, I. Metani arriti të përcaktojë e të trajtojë një varg temash nga fusha e semantikës. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj në shtypin shkencor në Shqipëri e në Kosovë, si edhe në shtypin e huaj. Dy vëllimet me shkrime të tij “Gjurmime për semantikën leksikore në gjuhën shqipe. I, II”, botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike (Tiranë, 2019, 373 + 362 fq.) përmbajnë kontribute studimore të rëndësishme e origjinale në fushën e studimeve leksikore dhe njëkohësisht janë dëshmi e përkushtimit dhe e pasionit të tij për gjuhën shqipe dhe për fjalën shqipe në veçanti. Para se t’i shfaqej sëmundja e rëndë tinëzare, ai pati kënaqësinë të shihte të botuar veprën “Fjalor i emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2023, 653 fq.), për të cilën kishte punuar vite e vite me radhë me një kujdes e zell të admirueshëm. Ky fjalor mund të quhet edhe vepra e jetës së tij. Me njohjen e gjerë të leksikut të shqipes dhe me përvojën e pasur në studimet leksikore, I. Metani ishte një ndër hartuesit e cilësuar për fjalorin e ri të madh të gjuhës shqipe, që ka ndërmarrë Akademia e Shkencave.

Puna si arsimtar, njohja e mirë e problemeve të shkollës dhe veçanërisht në mësimdhënien e gjuhës shqipe, e bënë I. Metanin një bashkëpunëtor aktiv e të cilësuar të Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe të Shtëpisë botuese shkollore “Albas”. Ai ka marrë pjesë në grupe pune për hartimin e kurrikulave dhe të një numri tekstesh të gjuhës shqipe për kategori të ndryshme shkollash.

Idriz Metani ishte një mësues dhe studiues i vyer dhe me energji krijuese. Ai ka marrë pjesë në shumë veprimtari shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave, nga Universiteti i Tiranës dhe Universitete të tjera të vendit, nga Universiteti i Prishtinës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, nga Universiteti i Tetovës dhe organizma të tjerë. Me shkrimet dhe kumtesat e tij ai kishte fituar njohje të gjerë dhe vlerësim profesional si një ndër studiuesit më të frytshëm e me përvojë të gjuhës shqipe.

Idriz Metani mbeti përherë i lidhur shpirtërisht me vëndlindjen, me Skraparin, me traditat, me kulturën popullore të bashkëvendësve dhe me ligjërimin e tyre të ëmbël, plot gjallëri e shprehje të figurshme. Ai ishte nismëtar dhe drejtues i shoqatës kulturore-atdhetare “Tomori” dhe gjithnjë i pranishëm atje ku flitej për Skraparin.

Ndarja e parakohshme nga jeta e prof. Idriz Metanit është një humbje e ndjeshme për gjuhësinë tonë. Por ai la pas një vepër të çmuar studimore dhe një shembull domethënës për të gjithë ata që ndiejnë tërheqjen e studimit e të përparimit të gjuhës shqipe në të gjitha format e shfaqjes së saj.

Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare u shpreh familjes Metani dhe të afërmve të prof. Idriz Metanit ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të bashkëshortit, prindit dhe njeriut të tyre më të dashur.



Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare



23.08.2024

Bibliografi kronologjike e studimeve gjuhësore të prof. Idriz Metanit (jo e plotë)



· Kuptime fjalësh dhe njësi frazeologjike nga Skrapari. - GjJ 7/1987, 4, 77–80.



· Zhvillime semantike mbi bazën e metaforës tek emrat e lëndës. - GjJ 17/1997, 1–4, 62–68.



· Kompozita që emërtojnë njerëz sipas tipareve fizike e morale. - GjJ 19/1999, 1–2, 42–49.



· Rreth punës me figurat stilistike. - Kurrikula dhe shkolla 2001, 1, 89-94.



· Modele për një mësimdhënie të suksesshme [lexim letrar]. - Kurrikula dhe shkolla 2001, 1, 109-111.



· Gjuha shqipe 1 Për shkollat e mesme. Tiranë, 2003, 190 p. [bashkautorë: Hysa, Enver; Shkurtaj, Gjovalin; Lloshi, Xhevat; Gjokutaj, Mimoza]



· Aspekte të vlerësimit në lëndën e gjuhës shqipe dhe të leximit letrar. - Kurrikula dhe shkolla 2003, 5, 83-90.



· Rreth fjalorit dorëshkrim të Sotir Kolesë. - Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 23/1 (Materialet e punimeve të Seminarit XXIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2004). Prishtinë, 2004, 327-329.



· Vështrim leksiko-semantik i emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe. - SFil 58(41)/2004, 1-2, 93-122. [Përmbl. frëngjisht]



· Vështrim strukturor-semantik i emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe. - Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 22/1 (Materialet e punimeve të Seminarit XXII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2003). Prishtinë, 2004, 153-161.



· Gjuha shqipe 1 Për shkollat e mesme. SHBLSH, Tiranë, 2006, 190 p. [bashkautorë: Hysa, Enver; Shkurtaj, Gjovalin; Lloshi, Xhevat; Gjokutaj, Mimoza] – botim i dytë.



· Një vështrim mbi gjuhën e figurshme të poezisë së Xhevahir Spahiut. - SFil 60(43)/2006, 3-4, 91-111. [Përmbl. frëngjisht]



· Leksiku dialektor dhe krahinor në vlerësimin e prof. Eqrem Çabejt. - StAlb 2008, 131-140.



· Struktura të mendimit dhe të shprehjes gjuhësore. - në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Materialet e punimeve të Seminarit XXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, 18–19 gusht 2008). Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë. - Universiteti i Tiranës. Fakulteti i Historisë-Filologjisë. Prishtinë, 2008, I, 361-364; GjSh 26/2008, 3, 43-47.



· Grupi sinonimik fjalë e standardit – fjalë dialektore në gjuhën shqipe. - në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Materialet e punimeve të Seminarit XXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, 18–19 gusht 2009). Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë. - Universiteti i Tiranës. Fakulteti i Historisë-Filologjisë. Prishtinë, 2009, I, 177-180.



· Karakteri vetanak i terminologjisë gjuhësore në veprën e prof. Selman Rizës. - StAlb 14/2009, 55-58.



· Kontributi i akademik Jani Thomait në fushën e arsimit të lartë dhe pasuniversitar. - Kërk.Univ. 2009, 22, 85-90.



· Tipologjia e emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe. - GjSh 27/2009, 1, 74-81.



· Gjurmë semantike dhe strukturore në shqipen e sotme nga kontaktet gjuhësore. - në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Materialet e punimeve të Seminarit XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2010). Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë. - Universiteti i Tiranës. Fakulteti i Historisë-Filologjisë. Prishtinë, 2010, I, 469-482.



· Rreth aparatit pedagogjik të teksteve të reja të gjuhës shqipe në Ciklin e Ulët. - BShB 2010, 1, 21-26.



· Rreth shpjegimit të fjalëve të panjohura për nxënësit në tekstet e gjuhës shqipe të arsimit parauniversitar. - StAlb 15/2010, I, 99-109.



· Gjurmë semantike dhe strukturore në shqipen e sotme nga kontaktet gjuhësore. - GjSh 29/2011, 2, 41-47.



· Njohuritë nga fusha e leksikologjisë dhe e semantikës në tekstet e reja të gjuhës shqipe të arsimit parauniversitar. - Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Materialet e punimeve të Seminarit ### Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2011). Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë. - Universiteti i Tiranës. Fakulteti Historisë-Filologji. Prishtinë, 2011, I, 411-424.



· Prof. Mahir Domi si hartues tekstesh shkollore. – në: Mahir Domi – personalitet i gjuhësisë shqiptare. Përmbledhje e kumtimeve në konferencën shkencore për nder të prof. Mahir Domit (Elbasan, 7 dhjetor 2010). Universiteti i Tiranës. Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë – Universiteti i Elbasanit "A. Xhuvani". Fakulteti i Shkencave Humane. "Rama Graf", Elbasan, 2011, 209-212.



· Tipologji emërtimi në fushën e sinonimisë dialektore. - StAlb 16/2011, 1, 118-124.



· Studime në fushën e semantikës leksikore të shqipes. - Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Materialet e punimeve të Seminarit ###I Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, 13-25 gusht 2012). Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë. - Universiteti i Tiranës. Fakulteti Historisë-Filologji. Prishtinë, 2012, I, 609-614.



· Emërtime të njerëzve sipas tipareve fizike e sjelljeve të kafshëve shtëpiake. - GAlb-ShkFil 43/2013 (2014), 73-89 [Summary: People naming under physical characteristics and behaviour of pets]



· Emërtime frazeologjike të njerëzve sipas dukës dhe sipas tipareve morale në gjuhën shqipe. - GAlb-ShkFil 44/2014 (2015), 111-134.



· Rreth shkrimit me shkronjë të madhe të disa klasa fjalësh me semantikë a paradigmë të veçantë. - StAlb 19/2014, I, 83-86.



· Aparati pedagogjik i gramatikës shkollore të hartuar prej prof. Kostaq Cipos. – në: Kostaq Cipo personalitet i gjuhësisë shqiptare. Përmbledhje e materialeve të Konferencës shkencore ndërkombëtare “Kostaq Cipo personalitet i gjuhësisë shqiptare”, mbajtur në Elbasan, më 22 qershor 2012. Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan & Qendra e Studimeve Albanologjike Tiranë. “Pegi”, Elbasan, 2015, 193-202.



· E folmja e Skraparit në dritën e dialektologjisë shqiptare. - SFil 69(52)/2015, 3-4, 77-81. [Summary: Local Dialect of Skrapari in Relation to Albanian Dialectology]



· Fjalët dhe ideologjia. - GjSh 33/2015, 1, 43-54.



· E folmja e Skraparit në dritën e të dhënave të Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe (ADGJSH). – Seminari ###V Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare / The ###V International Seminar for Albanian Language, Literrature and Culture). Fakulteti i Filologjisë – Prishtinë Fakulteti Histori-Filologji – Tiranë. Prishtinë, 2016, I, 485-489.



· Kontributi i akad. Ethem Likajt në drejtimin shkencor dhe organizativ të arsimit të lartë. – Akademik Ethem Likaj dhe ndihmesa e tij në gjuhësinë shqiptare. Përmbledhje e materialeve të konferencës shkencore “Veprimtaria kërkimore dhe akademike e profesor Ethem Likajt” organizuar nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Departamentin e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Tiranës. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, 2016, 126-129.



· Zhvillime të reja në terminologjinë shqipe të gjuhësisë [New developments in linguistics terminology of Albanian language]. – në: Albanologji 6. Vëllimi I. Punimet nga aktiviteti shkencor “Java e Albanologjisë”, i mbajtur më 15-19 qershor 2015. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë 2016, 101-107.



· Nga dialektologjia te semantika (Hapa në rrugëtimin shkencor të gjuhëtarit Jani Thomai). – GAlb-ShkFil 47/2017, 101-116. [Summary: From Dialectology to Semantics (Steps in the scientific pathway of linguist Jani Thomai]



· Metani Idriz: Për terminologjinë fetare islame në përkthimin e Kur’anit. – Albanologji 7. Vëllimi I. Punimet nga aktiviteti shkencor “Java e Albanologjisë”, i mbajtur më 23-27 maj 2016. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë 2017, 99-102.



· Elemente leksikore në “Studime gjuhësore në fushë të shqipes” 5 të prof. Idriz Ajetit. – në: Figurë qendrore e studimeve të shqipes. Konferencë shkencore “Profesor Idriz Ajeti në 100-vjetorin e lindjes”. Instituti Albanologjik. Prishtinë, 2017, 153-158.



· “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë”, vepër e rëndësishme normative. - GjSh 36/2018, 1, 133–139.



· Mbi sllavizmat leksikorë në të folmet e gegërishtes verilindore. - Ballkanologjia 1: Seminari Ndërkombëtar i Ballkanologjisë . Akte të Konferencës shkencore ndërkombëtare “Ballkanologjia sot dhe komunikime ndërballkanike (Komunikime historike, gjuhësore dhe etnokulturore)”. Kryeredaktor: Prof. Dr. Qemal Murati. Shkup, 22–23 tetor 2018). Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Shkup, 2019, 218–224.



· Brezat tanë të mësohen të flasin bukur dhe mirë gjuhën shqipe. - në: Murati, Mentore: Në qoftë se do të flasim bukur, jeta jonë do të bëhet më e bukur. Kërçovë, 2019, 119-122.



· Kontributi i prof. dr. Shefkije Islamajt në hartimin e teksteve shkollore. - në: Shefkije Islamaj - Portreti intelektual, shkencor dhe letrar. Konferencë shkencore me rastin e 65-vjetorit të lindjes së saj. 15 tetor 2018. Instituti Albanologjik - Prishtinë. Prishtinë, 2019, 237-244.



· Orientalizma leksikorë nё njёsitё frazeologjike tё shqipes. - në: Balkan Area Altaic Studies General Linguistics in Memoriam Albina H. Girfanova / Балканистика Aлтаистика Oбщее языкознание. Памяти Альбины Хакимовны Гирфановой (1957–2018). Russian Academy of Sciences Peter The Great Museum of Anthropology and Ethnography (The Kunstkamera), Saint-Petersburg / Музей Антропологии и Этнографии им. Петра Великого (Кунсткамера) РАН Санкт-Петербург. Nestor-Istoria 2019 / Нестор-История 2019, 328-336. [Abstract: Leksičeskie orientalizmy v albanskih frazeologizmah]



· Gjurmime për semantikën leksikore në gjuhën shqipe. I, II. Akademia e Studimeve Albanologjike, 2019, 373 + 362 f.



· Shtresa leksikore në fjalorin e Frang Bardhit sipas studimit të prof. Kolë Ashtës. – në: Kolë Ashta dhe studimet albanologjike ndër vite (me rastin e 100-vjetorit të lindjes së prof. dr. Kolë Ashtës). Konferencë shkencore Shkodër, 29 qershor 2018. Studime shqiptare 30. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” - Fakulteti i Shkencave Shoqërore - Qendra e Studimeve Albanologjike. Shkodër, 2020, 71–74.



· Vëzhgime mbi leksikun e veprës së Naim Frashërit “Istori e Skënderbeut” (1898). – Albanologji 9. Vëllimi II. Punimet nga Konferenca Jubilare shkencore Gjergj Kastrioti – Skënderbei dhe epoka e tij. Java e Albanologjisë (17–19 qershor 2018). Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë 2019, 55–61.



· Gjurmime për semantikën leksikore në gjuhën shqipe. I, II. Akademia e Studimeve Albanologjike. Tiranë, 2020, 373 f. + 362 f.



· Semantika leksikore e emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe. “Albas”, Tiranë, 2020, 366 f.



· Emërtime njerëzish me emra të botës shtazore në gjuhën shqipe. - GAlb-ShkFil 51/2021, 67–90.



· Semantika leksikore në tekstin universitar të leksikologjisë së gjuhës shqipe të hartuar nga akad. prof. dr. Jani Thomai. - Albanologji 11. Java e Albanologjisë 11/2020. Vëllimi I. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë 2021, 103–108.



· Rreth përdorimeve mbiemërore të emrave në gjuhën shqipe. - GjSh 40/2022, 1, 49-58.



· Fjalë të arbërishtes së Kalabrisë dhe të arvanitasve të Greqisë në fjalorin etimologjik të Gustav Meyer-it. - GjSh 40/2022, 3, 57-64. [bashkautore Ina Metani]



· Fjalor i emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe. Tiranë, 2023, 653 f.



Shkurtime



BShB = Buletin shkencor. Shkolla e lartë private “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”, Burrel.



GAlb-ShkFil = Gjurmime albanologjike: Seria e shkencave filologjike. Prishtinë 1962–



GjJ = Gjuha jonë. Tiranë, 1981–2009.



GjSh = Gjuha shqipe. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë 1982–



Kërk.Univ. = Kërkime Universitare. Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.



SFil = Studime filologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Tiranë, 1964–



StAlb = Studime albanologjike (Gjuhësi). Universiteti i Tiranës - Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 1996–

Faleminderit, profesor!
I paharruar prof. Idrizi!

🖋Prof. Emil Lafe
10/11/2023

🖋Prof. Emil Lafe

Prof. Emil LAFE   Prof. Eqrem Çabej njihet kryesisht si historian i gjuhës shqipe, por ai ka qenë gjithnjë i lidhur edhe me ecurinë e zhvillimit të shqipes letrare dhe mori pjesë në të gjitha …

🖋Prof. dr. Rami Memushaj: Profesor Çabej dhe kritikët e tij liliputë⬇️
25/08/2023

🖋Prof. dr. Rami Memushaj: Profesor Çabej dhe kritikët e tij liliputë⬇️

Në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji, kampi i patriotëve folklorikë shpërtheu si lavë vullkani, duke derdhur pa hesap sharje, fyerje e anatemime mbi prof. Eqrem Çabejn, një prej figurave më përfaqësuese të gjuhësisë shqiptare. Shkak për këtë u bë një video me fjalën e tij,...

Qendra për Edukim dhe Përparim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovë...
09/06/2023

Qendra për Edukim dhe Përparim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës ka hartuar Fjalorin e madh të gjuhës shqipe me 300.000 faqe A4.

E tëra që duhet të bësh për përdorimin e këtij fjalori është regjistrimi në portalin GjuhaShqipe.com. GJUHA SHQIPE

Për herë të parë në historinë e njerëzimit kemi Fjalorin e madh të gjuhës shqipe me 8.000.000 forma fjalësh, tashmë të digjitalizuara në mënyrë të përsosur dhe lehtësisht të qasshme për çdo shqiptar përmes hapësirës së madhe të internetit. Ky fjalor është pjesë e Kullës së shqipes, softueri më i përparuar për gjuhën shqipe, i domosdoshëm për gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe.

Nga sot fillon festa për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe në formatin digjital dhe gëzimi rreth kësaj përpjekjeje shkencore është i destinuar të qëndrojë përjetësisht, duke lënë një trashëgimi të pashlyeshme për brezat që do të vijnë.

Përmes kësaj fushate kemi dashur të sigurohemi që sa më pak ose asnjë gabim i vetëm të mos mbetet në këtë vepër të rëndësishme shkencore mbarëkombëtare.

Pas një veprimtarie të palodhur shkencore më shumë se 25-vjeçare, mund të themi që jemi në udhë të mbarë për të vazhduar punën për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe me 200.000 fjalë e shprehje.

Rezultatet shkencore që kemi arritur me këtë softuer dhe bazat e të dhënave janë unike dhe është pothuajse e pamundur që t’i ketë cilido institucion tjetër shkencor shqiptar, andaj ftojmë të gjitha institucionet për përfshirje dhe bashkëpunim në përparimin edhe më të madh të këtij softueri.

Shpresojmë që sa më parë edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë Edi Rama të bashkohet në këtë projekt me synim bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një qëndrim të qartë “Një komb, një gjuhë, një softuer”.

Kjo fushatë, përveç të tjerash, kishte qëllim përfshirjen e qytetarëve dhe kontributin e tyre në Fjalorin e madh të shqipes. Një proces i ngjashëm mund të organizohet sërish pas një kohe për kuptimet e fjalëve, sinonimet e antonimet.

Edhe më parë, por sidomos gjatë fushatës, jemi mahnitur nga dëshira dhe gatishmëria e shumë qytetarëve për të dhënë sugjerime, për të shpalosur problemet e tyre në këtë fushë dhe për të propozuar fjalë të reja për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Përfshirja e përdoruesve në paraqitjen e kërkesave të tyre të drejtpërdrejta te hartuesit e fjalorit është një praktikë e shpeshtë dhe bashkëkohore.

Në këtë fushatë kanë marrë pjesë në mënyrë aktive mbi 100.000 pjesëmarrës (me emaile, telefonata, postime, raportime të gabimeve, pëlqime, shpërndarje etj.).

Të drejtën e pjesëmarrjes e kanë pasur vetëm të regjistruarit në GjuhaShqipe.com. Mbi 600 persona kanë raportuar për gabime në fjalë e forma fjalësh, sipas rregullave të përcaktuara paraprakisht në internet, dhe prej tyre kanë fituar shpërblime 23 persona.

Lista e fituesve të shpërblimit!
Ne e bëjmë këtë punë në shërbim të gjuhës shqipe dhe në shërbim të atyre që përdorin Kullën e shqipes.

Ju nxisim që ta përdorni Fjalorin e madh të gjuhës shqipe dhe t’i ftoni edhe të tjerët!

✒️Prof. dr. Rami Memushaj | Jo pakicë greke në Himarë, po himarjotë me shtetësi shqiptare dhe grekePërsëri Athina zyrtar...
14/05/2023

✒️Prof. dr. Rami Memushaj | Jo pakicë greke në Himarë, po himarjotë me shtetësi shqiptare dhe greke

Përsëri Athina zyrtare, duke marrë shkas nga ndalimi i një shqiptari të vetëshpallur grek, ripërsëriti tezën e vjetër se Himara është greke. Ministri i Jashtëm Dendias dhe vetë kryeministri Micotaqis kërcënuan se, pa respektimin e të drejtave të minoritetit grek, Shqipëria do t’i ketë të mbyllura dyert e BE-së.
Po a ka popullsi greke në Himarë? Kësaj pyetjeje historianët dhe studiuesit shqiptarë i kanë dhënë përgjigje me një varg veprash, ndër të cilat po përmendim “Historia e Himarës (2002) të studiuesit himarjot Aleko Rrapo, “Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve” (2005) të akad. Kristo Frashërit, “Ipet e Iperit – Himariotët)” (2004) të Foto Bixhilit etj. Edhe autori i këtij shkrimi i është përgjigjur kësaj pyetjeje në librin “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike” (2004), si dhe në artikuj të botuar në shtypin shkencor e të përditshëm.
Siç dihet, kritere dalluese për një pakicë etnike janë territori, historia dhe tradita e saj kulturore. Nga pikëpamja e territorit, treva e Himarës është larg kufirit grek dhe në brendësi të tokave shqiptare, dmth. nuk ka lidhje territoriale me Greqinë, gjë që përbën një kusht që një popullsi të quhet pakicë etnike. Nga pikëpamja historike, kjo trevë ka qenë pjesë e Kaonisë së lashtë dhe historia nuk njeh koloni greke në bregdetin shqiptar të Jonit. Himara ka qenë e banuar nga ilirë epirotë dhe pasardhësit e tyre arbër e më pas shqiptarë dhe jo nga kolonë grekë, sikundër mëtojnë grekomanët e Himarës.
Duke filluar nga fundi i shek. XV e deri në shek. XVIII, Himarë është quajtur krahina në jug të Vlorës dhe në perëndim të Vjosës e të Drinos, pra Labëria e sotme. Kronisti i mesjetës K. Sathas, duke shkruar për kryengritjen e Kostandin Muzakës të vitit 1481, flet për «malet e Himarës» dhe për «popujt e asaj malësie që janë më shumë se 50 fshatra”. Dhe kjo krahinë ka qenë e banuar nga shqiptarë. Kronisti tjetër Stefano Magno, kur flet për kryengritjen e Himarës të vitit 1484, i cilëson himarjotët si shqiptarë (Queli di Zimera, populli Albanesi). Po ky kronist thotë se në veprimet luftarake të venedikasve kundër turqve në grykën e Vjosës më 1501 “morën pjesë edhe shqiptarët himarjotë (albanesi zimarioti). Më qartë se ç’kuptohej me Himarë e tregon udhëtari frëng Denis Possot, i cili në shënimet e veta të vitit 1532 shkruan se provinca e Shqipërisë është e ndarë në tri pjesë: pjesa e parë nën zotërimin e venedikasve, e dyta është nën pushtimin e sulltanit dhe “e treta është në zotërimin e shqiptarëve”, që “mbahen në një vend e në një pjesë të Shqipërisë që tani quhet Himarë”.
Me islamizimin e fshatrave të hinterlandit (të prapamalit), që u përmbyll aty nga fundi i shek. të 18-të, shtrirja e emrit Himarë erdhi e u rrudh duke u përdorur vetëm për 7 fshatrat e Bregut të Sipërm, kurse e tërë krahina në jug të Vlorës dhe midis Jonit e Vjosës e Drinos u quajt Labëri.
Historia e lashtë dhe e re e Himarës është e lidhur me historinë e Labërisë. Në Himarë janë bërë kuvendet nga më 1577 e 1593 u janë dërguar letra për ndihmë papëve të Romës dhe më 1759 careshës së Rusisë, në të cilat ata u drejtohen në emër të klerikëve e laikëve të 50 fshatrave “prej Himare, dmth. prej Epirit të shqiptarëve”.
Nga pikëpamja administrative, në regjistrin osman të vitit 1431 këto 7 fshatra dalin si pjesë e nahijes së Himarës, që lidhej me vilajetin e Gjirokastrës. Në riorganizimet e mëvonshme, Himara del herë si pjesë e kazasë së Kurvelesh*t e herë si kaza e sanxhakut të Delvinës. Nga pikëpamja fetare, qyteza e Himarës ka qenë qendër peshkopate, e varur në fillim nga mitropolia e Nikopojës (Prevezës), prej vitit 1019 e deri më 1767 nga kryepeshkopata e Ohrit dhe nga ajo kohë e këtej e varur nga mitropolia e Gjirokastrës. Pra, asnjëherë peshkopata e Himarës nuk ka qenë e lidhur me kishën greke, pavarësisht se peshkopët dhe priftërinjtë grekë të Korfuzit dhe të Janinës janë përzier në punët e kishës shqiptare të Himarës.
Edhe etnografikisht fshatrat e Himarës i përkasin njësisë së madhe etnografike të Labërisë. Himarjotët i bashkojnë me Labërinë fustanella dhe veshjet e tjera tradicionale, kënga polifonike dhe vajtimi shqip i të vdekurve, ritet e njëjta të lindjes, të martesës dhe të vdekjes, doket dhe gjuha shqipe.
Ajo që i ndan tri fshatrat e Himarës (qytetin e Himarës, Dhërmiu dhe Palasa) nga pjesa tjetër e Himarës dhe nga gjithë Labëria, është se janë dygjuhëse, greqisht- e shqipfolëse. Si argument në mbrojtje të tezës se himarjotët janë grekë, sillet pikërisht fakti që këto tri fshatra flasin greqisht. Sipas përkrahësve të kësaj teze, edhe Iliazi, Vunoi, Qeparoi e Kudhësi kanë qenë greqishtfolëse, por e kanë humbur greqishten nga trysnia e gjuhës shqipe!
Mirëpo dëshmitë historike tregojnë të kundërtën. Në një libër italisht të botuar në Ferrara më 1598, thuhet se «himarjotët flasin shqip”. Vetë himarjotët në letrën dërguar careshës së Rusisë, thonë se “flasim shqip, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e afërme dhe në Bosnjë, po në vende të ndryshme të gjithë të mësuarit flasin greqisht e familjet më të shquara përdorin edhe italishten”. Milingeri, doktori i Bajronit, shkruan se 200 himarjotët që shkuan në ndihmë të revolucionit grek, “nuk dinin asnjë fjalë greqisht”.
Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti se tri fshatrat e mësipërme kanë qenë dygjuhëse. Për këtë ka gjithashtu dëshmi historike. Kështu, në një memorial të vitit 1500 që ruhet në bibliotekën e Firences, të botuar nga historiani rumun Nikolae Jorga, për himarjotët thuhet se “banorët e këtij vendi janë ilirë që tani quhen shqiptarë, megjithëse përdorin edhe gjuhën greke, por në mënyrë shumë të huaj”. Misionari Filoteo Zasi, që shërbeu në Himarë, në një relacion të bërë rreth vitit 1700 shkruan se «gjuhët e domosdoshme për këta popuj janë greqishtja dhe shqipja. Martin Liku, konsulli britanik pranë Ali Pashës thotë se “gratë himarjote flisnin vetëm shqip, ndërsa burrat përveç shqipes dinin ose italisht, ose greqisht”. Gjysh Sheldija, 100 vjet më parë, duke karakterizuar gjendjen gjuhësore të kësaj krahine, shkruan se: “edhe këta të fundit (fshatrat shqipfolëse – R. M.) e dijnë greqishten, sikurse edhe ata të parët (fshatrat greqishtfolëse) shqypen”.
Pra, në fshatrat e Himarës nuk ka pasur kurrë njëgjuhësi në greqishte. Aty elementi vetëm shqipfolës dhe elementi shqip e greqishtfolës banon në dy enklava – njëra enklava dygjuhëse e Himarës dhe tjetra e Dhërmi–Palasës, të ndara prej bashkësisë shqipfolëse të Vuno–Iljazit dhe të rrethuara nga të gjitha anët prej shqipfolësish njëgjuhës. Duke u nisur nga kjo gjendje e gjërave, nuk mund të pranohet kurrsesi që Himara si krahinë përbën një pakicë gjuhësore.
Për të provuar gjuhësisht që, edhe pse flasin greqisht, këto tri fshatra janë shqiptare, jemi ndalur vetëm te patronimet (llagapet e njerëzve). Nga studimi që u kemi bërë këtyre të fundit, na ka dalë se numri i emrave të huaj të familjeve të Himarës nuk është i madh. Më 1583, vetëm shtatë emra familjesh janë fjalë greke dhe pesë turke; më 1791, vetëm pesë nga 59; dhe, më 2003, rreth 40 llagape greke, dy hebreje, dy prej gjuhëve romane dhe tetë turke, pra diçka më pak se 7 për qind e llagapeve të sotme të krahinës. Dhe pesha specifike e elementit të huaj në patroniminë e kësaj treve ka mbetur pothuajse e pandryshuar dhe e papërfillshme në shekuj.
Patronime greke që hasen në trevën e Himarës janë: Aleksi, Anagnosti, Andoni, Andrea, Apostoli, Athanasi, Dhimaqi, Dhimitraqi, Dhimolea, Foto, Ilia, Harito, Janaqi, Janila, Jorjani, Jorgo, Jorgonllu, Jovani, Karali, Konomi, Kristofori, Llambro, Llanduri, Llazari, Manoli, Marko, Martini, Mihali, Mihallo, Nikolla, Odhisea, Panajoti, Panajoti, Pavllo, Proto, Polimeri, Paskali, Pavli, Stavro, Stefani, Stimaqi, Stolaj, Triandafillu, Trolaj Thanasi, Theodhori/Todori, Vasili e ndonjë tjetër.
Këto llagape me prejardhje greke nuk janë të bartësve grekë, po emra të botës së krishterë greko-bizantine, dmth. të tilla që kanë hyrë nga ndikimi i kishës ortodokse, e cila liturgjitë dhe shërbesat fetare i kryente në gjuhën greke. Shumë nga këto llagape hasen edhe në treva të brendshme të vendit, ku nuk mund të bëhet kurrsesi fjalë për prani të popullsisë greke. Kjo do të thotë se prania e llagapeve të tilla në Himarë nuk mund të merret si argument që bartësit e tyre nuk janë shqiptarë, po grekë.
Në librin “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, duke u marrë me shpjegimin e patronimeve, jemi shprehur se “në Himarë, me prejardhje greke janë Trolajt; Stolajt, të ardhur nga Dropulli; Konomajt (jo Konomët), të ardhur nga Sopiku; dhe Zisajt, të ardhur nga Pogoni”. Por, nga hetimet e mëvonshme, na ka dalë se Zisajt e Konomajt janë familje shqiptare nga Sopoti, Stolajt të ardhur nga Rrëzoma dhe Trolajt të ardhur nga Vithkuqi.
Për ta përmbyllur, të flasësh për pakicë greke në Himarë duke u nisur nga ajo që dhjetëra himarjotë që banojnë aty kanë edhe pasaporta greke, është një e pavërtetë e madhe. Shqiptarë me pasaporta greke mund të ketë në gjithë Shqipërinë, por ata nuk formojnë dot një minoritet etnik grek, ashtu sikundër nuk formojnë një minoritet etnik as disa qindra mijë emigrantë shqiptarë në Greqi.
Mendojmë se është detyra e politikës shqiptare të mos bëjë kompromise dhe lëshime me termat, por t’u tregojë me fakte homologëve grekë se Himara nuk është minoritet dhe se këmbëngulja e këtyre për të kundërtën dhe trysnitë politike ndaj vendit tonë për këtë temë përbëjnë një shkelje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe një vijim të politikave aneksioniste greke të së shkuarës.

Address

Tirana
1003

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Lingua Albanica posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Organization

Send a message to Lingua Albanica:

Share